Sot, në 96- vjetorin e Mësuesit Selami Kreka nga Korça, që si fanarë ndriçoi arsimin kosovar

 

Sot kur ky mësues nga Korça ka mbushur të 96-tat, që sipas gjurmimeve të mija bashkë me mësuesin Abdullah Laçi- Shabanaj nga Elbasani, 99 vjeçar, janë të vetmit në këtë botë nga qindra mësues që erdhën në Kosovë për të arsimuar popullsinë ekësaj ane.- Nga ditari i mësuesit Selami, të cilin e kam takuar disa herë në Korçë, e që për fat të keq brenda vitit e goditi rëndë vdekja e djalit të madh Yllit, të lindur derisa shërbente  në Kosovë,( ku i kishte lind edhe vajza Kaqusha) mësuam për shumë dhunë e reprezalje që ka ushtruar UDB- a jugosllave ndaj mësuesve që erdhën nga Shqipëria. Ja edhe një pjesë nga ditari i tij që u arrestua derisa shërbente si mësimdhënës në gjimnazin e parë shqiptar në Ferizaj: “  U burgosë Jani Gjini, Selami Kreka nga Korça, Kadri Blloshmi nga Pogradeci, Leci…nga Shkodra , Sali Helhyka nga Kavaja, u masakrua dhe pësoi depresion psikik Hasan Dylgjeri dhe Albert Karamni nga Elbasani, Halil Bejta nga Tirana e shumë të tjerë. Të gjithë ishin burgos për motive politike , asnjë për motive të dobëta…”

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati 

 Po cili është mësuesi, Selami Kreka?!

Nga takimi me te dhe librat e botuara nga ana tij mësova, se Selami Kreka u lind më 24. 07. 1926 në  katundin Krosnisht të krahinës së Gorës. Ndërsa që aktivitetin antifashist e filloi që në shkollën e mesme në qytetin e Korçës , për të dalë edhe partizan në mars të vitit 1943, duke marrë pjesë në disa beteja.

Në dhjetor  të vitit 1945 dërgohet nga qeveria shqiptare mësues në Kosovë , duke shërbyer në Gllogovc, në Prekaz, në Rahovec e Prishtinë dhe së fundi në gjimnazin e Ferizajt. Nga 30 qershori deri më 25 tetor 1951 qëndroi i burgosur politik nga UDB-ja jugosllave.

Me tu kthyer në Shqipëri, Selami Kreka nga viti 1956-1961 përfundon studimet në Fakultetin filologji-histori në Tiranë, prej nga kthehet mësues në shkollën e mesme të qytetit të Korçës ku shërben deri në vitit 1982. Z. Selami Kreka është edhe autor i disa librave me karakter historik e didaktik, disa nga të cilat edhe na i dhuroi gjatë vizitës në Korçë vite më parë bashkë me një delegacion në krye me ish- kryetarinMuharrem Sfarqen. Gjatë kësaj vizite mësuesi Selami pat theksuar se vetën e ndien sa korçar aq edhe kosovar, pasi në Kosovë edhe e filloi karrierën e tij prej edukatori e arsimtari, ndonëse në moshë djaloshare.

Kujtimet e mësuesit Selami Kreka nga shërbimi si mësues në Kosovë

Në vitin 1945 në «Në Kursin veror të studentëve ushtarak» nga Qeveria shqiptare u kërkua të dalin vullnetarë për të shkuar në Kosovë si mësues . Shprehja e vullnetit për të shkuar mësues vlerësohej njësoj si pjesëmarrje në luftë për çlirim , por tani në një fushë tjetër, në fushën e arsimit , kulturës dhe emancipimit shoqëror.

Shumë studentë u solidarizuan me thirrjen e Ministrisë së arsimit, duke konsideruar këtë akt të shenjtë dhe ndihmë sa njerëzore, aq edhe vëllazërore.

Thirrja : Mbas mbarimit të klasës ju bën thirrje pjesëmarrësve të kursit: “Zëri i Atdheut ju fton për një mision tjetër të rëndësishëm , jo për të luftuar me armë, por për të dhënë mësim në gjuhën shqipe atje ku ka nevojë mëmëdheu. Kosova ka nevojë për ju”,

Mbi 100 veta dualëm vullnetar , shumica prej tyre kanë qenë oficer ushtarak në Tiranë. Në atë kohë besohej , se midis dy vendeve kishte miqësi të sinqertë, por u zhgënjyem.

Para se të niseshim në Kosovë, përfaqësuesi i Qeverisë, i dërguari i Ministrisë së arsimit përshëndeti duke uruar : Rrugë të mbarë! Kosova e Isa Boletinit , Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Azem e Shote Galicës do të bashkohen me Shqipërinë . Titoja do t`ia kthejë Kosovën Shqipërisë. Ju jeni kuadrot e parë që çoheni nga Shqipëria.

