Arbër Bullakaj – Shqiponja me dy zemra

938

Asnjë politikan nuk i ka mbrojtur më shumë se politikani shqiptaro-zviceran, Arbër Bullakaj, futbollistët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqirin në debatin e shumëpërfolur të shqiponjës dykrenare. Të gjithëve na kujtohet ai momenti gjatë kampionatit botëror në lojën Zvicër- Serbi, kur të provokuar nga tifozët serbë që brohorisnin “vrisni shqiptarët, dy lojtarët e përfaqësueses së Zvicrës, Xhaka dhe Shaqiri, e bënë me duar shqiponjën dykrerëshe. Gjesti kishte dy mesazhe: të krenoheshin me identitetin e tyre dhe t’i gëzoheshin fitores që ata i dhuruan Zvicrës.

Nga Vjollca Hajdari, 23 qershor 2019

Përmes lojës së shkëlqyeshme të futbollistëve tanë, Zvicra u katapultua në rangun e vendeve më të suksesshme në kampionatin botëror. Por në vend se të shkëlqente nën rrezet e yjeve zvicerane të futbollit, Zvicra vuri nën hije këtë fitore, duke demonizuar një gjest paqësor siç ishte ai i shqiponjës. A u ndikua Zvicra nga fushata propagandiste e serbëve? Po. Por a bënte Zvicra edhe vet pjesë në këtë faj? Edhe kjo është e vërtetë. “Përderisa lojtarët tonë shënojnë gola, ata janë heronjtë e Zvicrës. Por në rast se nuk sjellin rezultatet e pritura, atëherë ata janë të huaj për zviceranët”, thotë Arber Bullakaj.

Ra ky sport e u pamë
Por çfarë mund të bëhej në këtë situatë dhe çfarë na mëson kjo përvojë? Se shqiptarët ishin të papërgatitur për t’u mbrojtur dhe për të reaguar në mënyrë të organizuar e institucionale. Ditë me radhë – përveç ca qëndrimeve të pakta pozitive – lojtarët Xhaka dhe Shaqiri, u bënë cak i sulmeve mediale të shtypit dhe shoqërisë zvicerane. “Para së gjithash ata nuk ishin të mbrojtur politikisht” shprehet Bullakaj. Kjo lojë na tregon se sporti është edhe politikë. “Xhaka, Shaqiri dhe futbollistet e tjerë, ishin ata që e sollën Zvicrën në piedestalin ndërkombëtar të sportit. Por ajo që na mungon, është fuqizimi politik. Prandaj si në sport, njashtu edhe në politikë na nevojiten zërat e fuqishëm. Sportistët janë golashënuesit, ndërkaq politikanët janë portierët”, thotë politikani që ka kandiduar për t’u zgjedhur në Parlamentin Nacional të Kantonit të Sankt Gallenit.

Çfarë e karakterizon Arbër Bullakajn?
33 vjeçari që jeton në Zvicër, mishëron tipin e ri të politikanit evropian. Ai është modern, kozmopolit, inovativ, aktivist shumëdimensional në politikë, dinamik, i guximshëm dhe luftëtar i denjë i të drejtave të njeriut e sidomos atyre të migrantëve – të huaj e shqiptarë. Simpati të shumta, ai ka fituar nga gjysma tjetër e shoqërisë: gratë dhe vajzat, për të drejtat e së cilave ai angazhohet në mënyrë aktive. “Unë jam baba i një vajze të vogël trevjeçare. Si prind i një fëmijë të botës femërore, dua që nesër bija ime dhe të gjitha vajzat, që janë bijat e dikujt apo gratë që janë nëna e motra, të jenë të barabarta në çdo sferë të jetës, shprehet ai. Ca ditë më parë, ai i shoqëroi protestat e grave në Zvicër, për të cilat raportuan edhe mediat ndërkombëtare, ndër to, „The New York Times”. Por jo vetëm kjo, është çështja që e preokupon politikanin shqiptaro-zviceran. Nënshtetësia zvicerane, qëndrimi i tij social-kritik ndaj diskriminimit të të huajve, luftimi i paragjykimeve, por edhe krijimi më i ngushtë i komunikimit mes popullit zviceran dhe migrantëve, janë objektivat që ai ka.

Përse duhet zgjedhur Arbër Bullakajn?
Me zgjedhjen e politikanit shqiptaro-zviceran ne Parlamentin Nacional të Kantonit të Sankt Gallen-it, Zvicra do të pasurohet me një politikan të një fryme të re. “Unë kandidoj për në Parlamentin Nacional, sepse dua të përfaqësoj një Zvicër, në të cilën nuk ka rëndësi se prej nga vjen, kë dashuron apo çfarë ngjyre të lëkurës ke”, thotë kandidati shqiptar. Pllakatet me këtë moto janë të shpërndara kudo në kanton. Arbëri është i njohur dhe i etabluar në shoqërinë e politikën zvicerane, por ai shpreson sidomos në mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë aty. Me zgjedhjen e tij më 20 tetor të këtij viti, shqiptarët do të kishin një zë të fuqishëm që do t’i përfaqësonte ata politikisht, por edhe komunitetet tjera që përbëjnë shumëllojshmërinë e Zvicrës. Para së gjithash Arbëri do të shërbente si urë lidhëse mes Zvicrës dhe kulturave të tjera, si promotor i të drejtave të grave dhe si fuqizues politik i faktorit shqiptar. Ai do të ishte politikani i parë shqiptar, zemra e së cilit rrah për të dy vendet: atë të Zvicrës dhe Kosovës. Arbër Bullakaj do të ishte shqiponja me dy zemra.

Autorja Vjollca Hajdari gjatë një preformance publike në Berlin