Kukësi me rrethinë apo thënë ndryshe edhe krahina e Lumes, në situatat më të vështira me të cilat është përballë Kosova. Me këtë rast po i përmendi vetëm dy nga momentet kur u vu në pyetje qenësie jonë: vitet e `40, kur me dhjetëra mësues vërshuan drejt Kosovës dhe në vitet e `90 kur me qindra mijëra kosovarë gjetën mbrojtje dhe strehim vëllazëror në Kukës me rrethinë
Përgatiti: Rexhep Rifati
Në këtë vazhdim të 12-tin me radhë, kur kanë filluar të na lajmërohen djemtë e vajzat apo edhe nipërit e mbesat e ishe mësuesve nga Shqipëria që punuan në në Kosovë në vitet 1941- 48, kësaj radhe do të përqendrohem në kontributin e mësuesve lumjanë, që në numër më të madh se pjesët e tjera të Shqipërisë erdhën për të shërbyer në Kosovë.
Me këtë rast shfrytëzova një shkrim pak sa më të gjatë të Isa Halilit, i cili ofron të dhëna burimore, madje edhe me emra konkret të disa nga mësuesve që shërbyen në Kosovë:
“Ndihmesa dhe gatishmëria e mësuesve e kuadrove arsimor të ish-Prefekturës së Kosovës (Kukësit) u dha në dy drejtime:
Së pari: në shkuarjen e mësuesve të kësaj treve në shkollat e ndryshme të Kosovës. Këta mësues e kuadro arsimor kanë qenë:
1. Beqir Spahia, Mësues i Popullit, normalist, nga Kolesjani, ka punuar në Prizren, 1941-1943, me detyrë mësues i gjuhës shqipe dhe Inspektor Arsimi i Prefekturës së Prizrenit. Vrarë më 6 maj 1943.
2. Ramadan Mehmetaj, normalisht nga Bicaj, ka punuar mësues i shkollës shqipe në Prizren, në lagjen Bajrakli. Pastaj hapi shkollën shqipe në Korishë.
3. Enver Spahia, me akademi, ka punuar për një kohë të gjatë me detyrë profesor i matematikës në gjimnazin e Prizrenit, pastaj në Podujevë.
4. Dr. Miftar Spahia, nga Kolesjani, i lauruar në Universitetin e Torinos «Doktor i letërsisë dhe filozofisë». Ka punuar në Prishtinë, Profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e Prishtinës në vitet 1942-1943.
5. Profesor Safet Hoxha, i diplomuar profesor i letërsisë dhe i gazetarisë në Beograd, është nga Zapodi, punoi mësues në fshatin Buçe të Dragoshit, pastaj në Prizren e Podujevë, pas studimeve universitare, punoi përkthyes i emisioneve shqip të Radio Beogradit. 1955 kthehet në Shqipëri. Deri në pension punoi profesor i gjuhës shqipe në universitetin «Luigj Gurakuqi» Shkodër.
6. Rrahim Hoxha, nga Bicaj, Medrezist dhe normalist i lartë, ka punuar në Kosovë nga 1944 deri më 1948. Dha mësim në shkollën shqipe Prizren, drejtor shkolle në Suharekë, organizoi shkollat dhe LKA në fshatrat Sop, Gjinovë, Grejkoc, Mushtishtë, Vranisht, Sollograzhdë. Si inspektor arsimi në Dragash ku ka kontribuar direkt në hapjen e shkollave shqipe në Shajne, Pllojnik, Kosovec, Kuklibeg, Kapre, Prodosan, Bllaç, Zgatar, Brrut e tjerë fshatra të Opojës e Gorës.
7. Rrahman Palushi nga Bicaj normalist dhe më vonë jurist, ka punuar mësues i shkollës shqipe në Kosovë, në vitet 1941-1943 mësues në fshatin Talinofcë afër Ferizajt. Ka kontribut të madh si përgjegjës i arsimit rrethit Kukësit, për dy dekada, duke kompletuar rrjetin e shkollave fillore dhe 7-8 vjeçare.
8. Emërli Kamber Shehu. Nga Nanga e Bicaj, medrezist. Ndër të parët shkoi në Kosovë, për të punuar në arsimin shqip, në vitet 1941-1943. Dha mësim në shkollën fillore në Sopis dhe në Zhaçë.
9. Lutfi Zyberi (Hoxha) ka lindur në Brekijë të Topjanit, me arsim normalist dhe më vonë me arsim të lartë. Ka punuar në Kosovë, mësues i shkollës fillore Bllacë. Pastaj ka dhënë mësim në Topojan, Tiranë e Shkodër-Drejtor i Institutit Pedagogjik deri në pension.
