GRATË SHQIPTARE NDIHMOJNË TË PASTREHËT

Bëjmë gjëra të vogla, me dashuri të madhe

Në përvjetorin e dymbëdhjetë me radhë të manifestimit kulturor-humanitar kushtuar bamirësisë së Shën Nanës Terezë, më datën 21 tetor 2018, Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Grave të Arizonës dërguan ndihma të shumta në strehimoren “Misionaret  e Bamirësisë”, themeluar nga Nana jonë Terezë.

Jeta HAJRA, fotoreportazh nga Arizona

Një grup prej njëzet vetash (edhe nëna me fëmijë) nga Shoqata e Grave të Arizonës dërguan sasi të madhe ndihmash në strehimoren Misionaret e Bamirësisë (Missionaries of Charity), të cilën e ka themeluar Nana Terezë, gjatë vizitës së saj në Feniks (Phoenix) të Arizonës më 2 shkurt 1989. Pos  ndihmave të llojllojshme që dërgoi atje, Shoqata shfaqi një program të shkurtër artistik e inkurajues për njerëzit e pastrehë. Ishte kjo hera e parë që dikush kishte shfaqur program për ta. Të pastrehët e pritën programin shumë mirë, madje disa prej tyre edhe derdhën lot gjatë shfaqjes. Programi kishte qëllim inkurajimin për ditë më të mira, për t’u dhënë të pastrehëve forcë, shpresë dhe energji pozitive për të përballuar më lehtë situatat e ndryshme dhe për përpjekje të vazhdueshme të ndryshimit të jetës e të realizimit të ëndrrave.

Në fjalën hyrëse, Jeta Hajra tha: kjo është një ditë e bekuar për ne që kemi ardhur t’ju takojmë dhe t’ju ndihmojmë me sa mundemi.

Gjëja e parë që dua t’ju them, –  vazhdoi ajo, – është se ne nuk jemi të pasur. Shumica prej nesh kemi ardhur këtu, në SHBA, si refugjatë, vetëm me nga një torbë në krah e me fëmijë dhe shumica prej nesh pa ditur të flasim anglisht. Kemi qenë në pozitën tuaj, mirëpo amerikanët na kanë pritur jashtëzakonisht ngrohtë dhe na kanë ndihmuar shumë. Ne sot, të mëkëmbur pak a shumë, po bëjmë përpjekje për t’ju ndihmuar pakëz juve. Edhe ne e kemi pasur një periudhë të gjatë e të vështirë, por kemi punuar shumë dhe jemi munduar ta mbajmë familjen të bashkuar, jemi munduar t’i edukojmë fëmijët tanë që ata të punojnë shumë dhe të mos shkojnë rrugëve të këqija. Kemi bërë nga dy-tri punë, po ia kemi dalë. Shumica e fëmijëve tanë kanë kryer fakultet dhe i kanë punët mirë. Disa kanë vazhduar studimet edhe më tutje. Edhe sot, shumica prej nesh, ende nuk jemi të fortë ekonomikisht, por mundohemi që të bëjmë gjëra të mira, gjëra të vogla, por me dashuri të madhe, ashtu siç bënte Nana jonë shqiptare, që u bë nana e gjithë njerëzimit. Nana Terezë dhe ne kemi një gjuhë dhe një gjak. E ne, pas vdekjes së saj, po mundohemi që t’i frymëzojmë fëmijët tanë që ta vazhdojnë rrugën e saj të bamirësisë. Pra, sot jemi këtu që t’ju themi se ne mendojmë për ju, ne mundohemi t’ju kuptojmë dhe mundohemi t’ju ndihmojmë sadopak. Paçi bekimin e së Shenjtës Nanës Terezë!

Pas fjalës përshëndetëse, zonja Kristina Këlliçi dhe zonjusha Rina Hamiti recituan, e para shqip dhe e dyta anglisht, poezinë e njohur të Nanës Terezë “Jeta“, për ta parë të pastrehët dhe motrat misionare se si tingëllon gjuha e Nanës Terezë. Njëra nga gratë e pastrehë, grua shumë e dashur dhe e talentuar, e cila njihte katër gjuhë, kërkoi një fjalor të gjuhës shqipe duke thënë: – Jam shumë e interesuar ta mësoj gjuhën e Nanës Terezë. Tri të tjera të pastrehë kërkuan kopjen e poezisë së Nanës Terezë. Njëra nga to tha: – Kjo poezi më dha fuqi sot. Ma jepni një kopje, ju lutem, që kur të ndihem ligsht, të marr energji nga kjo poezi.”

Gratë e pastrehë ishin shumë mirënjohëse për vizitën e shoqatës dhe, sidomos për “programin edukativ”, siç  thanë ato. Ato ishin shumë të mira,të dashura, të mençura dhe shumë fisnike. Anëtaret e shoqatës dhe gratë e strehimores u ndanë duke u përqafuar me njëra-tjetrën. Ndërkaq, motrat Tereze vetëm punonin si bletët punëtore, pa u ndalur në asnjë moment.

Strehimorja ishte shumë e organizuar dhe shumë e pastër, falë punës së tyre. Motra Nicolin na falënderoi shumë dhe foli për peshën e programit që u bë për të pastrehët. Në fund shoqata kishte porositur  pica për të pastrehët dhe të gjithë hëngrën së bashku, duke biseduar për çështje të ndryshme.

Jeta shpeshherë është e pamëshirshme. E pabesueshme se si të gjithë ato që takuam aty ishin gra të mira dhe të mençura, shumë të sjellshme, fisnike,  por jeta i kishte përplasur aty për shkaqe të ndryshme…

Në mbyllje të këtij shkrimi, një falënderim nga zemra për miket tona dhe familjet që kontribuan në këtë veprim humanitar.

Pos falënderimit për angazhim të anëtareve të bordit të Shoqatës, falënderojmë zonjën Nora Qorri, e cila erdhi nga qyteti Wickenburg, 87 km (54 milje) larg nga Feniksi dhe solli një sasi të madhe ndihmash, falënderojmë po ashtu, në mënyrë të veçantë, Mirjada Jakun, e cila dha një ndihmë shumë të madhe për të pastrehët, falënderojmë Arben Verushin për ndihmën e tij shumë të përzemërt dhe për sigurimin e  transportit të shumicës së ndihmave, falënderojmë shumë familjen e Ryshë Hamitit, e cila për vite të tëra ka përkrahur aktivitetin tonë të bamirësisë, falënderojmë familjen Fidani. Xhesi vazhdimisht ushtron fëmijët, për t’i bërë sa më të mira aktivitetet e komunitetit tonë në Arizonë. Falënderojmë për ndihmat dhe përkrahjen edhe Suzana Rizvanollin, Vjollca Berishën, Xhevahire Bejtën, Drena Kusari-Berishën, familjet Krasniqi, Musliu, Caka e Misini, zonjën amerikane Shirley Wilson, familjen Shehu (motrat Teuta e Diana, me të ëmën Zejnepe), Doriana Pëllumbin, Ida Vulajn, Shehrije Gashin, Antoneta Ymerin, motrat Nora e Arba Hajra e të tjerët.