„WOZ“- i zviceran, apo kush tjetër është nacionalist në Kosovë?

Reagim në artikullin dashakeqës dhe me të pavërteta mbi gjendjen e forcave politike në Kosovë

nga Max Brym
woz1Gazeta javore „WOZ“ është e njohur si gazetë serioze dhe si organi informativ i së majtës në Zvicër. Mirëpo, sa i përket vlerësimit të forcave politike në Kosovë, WOZ-i sikur edhe shumë organe të majta kanë probleme fondamentale. Në parim edhe WOZ-i zviceran heq dorë nga hetimi e hulumtimi dhe publikon artikuj, të cilëve u mungon njohuria e gjendjes së saktë. Edhe WOZ e ngatërron të majtën dhe të djathtën në Kosovë. Me 10 dhjetor të këtij viti po në ketë gazetë u publikua artikulli i Dirk Auer nga Beogradi, me titullin e çuditshëm „Me gaz lotsjellës e nacionalizëm kundër vetëvendosjes“. Në hyrje të artikullit autori shkruan: Një opozitë nacionaliste e bënë lëmsh politikën e Kosovës: Ajo kritikon elitën politike, mirëpo ajo parasëgjithash përpiqet të pengojë autonominë e serbëve“. Pra qysh në fillim të shkrimit, lexuesit i bëhet e „qartë“ se Lëvizja Vetëvendosje gjoja është nacionaliste. Kështu vetëkuptueshëm lihet përshtypja se është fjala për një lëvizje të djathtë. Në vijim të artikullit autori i pranon Lëvizjes Vetëvendosje! një të kaluar të majtë. Thelbi i shkrimit i mohon Lëvizjes Vetëvendosje çfarëdo karakteri përparimtar. Edhe pse në artikull pasqyrohet terrori e regjimit i datës 28 nëntor të këtij viti. Mirëpo autori i një gazete të majtë nuk merr guximin dhe mundin të dënojë terrorin e regjimit. Autori i artikullit për të dëshmuar gjoja nacionalizmin e Vetëvendosjes! paraqet një dëshmitarë kyç, një krijesë me emrin Rron Gjinovci. Ky Rron Gjinovci citohet të ketë thënë: Mirëpo në ndërkohë Vetëvendosja ngul këmbë vetëm në nacionalizëm“. Autori përpiqet të lejë përshtypjen se gjoja Vetëvendosja ka diçka kundër serbëve, andaj ajo nuk mund të cilësohet si forcë progresive. Dirk Auer dënon fushatën për bojkotimin e „mallrave serbe në Kosovë“ pa iu referuar fare sfondit të fushatës. Shteti serb për çdo vit subvencionon me 500 miliona euro eksportet për në Kosovë. Përmes kësaj mbytet bujku e fermerit i Kosovës. Një lëng i njëjtë nga Serbia në Kosovë kushton shumë më lirë se sa kushton në Nish apo Beograd. Si mund të injorojë një autor, i cili jeton në Beograd faktet e tilla? Natyrisht që Auer spekulon me mungesën e njohurive të lexuesve të majtë gjermano-folës me gjendjen në Kosovë. Kjo është demagogji e kulluar.