Udhëtimi: Ishte fillimi muajit dhjetor 1945. Me dy kamionë nga Tirana u nisëm në Kosovë, të shoqëruar nga një përfaqësues i ardhur nga Prizreni. Kaluam Qafën e Thanës, Strugën, Ohrin, Manastirin , Shkupin, Ferizain dhe arritëm në Prizren, i cili në atë kohë ishte kryeqendra e Kosovës.

Në pritje të mësuesve u paraqit Xhavit Nimani, një nga krerët e Krahinës. Ai na grumbulloi në një sallë, uroj për mirëseardhjen dhe dha një informacion për situatën në Kosovë. Midis tjerave tha: “Jugosllavia e Titos është shteti më i fuqishëm dhe më demokratik ne¨Ballkan . Ka dëshirë të bashkohen shtetet e Ballkanit në një federatë. Amerika dhe rekcioni botëror synojnë ta dobësojnë e ta copëtojnë Jugosllavinë. Një rrezik për Jugosllavinë e përbën edhe irredentizmi shqiptar. Ai përkrahet nga reaksioni i brendshëm dhe i jashtëm, nga Anglo-Amerikanët , të cilët janë kundër vëllazërim bashkimit të popujve të Jugosllavisë”.

Bujaria Kosovare : Populli i priti me krah në qafë, me bujari e fisnikëri kosovare. U plotësonte çdo nevojë, i adhuronte si njerëz të shenjtë të ardhur nga qielli. Bazën kjo dashuri e kishte te ideali i tyre i zjarrtë , shpirtëror për “ Nënën Shqipëri”. Ata kishin besim te mësuesit nga Shqipëria dhe tregonin çdo problem e brengë që kishin në zemër. Pyesnin: “ Pse ikën Brigadat e UNÇLSH NGA Kosova? ; “Pse na latë të na vrasë e therë “shkau” ? “Kosovën e pushtuan ushtria serbo-sllave e përzierë me elemente antishqiptar. Kriminel të armatosur në mes të natës thyenin dyert e shtëpive të shqiptarëve e hynin brenda me dhunë, rrëmbenin burrat, i nxirrnin jashtë ndërtesës dhe i pushkatonin; ekzekutonin  njerëz të pafajshëm pa i gjykuar .

Vendasit argumenton  se ka patur raste kur në mes të ditës , persona serb , të paidentifikuar kur shkonin rrugës shqiptar me qylaf të bardhë i qëllonin me armë zjarri pas shpine dhe i vrisnin . Psh. Në katundin Gllobar të Drenicës kanë pushkatuar 18 banorë, në Gllogoc 10 fshatarë dhe me radhë në çdo vend kryenin vrasje.

Kosovë:Më 20 Nëntor 1945 në Kosovë organet e sigurimit jugosllav ndaluan ceremoninë përkujtimore të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë  më 1912 dhe përdorimin e Flamurit Kombëtar…

Në vitin 1945- 1946 në Kosovë filluan të kthehen kolonët sllavë , të cilët ishin larguar vullnetarisht nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pushteti vendor i atëhershëm i detyronte shqiptarët të bënin punë angari për serbët, t`u ndërtonin shtëpi të reja kolonëve , t`u punonin tokat bujqësore dhe çdo gjë tjetër.

Në vitin 1948 UDBE-ja e Rankoviqit filloi ti lajë hesapet me shqiptarët. Rezoluta e Informbyrosë të atij viti ishte vetëm për të akuzuar , për të bërë spastrime dhe për ti ç ‘farosur ata . Të gjithë ishin të mbikëqyrur, po endej pëlhura e merimangës për ti shtënë në kurth, për të kryer krime misterioze. Puna e UDB-së shtrihej zinxhir. U bën spastrime në administratë, në arsim dhe në ushtri. Filluan arrestimet, burgjet mbusheshin plot e përplot ditën, ndërsa natën boshatiseshin dhe dërgoheshin nëpër kampe , torturimi apo shfarosës.

Dhimitrije Kolkoviç, shef i UDB-së për Kosovën, Prishtinën, vrau në mes të ditës në zyrën e vet , profesorin e historisë Xheladin Hanën, madje vrau Rifat Berishën deputet në Kuvendin e Jugosllavisë , pjesëmarrës në Konferencën e Bujanit në 1943. Vrau Feta Klunen në katundin Poklek të Drenicës, kapiten i parë në ushtrinë jugosllave. Shumë shqiptarë të pafajshëm u arrestuan e u masakruan me akuza të montuara si armiq, irredentist, fashistë, informbyroist e të tjera.

