Tyxharët politikë në betejën për president të vendit

Nëse nomenklatura aktuale politike, e korruptuar deri në palcë dhe me pushtet të grabitur pa votën e qytetarëve, vendos për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, atëherë Kosova nuk do të zgjedh një kryetar të shtetit, por një kryevarrëtar të demokracisë dhe shtetësisë së saj. Sepse edhe kështu kjo nomenklaturë e udhëheqjes së deritanishme Kosovën kaherë e ka sjellë në agoni

 Shkruan: Gani Bajrami

Partitë parlamentare të Kosovës, LDK, AAK dhe NISMA, bashkë me Listën Serpska dhe minoritetet e tjera, që tash e disa muaj e grabitën pushtetin pa votën e qytetarëve, po e mbajnë peng Kosovën më zi se të ishte një plaçkë lufte. Këto parti aleate të fortë e kanë edhe PDK-në, e cila ndonëse publikisht deklarohet që është në opozitë, përkujdeset përherë dhe mbase shpesh del edhe pararojë që pushteti i grabitur të mbahet me çdo kusht. Ndryshe vendi do të shkon në zgjedhje dhe sipas kalkulimeve të kapësve të pushtetit do të rikthehet në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, kundër të cilës u bënë të gjithë bashkë për ta lënë në opozitë.

Liderët e partive që grabitën pushtetin moralizojnë për çdo ditë se po e mbajnë peng pushtetin në duart e tyre, gjoja në emër të interesave të Kosovës. Ata haptas dhe pa fije turpi synojnë ta instalojnë diskursin se pa ta nuk do të nxënë dielli mbi Kosovën, se ata janë shpëtimtarët e vetëm të Kosovës, të cilën deri më tani e katandisën buzë greminës me nepotizëm, korrupsion e krim të organizuar.

Tyxharët politikë tanimë janë hedhur në betejën për grabitjen e funksionit të presidentit të vendit. Partitë dhe liderët e tyre apetitet për të marrë sa më shumë pushtet, tani i kanë orientuar drejt presidencës edhe pse Kosova de jure ka ende një president, ndërsa defakto ai këtë pozitë e ka humbur që nga momenti kur opinioni është njoftuar se ndaj presidentit të tashëm Të Kosovës, Hashim Thaçi, ka një aktakuzë të ngritur nga Gjykata Speciale. Mirëpo, Thaçi nuk dha dorëheqje, sepse është shumë i interesuar për ta mbajtur pushtetin, qoftë edhe pa pushtet faktik, deri në momentin e fundit. Ai do me çdo kusht që në pozitën e tij ta lë një trashëgimtar të besueshëm, ndërsa derisa ta mbaj fronin e presidentit të realizoj edhe ndonjë përfitim për vete, pa çka se mund të jetë konflikt interesi tash, siç ishte rasti me “kërkesën e tij drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mandati i Dhomave të Specializuara të zgjasë deri kur të bëhet njoftimi për përfundimin e mandatit nga Këshilli i BE-së”.

TURRI PËR GJETJEN E “SHPËTIMTARIT” TË KOSOVËS

Çështja e presidentit të vendit ka kohë që është hapur. Na kujtohet se këmbëngulësia e LDK-së për këtë post kishte zvarritur për shumë kohë krijimin e Qeverisë Kurti, që më pas u rrëzua me mocion mosbesimi të nisur po nga LDK-ja. Kalkulimet në skenë dhe prapaskenë u bënë nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa, dy njerëzit që deri më tash përmbysën çdo gjë që ka të bëjë me demokracinë në Kosovën e katandisur në varfëri, korrupsion, nepotizëm e krim të organizuar.

Pazaret politike dhe jo vetëm politike të pushtetmbajtësve në Kosovë i kanë shndërruar ata në tyxharë të rryer politikë, të cilët tani janë hedhur në betejën edhe për grabitjen e pozitës të presidentit të Republikës së Kosovës. Dhe, nëse nomenklatura aktuale politike, e korruptuar deri në palcë dhe me pushtet të grabitur pa votën e qytetarëve, vendos për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, atëherë Kosova nuk do të zgjedh një kryetar të shtetit, por një kryevarrëtar të demokracisë dhe shtetësisë së saj. Sepse edhe kështu kjo nomenklaturë e udhëheqjes së deritanishme Kosovën kaherë e ka sjellë në agoni.

Kosova tashmë ka një qeveri pa legjitimitet dhe në esencë antidemokratike, e cila erdhi në pushtet me minimumin e votave dhe ato të siguruara nga Lista Serpska, një votë e diskutueshme e një deputeti të dënuar dhe një tjetër e siguruara në mesnatë nga presidenti Thaçi dhe ish-kryeministri Haradinaj. Për këto dy vota Gjykata Kushtetuese e Kosovës i futi veshët në lesh edhe pse kishte kërkesa për verdiktin e saj. Kosova me këtë qeveri u ballafaqua si është më së keqi me pandeminë e koronavirusit, ndërsa tani po e kërcënon pandemia ekonomike dhe sociale.

Kosova aktualisht ka një parlament jokredibil, mbase edhe jashtë juridiksionit kushtetues. Si mund të konsiderohet ndryshe një parlament që me mbi dy të tretat e deputetëve e kanë braktisën verdiktin që ua dha votuesi, duke u rreshtuan pas intrigave e interesave personale të presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. A nuk e dogjën këta deputetë mandatin e fituar nga votuesi?! Rezoni i shëndosh thotë se me të gjitha normat pozitive kushtetuese ata braktisën mandatin që u dha votuesi dhe u shndërruan si marionetë, vegël në duart e Thaçit e Mustafës.