10. Abdulla Hoxha ka lindur në Ogjost-Gorë, me arsim të mesëm, ka punuar mësues i shkollës shqipe në Rugovë në vitet 1941-1943. Veç shkollës së ditës i ka hapur edhe shkollën e mbrëmjes dhe disa kurse kundër analfabetizimit. Pas çlirimit punoi në administratën shtetërore dhe organe ekonomike.
11. Mexhid Dollovoshti (Krasniqi). Ka lindur në Zapod të Gorës me arsim të mesëm dhe erudit i zoti. Punoi në arsimin shqip në Kosovë me 1941-1944, duke dhënë mësim në shkollën fillore të Rapçës. Pas çlirimit ka dhënë mësim në Gostil dhe kryesisht në Zapod.
12. Vehab Islam Muja lindur në Shtiqën, me normalen e Elbasanit, pas një përvoje pune të gjatë në shkollat Drogobi, Shtiqën, ka punuar gjashtë muaj mësues vullnetar në Kosovë, mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Ferizaj.
13. Ahmet Çashifi (Shehu). Ka lindur në katundin Fshat të Grykës së Çajës. Me arsim të lartë. Intelektual i kompletuar. Me banim familjar që nga 1929 në Tetovë. Pas një përvoje pune në sistemin hekurudhor ndërkombëtar, qe profesor në gjimnazin «Gjon Buzuku› të Prizrenit deri më 1946.
14. Rifat Spahiu, lindur në Kolesjan, normalist. Pas një përvoje të gjatë pune si mësues në Durrës, drejtor i Internatit «Kosova» në Krumë, për një kohë më 1941, punoi në arsim në Gjilan, pastaj në Kosovë dhe në Shqipëri punoi në funksione administrative dhe në organet e arsimit në Ministrinë e Arsimit.
15. Rexhep Shpendi nga Bujani i Tropojës, normalist me erudicion të gjerë. Pas një përvoje pune si mësues në Biçaj, Krumë, Bujan, Shishtavec, punoi në Kosovë në vitet 1941-1945, duke dhënë mësim në Shtime, Pejë, Gjakovë, Prishtinë, Prizren e Mitrovicë në shkollat e mesme e fillore.
16. Qamil Hoxha nga Bicaj me arsim të mesëm, normalist, pas një përvoje të gjatë pune në Bicaj, Zapod e Ploshtan, ka punuar mësues dhe në Kosovë, duke dhënë mësim në shkollën e qytetit Gjakovë më 1942-1943.
17. Nezir Spahiu, ka lindur në Kolesnjan, me arsim të mesëm. E ka dëshiruar punën në arsim dhe ka punuar si mësues në Ujmisht, Shtiqë e tjerë. Me këtë përvojë pune në vitet 1941-1945 ka punuar mësues në shkollën shqipe të Ferizajt.
18. Shyqyri Bulica nga Kolesjani, normalist dhe erudit i apasionuar në shkencat shoqërore dhe ekonomike. Pas çlirimit mbaroi Fakultetin Ekonomik në Tiranë. Detyrën e mësuesisë e ka ushtruar në fillim në Gjolaj, Krumë dhe Shishtavec. Ka punuar mësues edhe në Kosovë në vitet 1941-1943 në shkollën e Mitrovicës, pastaj ka punuar në organet administrative deri zv/ministër i financave në Shqipëri.
19. Muharrem Musa, i lindur në Dibër, normalist, pas një përvoje të gjatë pune si mësues, didakt shumë i mirë në Elbasan, Kastriot Peshkopi, Krumë, Balsh dhe Kukës, në vitet 1941 e 1942 që drejtor didaktik në Prizren. Deri në 1945 punoi si kryemësues në qytetin Kukës.
20. Persifoni Musa 1914-1974 me arsim të mesëm pedagogjik të kompletuar, pas një përvojë të gjatë pune në bashkëpunim me të shoqin Muharrem Musa, dha mësimin e gjuhës shqipe në shkollat Kukës, Krumë, Peshkopi tjerë në vitet 1941 e 1942 dha mësimin e gjuhës shqipe në Prizren, duke lenë përshtypje mjaft të mira si mësuese e talentuar.
21. Hysni Dino (Hoxha) nga Bekija e Topojanit. Pasi kreu shkollën Teknike Tiranë 1942, shkoi në Prishtinë. Aty kreu një kurs 1-2 mujor për mësuesi. Punoi mësues në shkollën Hoçë e Vogël 1942-43 dhe në Brod 1943-1944. Pas çlirimit ka qenë një inxhinierët e talentuar të Hidro-Energitikës shqiptare.