Trajtimi: Ne arsimtarët që shkuam në Kosovë, na u ndërpre lidhja me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë. Ndërsa, që populli i Kosovës mësuesit nga Shqipëria i trajtonte si pjesëtarë të barabartë në familjet e tyre, i kishin njerëz të zemrës, i donin i ndihmonin dhe respektonin. Organet e UDB-së i shikonin me sy të dyshimtë dhe ushtronin kontroll, bëhej propagandë demagogjike për vëllazërim- bashkim me popujt e Jugosllavisë, duke e lënë me një anë lidhjet e gjakut të shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë.

Më 1948 marrëdhëniet me Shqipërinë u prishën, lidhjet me shtetin shqiptar apo me Ambasadën shqiptare në Beograd qenë të pamundura, kufijtë u mbyllën me Shqipërinë. Mësuesit u izoluan, nuk lejohej qarkullimi nga një vend në tjetrin pa leje të posaçme nga organet e brendshme. Më vonë filluan të pushojnë nga puna , të arrestojnë të dyshuarit dhe në fund kur hapi kufijtë i dëboi nga Jugosllavia dhe Kosova.

U burgosë Jani Gjini, Selami Kreka nga Korça, Kadri Blloshmi nga Pogradeci, Leci…nga Shkodra , Sali Helhyka nga Kavaja, u masakrua dhe pësoi depresion psikik Hasan Dylgjeri dhe Albert Karamni nga Elbasani, Halil Bejta nga Tirana e shumë të tjerë. Të gjithë ishin burgos për motive politike , asnjë për motive të dobëta.

Qeveria shqiptare e asaj kohe i dërgoi nota proteste Qeverisë jugosllave për arrestimin e paligjshëm dhe trajtim të keq të shtetaseve shqiptarë në Jugosllavi. Nëpërmjet radios e shtypit shqiptar demaskoi dhunën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të shtetaseve të vet , sensibilizoi opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për këto veprime të pandershme.

Prangosja. Ka qenë 30 qershor 1950, rreth orës 9 të mëngjesit. Nxënësit e gjimnazit të Ferizajt kishin filluar pushimet verore. Në klubin kryesor të qytetit kishte plot njerëz, dikush pinte çaj, dikush kafe , apo ndonjë pije tjetër. Në ato momente hynë brenda në klub 3 oficerë të UDB-së, nga ta njëri me revole në dorë, dy të tjerët e shoqëronin. Më prangosën mua , mësuesin e gjimnazit në sytë e publikut. Në klub ra një hije e zezë, një heshtje, si në vdekje, fytyrat e klientëve u nxinë, disa u verdhën, u gërshetua keqardhja për mësuesin dhe urrejtja për UDB-në.

Në hetuesi. Mbas tri dite qëndrimi në birucë, me gjatësi dy metra e gjysmë dhe gjerësi një metër e gjysmë, pa dritare, pas shumë pyetjesh dhe kërcënimesh filloi veprimin hetuesi. Ai ishte një djalë rreth 26 vjetësh, i pashëm, pak si i qeshur. Ishim vetëm për vetëm. Prapa derës qëndronte një polic me automatik në krah. Hetuesi përpara në tavolinë kishte një makinë shkrimi, në krah të djathtë mbante një letër, shikonte fletën e letrës dhe pyeste, përgjigjet i shënonte në procesverbal. “Kush ju ka dërgua në Kosovë? Ku ke shërbyer?” e një sërë pyetjesh të tjera. Në fund më ve procesverbalin përpara për ta firmosur. Mbas nënshkrimit të procesit me të qeshur rekomandon : “Është në interesin tuaj që deponimet e dhëna, që në rast se pyeteni përsëri të mos i ndryshoni”. Nuk dihej se ku e kishte fjalën, ishte e habitshme, por një gjë ishte e qartë , se ai u sjellë me kulturë.

Më vonë mësova se hetuesi paska qenë me origjinë nga qyteti i Mostarit të Republikës së Bosnje- Hercegovinës i cili më vonë u arrestua.

Dhuna.  Mbas dy muaj burg, një mbas dite vjen në qeli, rreth orës 16.00 shefi i UDB-së për rrethin e Ferizajt, Rajkoja….( fjala është për Rajko Vidaçiqin, shënimi plotësues i R. R) i shoqëruar me një polic. Më buzëqeshi me ironi e tha: “Ne të lirojmë nga burgu, por këtë e ke vet në dorë, po të tregosh të vërtetën”. UDB-ja përdorte disa forma studimi për të njohur vetit personale të të burgosurve: Nëse është i dhënë pas familjes dhe fëmijëve, nëse mund të blihet me para, në se ka frikë, nëse i pëlqen alkooli, udhëtimet, sportet e tjera. Kështu e filloi bisedën Rajkoja : “Ju keni grua e një vajzë të vogël, besoj se iu ka marr ta përqafoni e ta puthni!?”.

