Vakarici apo Vaccarizzo Albanese në Kalabri ku të presin me bujari

 

Kjo qytezë arbëreshe me mbi 1300 banorë në provincën e Cosenzës në Kalabri, themeluar rreth vitit 1470, pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, një bust i lartë i të cilit nderon figurën e tij po në sheshin “Skanderbeg”, ku gjatë vizitës më 3 Mars 2019, u pritëm me shumë përzemërsi nga vakaricasët bujarë

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Pasi kishim vizituar disa nga katunde arbëreshe në mars të vitit 2019, kur sapo kaloi një autobus që lidhë këto vendbanimeve, e që në dy anët e tij ishte shqiponja dykrenare, u shfaq një tabelë me mbishkrimin: shqip e italisht Vakarici/ Vaccarizzo Albanese, e në te krahas emblemës së vendbanimit edhe një vajzë me veshje tipike arbëreshe. Dhe posa arritëm në sheshin e Vakaricës, si edhe në shumicën e fshatrave arbëreshe na priti një bust i Skënderbeut, por për dallim nga të tjerët ai ishte ngritur me shtylla në një lartësi thuaja se mbi dykatëshe.

Pas ca fotove të shkrepura aty, i bëmë një vizitë muzeut të këtushëm, ku dominojnë kostumet kombëtare, thuaja se unike në Kalabri, madje disa nga to edhe nga arbëreshët e Sicilisë por edhe trojeve etnike shqiptare tej Adriatikut. Gjatë vizitës në muzeun e Vakaricës, patëm rastin të shohim se si me një kujdes të veçantë në një nga pallatet më të vjetra të qytetit janë ekspozuar dhe ruhen kostume arbëreshe nga Jugu i Italisë por edhe nga vet Shqipëria.

 

Po në ndërtesën e këtij muzeu krahas flamurit italian valojnë edhe flamuri shqiptar dhe ai i bashkimit evropian. Po aty hasëm edhe në foto të hershme që tregojnë zhvillimet e jetës arbëreshe në këtë anë, sidomos atë kulturore kur prej vitesh Vakarici kishte edhe një bandë të vetën muzikore edhe atë në vitet 1920-1925.

Për ruajtjen e traditës së kostumeve arbëreshe në Vakarici, flet edhe vet fakti së këtu, çdo vit në Prill, zhvillohet Festivali Kombëtar i Kostumit Arbëresh. Kjo ngjarje lindi në 1982 me urdhër të papas Giuseppe Faraco dhe administratës komunale të kohës.

Festivali është një mundësi për të promovuar dhe forcuar trashëgiminë kulturore arbëreshe. Sipas një shkrimi në një revistë lokale, në ditët e ngjarjes së këtij festivali, ju mund të merrni pjesë në konferenca, ekspozita dhe sfilata të kostumeve tradicionale nga shumë komunitete arbëreshe. Për më tepër, në mbrëmje, vallëzimi dhe këndimi tradicional nga grupet e pranishme dhe shijimi i pjatave dhe ëmbëlsirave tipike.

Për fat të keq edhe ky manifestim, shkaku i pandemisë, si edhe shumë manifestime arbëreshe nuk mundi të zhvillohej vjet dhe sivjet, por të shpresojmë se në të armen do të vazhdojë kjo traditë me shumë interes jo vetëm për kulturën arbëreshe por edhe për atë shqiptare përgjithësisht.