Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri hap sot “Tetorin e librit”, një muaj ndërgjegjësimi mbi rëndësinë që ka libri për një shoqëri e një kohë më të mirë.
Motoja e këtij tetori është “fjalë pas fjale”.
Përgjatë gjithë vitit 2023, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka vijuar fushatën e saj të leximit në çdo hapësirë të Shqipërisë, jo vetëm nëpërmjet aktiviteteve, por dhe nëpërmjet takimeve me botues, autorë, përkthyes, librarë, ekspertë të arsimit, për të konfiguruar të gjitha problematikat dhe diskutuar mbi mënyrën sesi mund të shfaqen ato në ndryshime ligjore, që do të bënin të mundur më shumë libra në bibliotekat tona. Po ashtu më shumë letërsi e autorë shqiptarë dhe një përdorim më të pastër të gjuhës shqipe.
Autorë, redaktorë, botues, përkthyes dhe lexues do të bëhen bashkë për të diskutuar rreth librit, nxitjes së leximit tek të rinjtë, figurën e gruas në letërsi, nobelin, publicistikën, përkthimin si dhe nxitjen e shkrimit të autorëve të rinj.
Leximi dhe politikat në shërbim të tij vijojnë të mbeten një sfidë.
Librarët dhe rrjeti i librarive, një komponent shumë i rëndësishëm, që lidh botuesin, autorin dhe lexuesin, do të jetë sërish në fokus të këtij tetori, përmes një tryeze, ku do të bëhen bashkë përfaqësues të rrjetit të librarive në vend.
Ky muaj përkon me ditëlindjen e tre poetëve të rëndësishëm të letërsisë sonë kombëtare: Migjenit, Dritëro Agollit dhe Gjergj Fishtës, të cilët përfaqësojnë tri periudha të ndryshme të historisë sonë letrare dhe lexuesve të rinj.///Prointegra.ch//rtsh/observerkult//.