Osman Osmani, Zvicër, më 5.8.2020
PJESA II
Sa mund të arrihet integrimi dhe pjesëmarrja e përfshirja në jetën shoqërore, dhe realizimi i të drejtave themelore njerëzore për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, pranim-njohja e përkatësisë/ve dhe aftësive edhe përkundër faktit të kryerjes automatike apo të pashmangshme të detyrimeve e kontributeve të secilit/ës qytetar/e apo pjesëtar/e të shoqërisë, si në vendin qendror të jetesës (diasporë) ashtu edhe në atë të prejardhjes (mëmëdhe)?!
Përderisa kryerja e detyrimeve qytetare e njerëzore sanksionohet me ligj dhe në rast moskryerje zakonisht bartë me veti pasoja të ndryshme, ndër të tjera juridike, materiale e shpirtërore, realizimi i të drejtave njerëzore të proklamuara dhe në ankoruara me kushtetuta e (nën)ligje shtetërore si dhe konventa ndërkombëtare, nuk ndodh as në mënyrë automatike e as është i vetëkuptueshëm, por jetësimi i tyre nënkupton angazhim e përkushtim vullnetar dhe beteja e luftë të pabarabartë në shumë rrafshe.
Jetësimi i të drejtave themelore qytetare e njerëzore duhet bazuar në Kartën e OKB për të drejtat e njeriut, Kartën e Ottawa-s për promovimin e shëndetit. Konventa evropiane për të drejtat e njeriut, konventa e ILO-s (Organizata Ndërkombëtare e Punës), e të ngjashme.
Shkas për ketë trajtim është vendimi i Ministrit të Shtetit për Diasporën të Republikës së Shqipërisë i datës 6.6.2018, në ndërkohë i zbatuar. Vërejtjet, përvojat, mendimet dhe sugjerimet në shkrimin në vijim datojnë nga 26.6.2018 dhe janë pjesë e debatit të zhvilluar në kuadër të Organizatës GERMIN. Si të tilla mendimet në vijim – me sa di unë bashkë edhe me vërejtje e sugjerime të tjerëve – janë përcjellë më tej tek autoritetet zyrtare.
Me këtë rast – sa i përket dy vendimeve në fjalë – është dashur të respektohen disa kritere, kur kemi parasysh se në diasporën shqiptare ka një gjysmë shekulli që kanë vepruar dhe vazhdojnë panda të veprojnë individë, grupe, shoqata e organizata të krijuara dhe zhvilluara me shumë punë vullnetare, me vet financim e kontribute tjera edhe krahas punës profesionale, duke sakrifikuar edhe nga jeta familjare e koha e lirë. Anashkalimi i tyre dhe punës tejet të çmuar në dobi të komunitetit, kulturës e traditës pozitive shqiptare dhe faktikisht si ura lidhëse e pasuruese – edhe pse jo zyrtarisht ambasadorë të vërtetë dhe të përhershëm – mes popujve e shoqërive, nuk do të duhej të ndodhte edhe më tej.
Në parim janë për tu vlerësuar dy vendimet e qershorit 2018 të Ministrit të Shtetit për Diasporën, gjegjësisht:
1. VENDIM Nr. 339, datë 6. 6. 2018 PËR KRITERET DHE MËNYRËN E NDARJES SË ÇMIMIT “AMBASADOR I KOMBIT”;
2. VENDIM Nr. 340, datë 6. 6. 2018 PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR KUSHTET DHE MËNYRËN E ZGJEDHJES SË PËRFAQËSUESVE TË KËSHILLIT KOORDINUES TË DIASPORËS.
Ky fakt dhe akt juridik duhet vlerësuar si nismë e shumëpritur për të funksionalizuar e institucionalizuar diasporën shqiptare gjithandej.
