Në tridhjetvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut: Një ngacmim kujtese për parandalim harrese

Prof. Dr. Kurtesh Saliu ka treguar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ishte punuar në konspiracion të thellë gjatë muajve korrik e gusht të vitit 1990, ndërsa u miratua në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanik

Nga HAMZA HALABAKU

Sot mbushen tridhjetë vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanik. Delegatët e Kuvendit të Kosovës, legjislacioni i fundit i zgjedhur në bazë të Kushtetutës së vitit 1974, u tubuan në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ishte kjo përgjigja definitive e përfaqësuesve të zgjedhur të këtij legjislacioni ndaj veprimit arbitrar serb, në krye me Sllobodan Millosheviqin, që në kushte shtetrrethimi, pikërisht më 23 mars 1989, i dha fund autonomisë së Kosovës që e kishte me Kushtetutën e vitit 1974.

Të gjithë popujt janë të interesuar që disa ngjarje të mbahen mend, të rrëfehen e të shpjegohen te brezi i ri, në mënyrë që të dihet e kaluara dhe të vlerësohet, sepse me mbamendje e dëshmojnë qenien dhe i ruajnë vlerat e krijuara. Një kontribut në këtë drejtim do të përpiqem të jep edhe unë me këtë shkrim që është një ngacmim kujtese për një ngjarje të rëndësishme nga historia jonë kombëtare, me të vetmin qëllim ta parandalojmë harresën për aq sa është e mundur te brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Në fund të viteve 80 të shekullit të kaluar, që nga dhjetori i vitit 1989, për fat të mirë inteligjenca shqiptare e Kosovës e udhëhequr nga Ibrahim Rugova filloi të organizojë rezistencë kundër pushtetit të Serbisë, ndërsa  Kuvendi i Kosovës, respektivisht delegatët e Kuvendit të Kosovës, si përfaqësues legjitim të popullit (që ende vepronte në bazë të Kushtetutës së vitit 1974, me 2 korrik të vitit 1990, miratuan Deklaratën Kushtetuese me të cilin Kosova shpallet “njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të Federatës (konfederatës) së Jugosllavisë si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në Federatë (konfederatë)”.

Vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ishin tejet të vështira, por ishin edhe krenaria kombëtare e popullit shqiptar që jetonte jashtë kufijve të Shqipërisë amë. Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990 dihej se duhej të hartohej dhe të miratohej Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Atë kohë dihej se për hartimin e kushtetutës punohej çdo ditë por për atë punë e dinin vetëm ata që punonin në hartimin e asaj kushtetute e cila u hartua dhe u miratua në konspiracion të thellë e në rrethana shumë të rënda.

Si njëri nga zyrtarët e Kuvendit të Kosovës isha kureshtar të dija kush kishte punuar në hartimin e saj dhe njerëz të informuar mirë më treguan se kontributin më të madh gjatë hartimit të Kushtetues së Kaçanikut e kishin dhënë anëtarët e Komisionit të Kuvendit të KSA të Kosovës për Çështje Kushtetuese, sidomos ata që kishin një pedigre shkencore e profesionale, por më së shumti për këtë çështje ishte lakuar emri i Prof. Dr. Kurtesh Saliut.

Gjatë verës së vitit 2011, derisa isha duke punuar në hartimin e librit tim “Një ditë midis dy epokash” (2 Korriku dhe dokumente të tjera që çuan deri te pavarësia) – Prishtinë 2012, që u botua në Njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, e kisha shfrytëzuar, natyrisht me fusnotë, librin e Prof. Dr. Kurtesh Saliut: “Lindja, zhvillimi, pozita dhe aspektet e autonomitetit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në Jugosllavinë Socialiste “, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Prishtinë, 1984. Për të qenë korrekt në interpretimin e disa çështjeve kisha dëshirë që të bisedoja me profesorin tim, Kurtesh Saliu.

Pasi e sigurova numrin e telefonit, profesorin e luta për një takim dhe ai pranoi. Profesor Kurteshi më inkurajoi për punën që kisha bërë në hartimin e librit tim “Një ditë midis dy epokash” (2 Korriku dhe dokumente të tjera që çuan deri te pavarësia), duke theksuar se me botimin e këtij libri për herë të parë do të bëhen publike disa gjëra që kishin ndodhur më 2 korrik 1990 dhe u pajtua me atë që kisha shfrytëzuar nga libri i tij “Lindja, zhvillimi…”

