Sot 80- vjet nga Shqipëria arriti në Kosovë misioni i parë shkollor

 

Me vendimin e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit, pikërisht sot 80 vjet, më 13 Korrik 1941, në Prizren arriti Misioni i parë shkollor në Kosovë, në krye me Ali Hashrovën, shoqëruar nga 70-80 arsimtarë, i cili në raportin e parë dërguar shtetit shqiptar shkruantese:  “Kudo që vajtëm na pritën me gëzim e entuziazëm sikur po u zbriste Perëndia nga qielltë”.- Sot në këtë përvjetor për ngjarje madhore për arsimin dhe popullin e Kosovës, nuk pati asnjë eveniment, me përjashtim të TV “Temës” në Ferizaj, ku pata një bisedë në këtë temë

Shkruan: Rexhep Rifati

Sipas shënimeve që kam arritur të tuboj: Në një mbledhje të Ministrisë së Arsimit të asaj kohe u vendos të dërgohej një Mision Shkollor për të hapur kurse e shkolla shqipe në Kosovë e në vise të tjera të Jugosllavisë të banuara nga shqiptarë. Në mbledhje, Ali Hashorva kërkoi të ishte anëtar i misionit. Ministria e pranoi kërkesën e tij dhe e caktoi kryetar të misionit. Ajo caktoi dhe 70-80 arsimtarë të tjerë për t’iu bashkuar atij misioni, shumica kosovarë, që kishin studiuar në Shqipëri ose jashtë saj me bursë shqiptare.

Hashorva, i diplomuar në Firencë për filozofi – pedagogji

Ja se si e përshkruan arritjen e këtij misioni, vet kryetari i parë i këtij Misioni Shkollor, Ali Hashrova, “që kishte mbaruar studimet në Firencë për filozofi – pedagogji, në vitin 1933 u caktua të jepte mësim në shkollën normale të Gjirokastrës … ndërsa në vitin 1938 , caktohet drejtor të shkollës normale të Elbasanit”, në mënyrë që vetëm tri vjet më vonë të jetë në krye të këtij misioni me përmasa dhe peshë të jashtëzakonshme arsimore e kombëtare:

Na luteshin që të mos i “mashtrojmë” t`u thoshim të vërtetën…!  

“Kudo që vajtëm na pritën me gëzim e entuziazëm sikur po u zbriste Perëndia nga qielltë”, -me këto fjalë fillon raporti i parë që kryetari i Misionit të Jashtëzakonshëm për hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe në Kosovë, Ali Hashrova, i dërgonte shtetit shqiptar më 25. 7,1941- “Na turreshin nga prapa  si të dehur duke na pyetur : “Kur po na vjen Shqipnia , kur po na vijnë mësueset e Shqipnisë?” ose : “Kur po na vjen Albania?”e na luteshin që të mos i “mashtrojmë”, t`u thoshim të vërtetën…Fryma shqiptare po buçet në të gjitha anët e Kosovës . Sundimi i rëndë serb jo vetëm nuk e ka përulur shqiptarësinë e krenarinë e këtij populli, por e ka forcuar ca më tepër. Burrat e mëdhenj e trimat legjendar të luftërave të Skënderbeut këtu  i kemi të gjallë përpara syve, te hedhur nga shtati, të drejtë nga trupi, të lehtë në lëvizje.. Tirania serbe nuk ka mundur ta prek fort as gjuhën shqipe, e cila flitet kudo e bukur dhe e virgjër, sikur ka qenë folur që në kohët e para ”

Paraprakisht, përmes një vendimi Ministri i Arsimit, Ernest  Koliqi, të datës 23 Qershor 1941 i drejtohet Ali Hashrovës, ku ndër të tjerë i bën me dije se anëtarë të këtij misioni që do të drejtohen nga Hashrova janë:

1) Jonuz Blakçori, Profesor i Shkollës së Punës, Tiranë

2) Abdurrahim Buza, Profesor në Liceun e Tiranës,

3) Flora Pali, mësuese n`Institutin Donika Kastrati

4) Shaban Arra, Inspektor`i Arsimit t`Kosovës

5) Zef Pali , mësues i gjuhës shqipe në Liceun e Shkodrës

6) Xhavit Nimani, mësues në qarkun e Kosovës dhe

7) Fadil Haxhihoxha, mësues në qarkun e Kosovës

Në një shkrim ekskluziv, në qershor 2016, të Ilir Hashorvës,( të birit të  Ali Hashrovën) në 75 vjetorin  e punës së këtij Misioni, bëhet me dije se i ati i tij  “, me të arrit në Kosovë, : “Më 9 Shtator 1941, Ali Hashrova dërgon një raport mbi Gjendjen Arsimore të Kosovës. Sipas tij në atë kohë kishte 2012 shkolla fillore me 30.000 nxënës 491 mësues. Kishte tre gjimnaze: i Prizrenit me 579 nxënës, prej të cilëve 83 shqiptarë; i Pejës me 998 nxënës, prej të cilëve 71 shqiptarë; i Prishtinës me 871 nxënës , prej të cilëve 25 shqiptarë. Në të gjitha shkollat e mesme të Kosovës mësonin vetëm 276 nxënës shqiptarë”.