Për faktin se fillimisht shumëçka është paqartë, mbetet të shpresojmë se me kohë gjithçka do të sqarohet dhe rregullohet. Megjithatë në vijim po i shprehi edhe konsideratat e mija bashkë me dilemat kritike, si edhe sugjerimet, bazuar kryesisht në përvojën e deritashme të diasporës sonë në Zvicër.
1. Sa i përket Vendimit Nr. 339 mbi ndarjen e çmimit ‘ambasador i kombit’
Nëse në parim, do të duhej të ishim të gjithë të njëjtë para ligjit/shtetit/kombit dhe të gjithë pjesëtarë të barasvlershëm të kombit/shtetit/shoqërisë, pa marrë parasysh krahinën, moshën, gjininë, profesionin, bindjet, etj., atëherë fillimisht do të duhej të bëhej një veprim përmes një akti institucional që edhe materializon këtë parim, gjegjësisht që me një dekret nga qeveria kombëtare të nënshkruar nga kryeministri dhe ministri (sipas nevojës të aprovuar edhe nga Parlamenti i vendit) të gjithë të shpallen pjesëtarë të barasvlershëm të kombit, jo së fundi për të pasur shanse të barabarta për të konkurruar e ushtruar mandate nderi edhe në diasporë, por edhe për të investuar e kontribuar në një mënyrë apo tjetrën në zhvillimin dhe përparimin e vendit amë në të gjitha fushat e mundshme që ata kanë njohuri, përvojë, … të dëshmuar. Pra, fillimisht, me një dekret të tillë, secili pjesëtarë ‘de fakto’ i diasporës shqiptare të njihet edhe ‘de jure’ si i tillë!!!
Andaj në parim, të gjithë ne, bashkë me shtetin shqiptar, përfaqësuesit dhe institucionet e saj, për mendimin tim, fillimisht, para ndarjes së mirënjohjeve e “çmimeve” për individ pretendues, do të duhej të niseshim nga parimi që secili nga pjesëtarët e diasporës shqiptare aty ku është, vepron, krijon e jeton, potencialisht dhe në perspektivë të jetë ambasador i kombit dhe shoqërisë amë (gjithmonë duke pasur si orientim të arriturat e shoqërisë njerëzore dhe duke u bazuar në parimet universale për të drejtat e njeriut,…).
Unë mendoj se institucionet e vendit amë bashkë me të gjithë ne, duhet të angazhohemi që fillimisht të bëhet një punë organizative gjithëpërfshirëse, e munguar si tepër shumë veçanërisht në këto vitet e dekadat e fundit (… organizim dhe veprim ekipor në drejtim të krimit të enëve/strukturave bashkiake dhe grupeve profesionale nga profesionistë të të gjitha fushat ekzistuese).
2. Sa i përket Vendimit Nr. 340 mbi zgjedhjen e ‘Këshillit koordinues të diasporës’
Duke pasur parasysh se pjesëtarët e diasporës shqiptare nuk kanë vetëm një ’përkatësi’ e ‘identitet’, ne dhe institucionet e vendit amë si dhe atij rezident, në asnjë rast nuk duhet të anashkalojë këtë fakt të përkatësive (dhe interesave) të dyfishta apo edhe të shumëfishta të pjesëtarëve të diasporës shqiptare. Kjo shumëllojshmëri duhet parë si resurse dhe si potencial pasurimi e jo si pengesë dhe përjashtuese.
Andaj, e mirëseardhur, bile edhe e domosdoshme, do të duhej të ishte që qysh në fillim të vihen binarët që në të gjitha aktivitetet e mundshme të pjesëmarrjes dhe përfshirjes të pjesëtarëve të diasporës shqiptare në jetën dhe zhvillimet e gjithmbarshme shoqërore, si ato të vendit rezident, ashtu edhe në ato të vendit të origjinës, të zhvillohen përmes bashkëpunimit të institucionalizuar në trekëndëshin: diasporë shqiptare – institucione të vendit amë – institucione të vendit rezident …