– Dhe listat vazhdon me emrat e mësuesve Bujar Spahiu, Remzi Spahiu e të tjerë kuksianë që kanë punuar me vonë në Kosovë.
Një kontribut i madh dhe një shprehje e patriotizmit të thellë
Për kushtet dhe numrin deri atëherë të kufizuar të mësuesve në ish-prefekturën e Kosovë (Kukësit), ky numër mësuesish lumjanë e nga Tropoja, që punuan në mëkëmbjen e arsimit shqip në Kosovë, është një kontribut i madh dhe një shprehje e patriotizmit të thellë në lidhjet që kanë patur dhe kanë këto malësi me Kosovën kreshnike.
Së dyti, edhe pse arsimi shqip në të gjithë truallin kombëtar, ka qenë i pandarë, të tjerë, i kanë vënë kufij politik e administrativ, prej afro një shekulli, me qëllim që pjesa e aneksuar ta humbas atë. Po nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kështu sepse shpirti është i pandashëm.
Në kthesa historike puna e përbashkët çon në zgjedhjen e drejtë të rrugëve dhe faktorëve, në zgjidhjen e zhvillimit të mirëfilltë. Me mundësitë e rrethanat që krijoi zhvillimi i Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1941-1945 dhe 1945-1948 në Kosovë, «u realizua» një kërkesë historike me shumë rëndësi, «bashkimi i këtyre trojeve në Shqipërinë reale me kryeqendër Tiranën», për të cilën toleruan forcat italo gjermane.
Qeveria shqiptare e asaj kohe, ndonëse nën pushtim, si detyrë numër një për Kosovën, ku përfshiheshin edhe trojet shqiptare në Maqedoni, zgjidhi vendosjen e administratës shtetërore shqiptare dhe si masa më konkrete, qe hapja e shkollave shqipe në të gjithë territorin shqiptar.
Kjo nuk u bë me arnime copash apo pjesësh, po me një gjithëpërfshirje mbar kombëtare e cila, si ide, dhe veçanërisht në arsim, ka qenë me integrim të plotë në gjithë linjën historike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në këtë integrim, si të gjitha strukturat superiore arsimore shtetërore, u përfshinë edhe shkollat, Drejtoria Didaktike dhe Inspektorati i Arsimit të Prefekturës së Kukësit duke njësuar punën me Prefekturën e Prizrenit në zbatimin e Plan-Programeve mësimore, në udhëheqjen metodike dhe praktike e kualifikuese të punës së mësuesve, të fillimeve të punës shkencore e tjerë…”, nënvizon në përfundim të këtij shkrimi Isa Halili, i cili ka arrit të ofrojë gjithë këta emra mësuesish me të dhëna konkrete, ndaj edhe do falënderuar edhe me këtë rast.
Luma e martirizuar, përherë në krah të Kosovës martire
Pra duhet vlerësua e nderua Kukësin me rrethinë, por edhe Lumen si krahinë për kontributin e madh dhënë Kosovës martire, ndonëse edhe vet luma u martirizua sa e sa herë nga ekspeditat shfarosëse serbe sidomos gjatë luftave ballkanike, ndaj edhe sa herë që shkoj në Kukës nuk mund e të mos bëj nderime para lapidarit të viktimave lumjane nga terrori gjenocid serb, që në të kaluarën tonë fatkeqe është përsërit disa herë. Por megjithatë ideali për liri dhe vëllazëri mes Lumes e Kosovës , nuk është shuar kurr vetëm se është forcua duke gjete mbështetje te njëra tjetra.
Ndaj edhe në pranverën e sivjetme kur isha në rrethinë e Kukësit, kur Shoqata bamirëse “Feniks” e Ferizajt ngriti 5 shtëpi të reja në këtë anë u ndjeva mesa krenar, që sado pak ta ndihmojnë atë popullatë skamnore, por bujare e cila bëri shumë për ne në luftën e fundit kur ne shqiptarët e Kosovës përballeshim me ekzistencë.
Nga fotot: Një nga viti 1942 në Talinofc të Ferizajt, mësuesi Rrahman Palushi nga Bicajt e Kukësit dhe Abdullah Laçi- Shabanaj nga Elbasani me nxënësit e tyre, ndërsa fotot tjera janë nga takimet e mija me kuksian në mesin e të cilëve edhe me djali i vëllait të Rrahman Paliushit, shkrimtarin, Petrit Palushi.
Nesër: Hapja e shkollave të para shqipe në Maqedoninë Perëndimore