Urime për Ylfeten nga aktivistet dhe aktivistët shqiptar të sindikatës Unia

Letër urimi nga sindikalitët shqiptar të Unia për z. Ylfete Fanaj

Sindikalistet dhe sindikalistët shqiptarë në Unia i gëzohen kësaj ngjarje historike duke e përgëzuar Ylfete Fanajn për zgjedhjen në krye të parlamentit të Lucernës.

nga Hilmi Gashi

Grupi i aktivisteve dhe aktivistëve të grupit shqiptar të Sindikatës Unia i kanë dërguar sot një letër urimi z. Ylfete Fanaj, me rastin e zgjedhjes së saj Kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernës. Ylfetja me angazhimin e saj të vazhdueshëm në politikë shihet si shembull dhe frymëzim për tërë shoqërinë, pra edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër.

Në letrën e nënshkruar nga Kryetari Xhafer Sejdiu, mes tjerash thuhet se komuniteti shqiptar në Zvicër ka dhënë kontribut të madh për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror të Zvicrës. Ai gjithashtu i ka siguruar mbështetjen e sindikalistëve shqiptarë në punën dhe aktivitetet e saja politike.

Në vazhdim po e japim tekstin e letrës në tërësi:

E nderuar Zonja Kryetare e Parlamentit
E dashur Ylfete

Është një kënaqësi e madhe për ne në këtë ngjarje historike të të përgëzojmë për zgjedhjen Tënde si Kryetare e Këshillit Kantonal të Luzernit dhe për suksesin Tënd personal. Angazhimi Yt i vazhdueshëm për çështje politike, politizimi me shumë pasion dhe bindje sociale, është një frymëzim për të gjithë shoqërinë në Zvicër dhe në veçanti për diasporën shqiptaro-zvicerane.

Diaspora shqiptare ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror në vendin tonë, i cili vlerësohet në të gjithë botën dhe ka pasur një ndikim pozitiv në imazhin e sotëm të Zvicrës. Si aktivistë në Unia ne jemi të përkushtuar për të drejtat e punëtorëve dhe luftojmë për barazi dhe një shoqëri sociale. Qëllimi ynë i përbashkët është gjithashtu integrimi dhe promovimi i migrantëve në Zvicër dhe rregullisht organizojmë seminare dhe evenimente te ndryshme në mënyrë që të edukojmë anëtarët e diasporës sonë dhe atyre jashtë saj dhe t’i ndihmojmë ata të realizojnë të drejtën e tyre për barazi, arsim ose pjesëmarrje politike në Zvicër.
Pa dyshim Ylfete, ne ndajmë vlera të përbashkëta shoqërore dhe gjithmonë do të të mbështesim në rrugën Tënde.

Të dëshirojmë shumë sukses në rolin Tënd të ri si Kryetare e Parlamentit!

Në emër të grupit Aktivistët Shqiptarë Unia

Kryetari
Xhafer Sejdiu