PRETENDENTËT PËR POZITËN E PRESIDENTIT TË VENDIT

Nomenklatura aktuale politike në kohën kur Kosova po ballafaqohet në mënyrën më të vrazhdë me pandeminë e koronavirusit dhe me pandeminë ekonomike dhe sociale që po i rri mbi kokë, ka intensifikuar veprimet për zaptimin edhe të pozitës së presidentit të vendit në stilin kush është më i forti.

LDK-ja që tash në pushtetin e grabitur është partneri kryesor në koalicion qeverisës nuk do të heq lehtë dorë nga kërkesa për ta marrë presidentin, ambicie kjo e shprehur edhe publikisht nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa, madje edhe i përmendur nga njerëzit që ka rreth vetes. Ditë më parë edhe AAK-ja ka shpallur kandidatë për president të vendit liderin e saj, Ramush Haradinaj, me arsyetimin se “është i gatshëm të marrë përgjegjësi”. Thuaja të njëjtën gjë e ka bërë Nisma me liderin e saj, Fatmir Limaj, por pa pretendime për këtë post nuk është as Behegjet Pacolli i AKR-së, të cilit në zyrën e presidentit të Kosovës në vitin 2011 i patën mbetur pa i shfrytëzuar mobilet e reja që i patë blerë, pasi Pacollin, pak ditë pas zgjedhjes e rrëzoi Gjykata Kushtetuese e Kosovës për shkak të mospërfilljes së duhur të procedurës në zgjedhje.

Është vetëm PDK-ja që ende po hesht rreth çështjes së presidentit të vendit. Lideri shpirtëror i saj, Hashim Thaçi, ende e mban atë post dhe nga ajo pozitë mundohet t’i mbajë në dorë frerët për një trashëgimtar të tij ashtu siç do ai. Thaçi duket se ka një borxh ndaj Isa Mustafës sa i përket pozitës së presidentit. Është jo vetëm bindja ime, por e shumëkujt që merr erë nga aktualiteti politikë, se Thaçi më shërbëtor të denjë se Isa Mustafa për t’ia trashëguar fronin e presidentit nuk do të gjente as brenda PDK-së së tij, sado që litari “ngreh e mos këputë” po ngrehet ndërmjet LDK-së dhe PDK-së, si për zgjedhjen e presidentit ashtu edhe për mbajtjen e pushtetit dhunshëm pa shkuar në zgjedhje.

HESHTJA E INTELEKTUALËVE, ZGJATJE E AGONISË

Pse duhet partitë politike të merren me kandidaturën dhe zgjedhjen e presidentit të vendit, kur sipas Kushtetutës së Kosovës presidenti i vendit duhet të jetë jashtëpartiak dhe njeri që përfaqëson dhe i kontribuon unitetit të popullit dhe të vendit. A mund të dalë nga kazani i ndotur i partive aktuale në pushtet dhe atyre që i vardisen pushtetit një president që do të përfaqësonte unitetin e popullit? Përgjigjen në këtë pyetje e di secili qytetar madhor i këtij vendi që ka shëndet mental.

Me rrënuesit e demokracisë dhe kapësit e pushtetit në çdo hallkë të tij nuk ka unitet. Sepse, edhe një fije uniteti nëse ka ekzistuar te Kosova dhe populli i saj, atë unitet ata e rrënuan për toke. Me politikanët e korruptuar nuk ka shpresë për të nesërmen më të mirë. Kur vdes shpresa, asnjë qeveri nuk mund të vazhdojë më tutje. Shpresa e kosovarëve u shua që kur zaptuesit e pushtetit, në pranverën e sivjetshme u bën bashkë dhe e grabitën pushtetin pa votën e qytetarëve.

Prandaj, demokracia në Kosovë ka vdekur që nga pranvera e sivjetshme dhe çuditërisht këtë nuk po e shohin shqiptarët e mjerë të Kosovës, të cilët edhe më tutje i sheh si kope delesh pas liderëve politikë, tyxharë jo vetëm të vullnetit të votës së lirë, por edhe të të gjitha të mirave materiale të Kosovës, si dhe të kufijve të saj. Këta liderë politikë me partitë e tyre u bënë bashkë për ta varrosur Kosovën, të cilën ka vite që e patën shpie buzë greminës.

Kosova dhe populli i saj sot para së gjithash ka nevojë të dalë nga agonia, në të cilën e sollën politikanët e papërgjegjshëm. Sot më shumë se asnjëherë Kosova ka nevojë për fytyra të reja dhe të pakomprometuara që mund t’ia kthejnë shpresën popullit të katandisur në mjerim e paperspektivë. Kosova ka nevojë që të ndihet zëri i intelektualëve tanë, të cilët duhet të çlirohen njëherë e përgjithmonë nga ndikimet dhe animet politike dhe të bëhen pararojë e të mirës së këtij vendi. Kosova ka nevojë për kuadro që nuk na turpërojnë në komunikim ndërkombëtar dhe para së gjithash për kuadro që dinë se për çfarë janë duke folur dhe për çfarë janë duke vepruar.