Kushtetuta e Kaçanikut është punuar në konspiracion të thellë

Prof. Dr. Kurtesh Saliu më informoi për punën që ishte bërë në verën e vitit 1990 për hartimin e Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës që ishte miratuar në Kaçanikun tonë historik, më 7 shtator të vitit 1990.  Gjatë asaj bisede, nga ai mësova disa gjëra të rëndësishme. Siç thotë ai, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ishte punuar në konspiracion të thellë gjatë muajve korrik e gusht të vitit 1990, ndërsa u miratua në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanik. Profesor Kurteshi pikë për pikë më tregoi për mënyrën e organizimit dhe punën në hartimin e Kushtetues dhe për hartuesit e saj emër për emër, të cilët deri atëherë ishin të pa njohur për opinionin e gjerë.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka qenë e gatshme afër një muaj para mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanik”, e fillon tregimin e tij të ngadalshëm dhe modest profesori im i lëndës “E drejta kushtetuese”, provim të cilin e kisha kaluar në Fakultetin e Drejtësisë që në vitet shtatëdhjeta.

Prof. Dr. Kurtesh Saliu ka deklaruar se fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që ishte bërë me 2 korrik 1990, disa anëtarë të Komisionit të Kuvendit të KSA të Kosovës për Çështje Kushtetuese nga radha e punëtorëve shkencorë (Prof. Dr. Kurtesh Saliu, Prof. Dr. Ejup Statovci, Prof. Dr. Ismet Salihu, Mr. Fatmir Fehmiu, Prof, Dr. Riza Smaka dhe Halit Muharremi, sekretar i Komisionit Kushtetues të Kuvendit të Kosovës) janë takuar në Gërmi, në hotelin e atëhershëm të quajtur, Hoteli i KNI “Ramiz Sadiku” dhe aty janë marrë vesh që ta hartojnë sa më shpejt Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në bazë të kësaj marrëveshje, Prof. Kurtesh Saliu, i cili formalisht e ka udhëhequr këtë komision, e ka hartuar projektin e përmbajtjes dhe i ka caktuar anëtarët që do t’i hartojnë pjesët e Kushtetutës. Këtë propozim ia ka dhënë Halitit, i cili ua ka përcjellë anëtarëve të Komisionit që u përmendën më lartë. Shumë shpejt kanë filluar të vijnë pjesët e hartuara të Kushtetutës, të cilat i ka kontrolluar Prof. Dr. Kurtesh Saliu, kryesisht gjatë natës dhe ia ka dorëzuar Halitit, i cili shkonte gati për çdo ditë për ngushëllime te Profesor Kurteshi, të cilit atë kohë i kishte vdekur bashkëshortja.

Teksti përfundimtar është diskutuar në mbledhjen e Komisionit në banesën e Prof. Dr. Ismet Salihut në rrugën “Ramiz Sadiku” tani “Agim Ramadani” në Prishtinë. Është punuar prej pasdites e deri të nesërmen në mëngjes. Në fund është angazhuar Prof. Dr. Kurtesh Saliu që të shkruajë arsyetimin e Kushtetutës. Arsyetimin e kanë shikuar vetëm  Prof. Dr. Ejup Statovci dhe Haliti.

Pas disa jave është mbajtur mbledhja e Kuvendit në Kaçanik. Një ditë para se të mbahej mbledhja, do të thotë më 6 shtator 1990, Ilaz Kurteshi e ka marrë në telefon Prof. Kurtesh Saliun, i cili atë ditë ka qenë në Beograd dhe ka kërkuar që të kthehet urgjentisht në Prishtinë.

Kurtesh Saliu ka udhëtuar atë natë dhe të nesërmen në mëngjes ka shkuar në shtëpinë e Riza Alajt, ku e kanë pritur Ilaz Kurteshi, Riza Alaj, Neshet Zhubi, Ramë Alihajdari dhe Rexhep Hamiti, të gjithë delegatë në Dhomën Federative të Kuvendit të Jugosllavisë nga Kosova.

Ilajz Kurteshi e ka njoftuar Prof. Kurtesh Saliun se atë ditë do të mbahej Mbledhja e Kuvendit, ku do të miratohet Kushtetuta dhe se nevojitet të hartohet edhe Rezoluta për Pavarësinë dhe Sovranitetin e Kosovës.

Aty për aty Prof. Dr. Kurtesh Saliu (siç tregonte vet profesori), e kishte hartuar Projektin e Rezolutës për Pavarësinë dhe Sovranitetin e Kosovës dhe ua kishte lexuar të pranishmëve, të cilët nuk patën kurrfarë vërejtjesh. Ndërkohë aty kishte ardhur edhe Halit Muharremi, të cilit Prof. Kurteshi ia dikton tekstin e Rezolutës për Pavarësinë  dhe Sovranitetin e Kosovës edhe në gjuhën serbo-kroate, ngase mendonte që tekstin e Kushtetutës dhe të Rezolutës t’ua jepte gazetarëve në të dy gjuhët dhe po të kishte mundësi ato të botoheshin në “Gazetën zyrtare” të KSA të Kosovës, po ashtu në të dyja gjuhët.

