“Drita”  e Zvicrës, një ansambël tejet i profilizuar dhe simpatik

 

  Në vazhdën e prezantimit ansambleve dhe grupeve artistike, këtë AKV „Drita“ nga Kreuzlingeni në Zvicër, që këtë muaj mbush 19 nga themelimi, duke përjetuar një rritje si në sasi ashtu edhe me cilësi, falë angazhimit jo vetëm të anëtarëve e kryesisë, por edhe të vet prindërve, që me mjete e tyre e pajisën ansamblin me kostume e instrumente- . “Drita” shquhet edhe me një bashkëpunim të mirë me ansamblet simotra shqiptare, por edhe me një bashkëpunim të mirë edhe me grupe artistike vendase

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Këtë ansambël që me 23 të këtij muaji mbush 19 vjet nga themelimi kam pas rastin ta përcjelli që nga ditët e para të themelimit. Shumica e anëtarëve u rekrutuan në këtë grup artistik si fëmijë, për tu rrit e ngrit edhe si artistë që përmes lojës së tyre përplot shije e elegancë bashkë me “Dritën”, që sot paraqet një ansambël që është profilizua si një nga grupet më të mira e të qëndrueshme në skenën artistike shqiptare në Zvicër.

Shumica e anëtarëve u rritën bashkë me “Dritën”

Disa nga ata fëmijë, që lindën në Zvicër e që nuk u ndanë asnjëherë nga vallja shqipe sot arritën deri sa të bëhen edhe koreografë apo koreografe, që para publikut i nxjerrin fëmijët apo të rinjtë, duke lënë përshtypje se ata janë rritë me lojë e traditë në vendlindjen e prindërve e jo në dhe të huaj. Pra, karakteristike është se tash edhe vet koreografët janë ish anëtarë të Ansamblit “Drita”, të cilët në saje të ndihmës që dhanë për disa vite disa nga koreografët me përvojë në Zvicër, mësuan shumë, sa sot të bëjnë një punë shumë kreative e me shije artistike.

Gati dy dekada veprimtarie, përshkuar me suksese

Pak histori sa i përket kësaj trupe artistike, njërës prej 20 e sa trupave artistike shqiptare në shtetin helvetik:: Ansambli artistik „Drita“ nga qyteti Kreuzlingenit i kantonit të Turgaut, u themelua më 23 mars të vitit 2002). Në nismën e tij “Drita” funksionoi si grup që tubonte kryesisht të ri me prejardhje nga të gjitha trojet etnike, por me një vullnet të rrallë. Nga koha që përcjelli aktivitetin e këtij ansambli, shihet se ai ka përjetuar një rritje pozitive si në cilësi ashtu edhe në sasi. Ansambli “Drita” sipas kryetarit të saj Haradin Gashi, një veprimtar i palodhshëm edhe në organizimet tjera shqiptare, tash ansambli numëron rreth 50 anëtarë aktiv, pasi që krahas grupit të valltarëve të ri, ka edhe grupin e valltarëve të vegjël, tejet simpatik dhe grupin e instrumentistëve e këngëtarëve të moshuar.

Shoqëritë dhe ansamblet tona artistike në Zvicër, pos misionit primar në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të trashëgimisë, po kryejnë edhe një mision tjetër tejet të rëndësishëm: krijimin e urave të miqësisë e bashkëpunimit me popullatën vendase, që ajo të njihet me begatitë tona kulturore kombëtare.

Këtë pohim edhe njëherë e pat dëshmuar një program i përbashkët muzikor shqiptaro- zviceran në qytetin e Goldahut, jo larg St. Galenit, më 5 Nëntor 2016, kur në skenë defiluan së bashku artistët e Ansamblit “Drita” të Kreuzlinhgenit dhe grupi artistik folklorik zviceran.

Fëmijët pjesa më e dashur e simpatike e ansamblit

Tash, si një shoqëri me një eksperiencë dhe repertor të larmishëm, “Drita” ka arritur të fitojë, jo vetëm simpatinë e artdashësve shqiptarë, por edhe të atyre zviceranë e të tjerë, por edhe që të radhitet në mesin e shoqërive më aktive shqiptare në Zvicër. Karakteristikë tjetër është se në gjirin e saj defilojnë fëmijë nga të gjitha trevat shqiptare, që ndihmon, jo vetëm afrimin e komunikimin mes tyre, por edhe afirmimin e vlerave kulturore.

Shquhet edhe grupi i instrumentistëve dhe i këngëve folklorike

Pjesë e këtij ansambli është edhe grupi i instrumentistëve dhe i këngëve folklorike , pjesë e të cilit janë prej vitesh Pal Berisha, Xhevat Misini, Bedri e Xhemile Kryeziu, një çift që me tërë familjen kanë dhënë kontribut të madh në këtë ansambël.  Pra fëmijët e kryetarit të Ansamblit “Drita” Haredin Gashi, thuaja se nga fillimi si edhe ata të familjes Bedri e Xhemile Kryeziu ishin pjesë e pandashme e këtij grupi, ku u shquan me kontribute e pjesëmarrje edhe shumë familje shqiptare të kësaj ane, që me mjete vetanake siguruan për fëmijët e tyre edhe kostumet kombëtare.

Një ndihmesë ndër vite edhe nga koreografë shqiptarë me përvojë

Përndryshe, që nga themelimi e derisa u rritën vet anëtaret për tu marr edhe me organizime e koreografi kontribut të veçantë nga ditët e para e deri vonë dhanë edhe koreografët e mirënjohur shqiptarë në Zvicër si: Mehmet Kajtazi, Nexhat Sahitaj, Rrustem Selca, Agron Bajramin dhe Arsim Berisha.

Por, për ë qëndruar në skenë ky ansambël për gati dy dekada mëria më e madhe i përket kryetarit të “Dritës”, Haradin Gashi, që asnjëherë nuk u ndalë jo vetëm për mbajtjen në këmbë dhe ecjen përpara të këtij ansambli por edhe për ruajtjen e kultivimin e bashkëpunimit edhe me ansamblet simotra shqiptare, por edhe ato vendase.

(Me këtë rast po jap fotot që kam shkrep ndër vite nga koncertet e «Drites», në koncerte e manifestime )