Gabimet politike dhe metodologjike të Dirk Auer

Teoria marksiste niset nga dallimi mes nacionalizmit të një kombi shtypës dhe nacionalizmit të një kombi të shtypur. Marksi në kohën e tij nacionalizmit irlandez ia pranoj një karakter të caktuar progresiv, pasi ky nacionalizëm kundërshtonte pushtetin shovinist anglez. Posaçërisht për Leninin ishte me rëndësi të veçantë ky dallim (nacionalizmi nuk është i njëjtë me nacionalizmin tjetër) në kuadër të revolucionit rus. Lenini theksonte përsëritshëm se pa të drejtën për vetëvendosje të popujve të shtypur nga carizmi rus nuk mund të ketë as internacionalizëm dhe as revolucion. Nacionalizmi i luftëtarëve çlirimtar algjerian kundër kolonializmit algjerian kishte karakter progresiv. Nacionalizmi i borgjezisë franceze në të kundërtën ishte reaksionar dhe shovinist. Qasja marksiste përkitazi me çështjen kombëtare për autorin nga Beogradi duket se është tërësisht e huaj. Për të gjithë nacionalizmat janë të njëjtë, andaj edhe gjithmonë të këqij. Shtrohet pyetja si është e mundur që një i majtë në Beograd të mos është në gjendje të shoh shovinizmin serb si problem kryesor. Serbia konsideron Kosovën „ si pjesë të patjetërsueshme të Serbisë“. Autori niset nga ajo se opozita mund të ketë diç kundër të drejtave të minoritetit serb në Kosovë. Autori nuk bie asnjë dëshmi për ketë pretendim. Ai ua heshtë lexuesve faktin për të cilin Albin Kurti gjithmonë thekson dëshirën e nevojën „për të biseduar me serbët që jetojnë në Kosovë“. Bisedimet të cilat i marrin me mend Kurti dhe VV duhet të jenë bisedime nga poshtë e jo bisedime që ndodhin në Bruksel nga BE-ja. Marrëveshja e nënshkruar më 25 gusht 2015 në Bruksel nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë e ndan vendin në bazë etnike e nacionaliste. Përsëritshëm opozita ka tërheq vërejtjen e shembullit negativ të Bosnjës, shembull ky që nuk do të duhej të përsëritej në Kosovë. Marrëveshja e Brukselit donë implementim standardesh boshnjake në Kosovë.
Deputeti i Parlamentit të Kosovës Faton Topalli, i cili në ndërkohë mbahet në arrest, përkitazi me problematikën e Marrëveshjes në fjalë për portalin informativ zviceran prointegra.ch (https://prointegra.ch/faton_topalli/) deklaron: „Kushtetuta njeh vendin si tërësi dhe komunat si njësi – por jo edhe shoqatat komunale. Kjo njësi e tretë do të qonte në federalizëm të Kosovës. E dyta: Serbia përmes kësaj Marrëveshjeje dëshiron të ushtrojë ndikimin e vet dhe ti pamundësoj vendit funksionalizimin shtetëror. Dhe e treta: BE-ja mashtrohet kur pretendon se është fjala për integrim të serbëve kosovar, pasi ndodh pikërisht e kundërta: Ata ndahen. Edhe për faktin se ‚bashkësia‘ e komunave do të dispononte me organ legjislativ e ekzekutiv. Ne nga Lëvizja Vetëvendosje! jemi kundër një republike të tillë serbe në Kosovë. Sigurisht që ne jemi të interesuar për integrim të serbëve. Me kushtetutën e tanishme ata kanë të drejta të njëjta sikur edhe popullata shqiptare, dhe kjo edhe duhet të mbetët kështu si është. Mirëpo një problem paraqesin krijimi i strukturave paralele të Serbisë në komunat serbe të Kosovës: Në to veprojnë policia dhe armata e Serbisë, e financuar nga shteti i Serbisë – faktikisht veriu i vendit sikur nuk i takon Kosovës.”
Jo një Bosnjë e dytë jofunksionale
Përmes Marrëveshjes parashihet që faktikisht 23% e territorit të Kosovës do të ketë strukturë të pavarur paralele që financohet dhe drejtohet nga shteti i Serbisë. Kështu ndarja etnike e Kosovës jetësohet përfundimisht. Ky plan ndarjeje, thënë shkaras, nuk ka të bëjë me përbërjen e popullsisë, angazhohet për ndarje dhe është nacionalist në vepër. Të luftohet kundër një Bosnje të dytë në Ballkan, sikur vepron Lëvizja Vetëvendosje! Përkundrazi është internacionalizëm. Lëvizja Vetëvendosje! kërkon shembulli bie që Mitrovica të kthehet në gjendjen e një qyteti shumë-etnik punëtorësh. Vetëm në një Kosovë të bashkuar është e mundur që punëtoret e punëtorët e bashkuar boshnjak, romë, serb e shqiptar të kundërshtojnë procesin e privatizimit neoliberal. Kundër kësaj janë të drejtuara planet e ndarjes etnike të Serbisë nacionaliste, sikur edhe kapitullimi i qartë i qeverisë së Kosovës, të përbërë nga PDK e LDK. Këto dy Parti veten e konsiderojnë si te spektrit të qendrës së djathtë. LDK është e përafërt me partitë federale CDU/CSU të Gjermanisë. Partitë qeverisëse të Kosovës jo vetëm se janë të djathta, porse për nga vet natyra janë parti të shitura borgjeze. Në Kosovë, mafia partiake neoliberale ka nevojë për konflikte permanente nacionale, për të hequr vëmendjen nga korrupsioni dhe pasurimi i tyre. Përmes ndarjes së vendit, konflikti nacional do të jetë i përhershëm dhe kështu do të ndihmohen bandat e mafies politike. Vetëvendosja megjithatë donë t’i japë fund konfliktit kombëtar duke pasur një program të theksuar përparimtar social, kundër procesit neoliberal të privatizimit dhe varfërisë masive në Kosovë. Këto të fundit Dirk Auer përpiqet ti vendosë në të shkuarën. Mirëpo kjo nuk qëndron, pasi me rastin e çfarëdo greve, pas secilës protestë të punëtorëve, punëmarrëset/it e Kosovës e kanë përkrah Vetëvendosjen! Një autor i majtë para se të shkruaj një artikull do të duhej të mësonte më shumë për gjendjen në vend. Këtë parim gazetaresk ka injoruar Dirk Auer. Ai fantazon diçka duke tjerr mbi nacionalizmin, mirëpo mbetet pa e emërtuar nacionalizmin dhe shovinizmin e vërtetë. Ai injoron faktin se Ballkani ka nevojë për gjithçka tjetër përpos për një Bosnje të dytë. Nuk ndihmon shumë edhe informimi nga njerëz pseudo të majtë, qe bjerrin tek Kafeneja „Ditë e Natë“ në Prishtinë. Nga njerëzit e atyshëm shpesh merren informata pa përmbajtje e substancë. Qeveria e Kosovës nuk përdor terrorin vetëm kundër punëtorëve, bujqve, studentëve dhe opozitës, porse ajo mban edhe disa analistë pseudo të majtë, të cilët me përparësi sillen në këtë kafene. Mbetet të shpresohet që ju – WOZ, si gazetë serioze e majtë javore e Zvicrës, artikujt e tillë mbi Kosovën, përfundimisht ti trajtoni si përjashtim të devijuar.