Si e ngritëm flamurin në shtëpinë e familjes së Xhozef Diogardit ?!

 

 Karakteristike është se i vetmi vendbanim arbëresh me emërtimin Katundi  (it. Greci) i përket vend-prejardhjes së ish- kongresistit amerikan me origjinë shqiptare, që sipas vet DioGuardit, ai vjen nga një familje e ushtarëve të Skënderbeut që kishin ndihmuar Mbretërinë e Napolit më 1461, ndërsa vet DioGardi ndihmoi Kosovën për disa dekada.   

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Xhozef DioGuardi apo Joseph J. DioGuardi, sapo ka mbush të 80-tat ( lindi më 20 Shtator 1940) Ai duke qenë më parë si kongresistë amerikan e tash edhe Kryetar i Ligës Shqiptaro-Amerikane, më tepër se gjysmën e jetës ia kushtoi Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.

Ndaj edhe gjatë udhëtimeve të mija në mesin e vëllezërve arbëresh, përherë preokupim kisha si dhe kur të vizitoj vendin e prejardhjes këtij intelektuali e atdhetari, që aq shumë iu përkushtua çështjes së Kosovës, duke pas përherë në krah të shoqen, Shirley Kloj Diogardi, që edhe sot e gjithë ditën, kur ka mbush të 80-tatë së ndalet së punuari për çështjen e Kosovës, por edhe asaj shqiptare në përgjithësi pasi për te shqetësim i përhershëm është çështje shqiptare në Ballkan.

Në katundin prej nga e ka prejardhjen DioGardi, u gjenda më 20 Korrik 2019, bashkë me shoqëruesit: kryetari i SHKA “Dardania” nga Winterthuri, Shefqet Cakolli; Elida Jorgonin nga Durrësi, kryetare e Shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe veprimtarin nga Lozana, Gjergj Prenkoçaj, me prejardhje nga Malësia e Madhe.

Nga Foxhia në Kampanja

Që të arrinim nga provinca e Foxhes, në Katund ( it. Greci), siç quhet katundi ku ka jetua dhe ka pas shtëpinë babai i DioGardit, nuk ishte aspak një udhëtim i lehtë, sepse navigacioni na nxjerri disa rrugëve të ngushta njëkahëshe derisa sa arritëm në këtë provincën Kampanja, ku Katundi është i vetmi vendbanim arbëresh e ku edhe më tej ruhen mjaft mirë gjuha, tradita veshjet dhe ku sheshi i tij stoliste me bustin e Skënderbeut, të përuruar viteve të fundit. Ishte kënaqësi se në Katund nuk takuam vetëm pleq por edhe të ri e nxënës, që sapo dolën nga oborri i shkollës në shesh. Ndërsa u mikpritëm edhe brenda familjeve arbëreshe, që na gostitën me pije e ëmbëlsira.

Jo vetëm individualisht por edhe përmes portalit tonë: prointegra.ch, kemi marrë si obligim moral e profesional që të vizitojmë edhe pikat më të largëta ku jetojnë vëllezërit tanë të një gjuhe të një gjaku e të një trungu, madje pa kurrfarë donacionesh e ndihmash nga askush por vetëm me shpenzime tona personale, pri nga dashuria dhe vullneti për ti takuar njerëzit tanë që na lidhin jo vetëm e sotmja por edhe e kaluara e jonë e lashtë e përbashkët.

Prejardhja nga një familje e ushtarëve të Skënderbeut

Se kemi një lidhje gjuhe e trungu këtë e dëshmon edhe vet DioGuardit, i cili thotë se prejardhja e tij vjen: “nga një familje e ushtarëve të Skënderbeut që kishin ndihmuar Mbretërinë e Napolit më qysh më 1461 ”. Banorët arbëreshë, të cilët mbërritën në shekullin XV, e quajnë qytetin Katundi, që në gjuhën arbëreshe do të thotë “qyteti, qendra e banuar”.

Ja edhe pak të dhëna për Katundin: Në vitin 1898 Greçi ose Katundi siç quhet nga arbëreshët kishte 3863 banorë, në vitin 1920 numëroheshin 3200 banorë, në regjistrimin e vitit 1951 kanë qenë në 2756 banorë, dhe në vitin 1991 vetëm 1186 banorë, sepse edhe këtu migracioni e bëri të veten, si në shumë fshatra arbëreshe. Ata ruajnë gjuhën, zakonet, doket, traditat dhe folklorin e shqiptarëve të lashtë.

Ndaj edhe me të shkelur në Katund, cak kishim shtëpinë e familjes së Diogardit, por nuk mundëm e të mos i bëjmë një vizitë edhe vet këtij lokaliteti arbëresh që ka dhënë figura të shquara në të mirë të kombit e të kulturës shqiptaro- arbëreshe. E pastaj të shoqëruar nga një vendas arbëresh vizituam edhe shtëpinë e babës së DioGardit, që tash e posedonte një tjetër pronar, e që ishte në meremetim e sipër.

Ngritja e flamurit ne ballkonin e shtëpisë së familjes DioGardi

Por ne që kishim bërë gjithë atë udhëtim nuk u përmbajtëm pa hip në katin e sipërme për të shpalos flamurin shqiptar në ballkonin e kësaj shtëpi qindvjeçare. E që për ne shqiptarët kishte një domethënie të veçantë, pasi në te kishte jetua familja e Diogardit, prej nga babai i tij  si shumë arbëresh tjerë kishte migruar në Amerikë, ku edhe kishte lindur Diogardi, i cili do të bëhet personifikim i së mirës shqiptare tash e gjysmë shekulli.