Rajkoja: A e njeh A. Karamanin dhe A. Bejtën , ata ju kanë denoncuar për veprimtarinë tuaj propagandistike antijugosllave.

-E keni gabim shef! Nuk di gjë. I njoh fare mirë, kemi ardhur vullnetar nga Shqipëria në Kosovë, s`kam ç`ju them tjetër. Më ballafaqo. Rajkoja u skuq në fytyrë e u egërsua , sytë iu çakërriten e u bë si bishë e egër, flokët iu ngritën përpjetë si të iriqit dhe shau me fjalë rrugaçërie. “ Jebem të albansku majku , koj je ushao u nashim zatvorima i nije priznao ?” ( Ta bafsha nënën shqiptare , kush ka hyrë në burgjet tona dhe s`ka pranuar?!”. Nxjerr revolen nga brezi dhe qëllon me myllin e saj me forcë në rreze të veshit prapa kokës me sa fuqi që kishte dhe më shtriu për dhe. Ngrihem në këmbë i gjakosur , i zemëruar, i prekur në ndjenjën kombëtare dhe i përgjigjem me të njëjtin fjalor. Ta bëfsha nënën serbe . Unë nuk kam patur frikë as nga nazistët e jo nga ju, qëllo o fashist!

Në orën tetë të mbrëmjes të asaj dite shoqërohem përsëri në zyrën e shefit Rajko. Në ballë të tavolinës qëndronte Rajkoja, përkrah tij anash ishin dy oficerë UDB-eje. Ata pyesnin: I pandehur … Në shenjë proteste nuk u përgjigjem . Udbashët u zemëruan dhe filluan të më goditnin me grushta e shqelma, ku të mundeshin dhe ku të donin. Mbasi mbaroi dhuna agjentët më nxjerrin në ballafaqim me mësuesin Albert Karamanin . Ai ishte me njollë, njolla të zeza në fytyrë , me sy të nxirë dhe të futur thellë, mezi qëndronte  në këmbë, ishte torturuar për vdekje.

      -Folë! E urdhërojnë Albertin.

     -S`kam ç`farë të them. U përgjigjet ai . Kemi ardhur te ftuar e po na trajtoni si kafshë! 

E kapin me shkelma Albertin dhe e nxjerrin nga zyra. Qindra kosovarë janë gjymtuar nga torturat. Një mësuesi nga Ferizaj i kishin thyer krahun, qindra të tjerë janë pushkatuar.

Në muajin e katërt të prangosjes vijnë dy udbashë nga Beogradi për të bërë presion, njëri ishte shqiptar E.N. Përsëri filloi presioni. 24 orë duart lidhur prapa, pa gjumë , me gojë të tharë, buzë të plasur dhe zë të ngjirur. Shqiptari dukej burrë serioz, po s`kishte s’bënte mbi krye kishte ustanë. Pyetën ç ‘nuk pyetën, kishin survejuar që nga arritja në Kosovë në vitin 1945 e deri në vitin 1950 kur më arrestuan.

Errësira në qeli ishte pothuajse e plotë, mbahesha vazhdimisht i mbyllur. Mungonte ngrohja, uji, dhe higjiena elementare, manjë të madhësive të ndryshme qarkullonin sa në një anë në anën tjetër. Kjo bënte që këto biruca të ishin një ferr i vërtetë.

Prishtinë 16 muaj burg , gjashtë në qytetin e Ferizajt dhe 10 muaj në burgun e Prishtinës.

Veprimet e paligjshme, mungesa e procesit gjyqësor, gjendja shëndetësore e keqësuar , më detyruan në shenjë proteste të hidhem në grevë urie. Ishte i vetmi mjet për të protestuar dhe qetësuar vetën. Dy ditët e para trupi duron, nuk ka shqetësim , ditën e tretë organizmi mpihet, pamja fillon të errësohet, të duket mjegull përpara , as qëndron dot në këmbë të merren mendtë. Humbet dëgjimin dhe oreksin për ushqim dhe ujë.

(Me këtë rast, disa nga fotot nga takimet me mësuesin Selami Kreka: gjatë vizitës me delegacionin nga komuna e Ferizajt dhe nga një vizitë bashkë me gjeneratën time të normales së Ferizajt, tash të gjithë të pensionuar)