Derisa Prof. Dr. Kurtesh Saliu, së bashku me të pranishmit, po përgatiteshin për të dalë nga aty, Haliti e kishte lutur Prof. Kurteshin që të “qëndronte edhe pak”, ngase duhej përgatitur edhe rendi i ditës për mbledhjen e Kuvendit, gjë që profesori kishte pranuar.

Delegatët morën mbi vete rrezikun personal për të mirën e popullit

Kështu para 30 vjetëve delegatët e Kuvendit të Kosovës që u sollën si përfaqësues të denjë të popullit me vetëdije morën mbi vete rrezikun personal për të mirën e popullit, miratuan Kushtetutën dhe morën rrugën e eksodit, duke lënë këtu familjen dhe gjithçka që kishin dhe për të bërë një jetë të mundimshme në dhe të huaj vetëm e vetëm për ardhmërinë e popullit dhe të shtetit që po e krijonin.

Për mbledhjen e përbashkët të të gjitha dhomave të Kuvendit të KSA të Kosovës të datës 7 shtator 1990, që u mbajt në Kaçanik ishte propozuar ky rend dite:

  1. Shqyrtimi i Propozimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për ta miratuar,
  2. Shpallja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
  3. Shqyrtimi i Propozimit të Ligjit Kushtetues për zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për ta miratuar,
  4. Shpallja e Ligjit Kushtetues për zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
  5. Marrja e Vendimit mbi vazhdimin e punës së Kuvendit të Kosovës, Këshillit Ekzekutiv dhe organeve të tanishme të administratës, deri në zgjedhjen dhe konstituimin e Kuvendit të ri të Republikës së Kosovës,
  6. Shqyrtimi i propozimit të Ligjit mbi bashkimin e qytetarëve në parti politike, shoqata dhe forma të tjera të bashkimit, për ta miratuar,
  7. Shqyrtimi i Propozimit të Ligjit mbi zgjedhjet, për ta miratuar,
  8. Dhënia e pëlqimit për amendamentet kushtetuese për Kushtetutën e RSFJ-së, në bazë të propozimit të KEF-it ,
  9. Shpallja e zgjedhjeve dhe
  10. Aprovimi i Rezolutës për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës

Delegatët e Dhomës Federative të Kuvendit të RSF të Jugosllavisë nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e Kaçanikut më 7 shtator 1990, për shkak të sigurisë, e cila do të mund të rrezikohej nga numri i madh i njerëzve në lëvizje dhe të pranishëm.

Të nesërmen, më 8 shtator 1990 deri sa me Shaban Brunçaj dhe disa shokë ishim ulur para ish-hotelit “Bozhur” për të pirë kafen e mëngjesit, na u ofrua Zenun Çelaj, i vetmi gazetar i “Rilindjes” që e kishte përcjell mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në Kaçanik dhe pas një përshëndetjeje të zakonshme, pyeti se kush është Hamza Halabaku. Me që të gjithë e njihnim Zenunin e edhe ai e dinte që ne ishim punëtorë në Shërbimin Profesional të Kuvendit, pa ngurruar fare menjëherë i thashë se unë jam Hamza. Zenuni ma la një zarf të formatit A4 me ngjyrë të verdhë duke më thënë se kjo është për ty. Kur e hapa zarfin e pashë se aty ishte Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar një ditë më parë në Kaçanik. Unë në atë kohë kisha pozitën e ndihmës sekretarit të Kuvendit të Kosovës.

Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990 në Kaçanik, u publikua një javë më vonë, më 14 shtator 1990, në Revistën “Zëri i rinisë”, meqë botimi i gazetës “Rilindja” ishte ndaluar nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit.

Po të tërhiqet një paralele ndërmjet deputetëve të para 30 vjetëve dhe këtyre të sodit shihet qartë se ata atëherë bënë aktin tejet të guximshëm kombëtar më 2 korrik 1990 dhe më 7 shtator 1990, duke marrë mbi vete rrezikun personal për të mirën e popullit dhe duke lënë anash çdo interes të tyre personal. Ndërkaq, deputetët e sotëm shumica po e rrezikojnë ardhmërinë e popullit dhe të shtetit për interesa të veta.