Në vitet 1941-1944, në Kosovë – 300 mësues nga Shqipëria 

Më tej në shkrimin e Ilir Hashrovës thuhet se : “Një vit Ali Hashrova punoi dhe jetoi familjarisht në Kosovë. Ajo punë njëvjeçare hodhi themele të shëndosha për veprimtari gjithnjë e më premtuese për ata që do shkonin më pas. Pas grupeve të para të mësuesve, shkuan në Kosovë edhe grupe të tjera. Deri në fund të vitit shkollor 1943-1944, atje shkuan rreth 300 mësues. Nuk ishte pak për kohën”…

Ja edhe shkresa e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, dërguar Ali Hashorvës, ku shkruhej:

  Zotni Ali Hashorvës,

  Antarit t’Inspektoris s’Epërt

  Për me studjue gjendjen arsimore simbas programës qi përshkruhet ma poshtë në Kosovën e lirueme, kam vendosë me dërgue atje nji mision shkolluer te jashtëzakonshëm.

  Si kryetar të këtij misioni kam caktue zotnin t’Uej, mbasi, mbështetun në provat qi keni dhanë në të kryemit e detyrave të ndryshme, qi ju kam ngarkue herë pas here, kam besim të plotë se do t’ja dilni në krye si ma mirë edhe kësaj pune kaq të randësishme nga çdo pikpamje.

 Veprimtaria e Juej qi do të zhvillohet në Kosovën e lirë përmbledh studimin e gjendjes s’Arsimit Filluer e të Mesëm si dhe rregullimin e kurseve verore për gjuhën shqipe për të mëdhej e të vegjël.

Antarët qi kanë me bashkëpunue me  Zotnin t’Uej janë:

Jonuz Blakçori, Profesor i Shkollës së Punës, Tiranë.

Abdurrahim Buza, Profesor në Liceun e Tiranës.

            Zoj.   Flora Pali, mësuese n’Institutin Donika Kastrioti.

Shaban Arra, Inspektor’i Arsimit t’ Kosovës.     

Zef Pali, mësues i gjuhës shqipe në Liceun e Shkodrës.

Xhavid Nimani, mësues në qarkun e Kosovës.

Fadil Haxhihoxha, mësues në qarkun e Kosovës.

  Të gjithë këta Zotni mvaren dhe do të drejtohen prej jush në të kryemit e punëve të ndryshme qi do t’u ngarkoni. Po kështu, varen prej jush edhe mësuesit, qi do të dërgojmë s’afërmi për kurse verore të gjuhës shqipe për të mëdhej e të vegjël. Zotni mësuesve keni me u a caktue po ju vendet e shërbimit.

  Ju uroj të gjithëve punë të mbarë në të kryemit e kësaj detyre të shenjtë kombëtare e me randësi historike.

  Ministri ERNEST KOLIQI

  Tiranë 23.6.1941

Ja edhe disa të dhëna periudhën 1941-1945, në kushtet kur arsimi u drejtua e u financua direkt nga Qeveria Shqiptare, e që la gjurmë të pashlyeshme dhe themele të qëndrueshme, të cilat bënë të mundur që intensiteti i kësaj pune të vazhdojë deri më 1948, duke mbrojtur shkollën dhe gjuhën shqipe nga sulmet serbo-sllave.
Pas vitit 1947 qëndrimi për eliminimin e arsimit shqiptar ka qenë permanent. Që në qershorin e vitit 1948 Qeveria Jugosllave largoi e dëboi nga Kosova për në Shqipëri 714 mësues të ardhur nga Shqipëria në Kosovë nga viti 1941 e më pastaj.

Nga personeli mësuesve të viteve 1941-1951, që shërbyen në Kosovë, u vranë ose u varën 25 mësues nga të cilët dy lumjanë të Kukësit, u burgosën në kampet e internimit në Jugosllavi, por edhe në Shqipëri, 252 mësues e profesorë dhe 45 të tjerë që u dëbuan nga vendlindja për në Turqi, Greqi e deri në Australi.
Pavarësisht nga të gjitha konsekuencat që kanë ndodhur e mund të ndodhin si, deri te helmimi e masakrimi i nxënësve nëpër shkolla në Kosovë, arsimi ynë kombëtar ecën e do të eci në trasenë e zhvillimit mbarëkombëtar, ku arritjet e qëndrueshme të integrimit në arsim e sidomos në kulturë e në shkencë përbëjnë bazën e integrimeve edhe në fusha të tjera.
Gjatë viteve 1941-1944 arsimi në Kosovë punonte në bazë të ligjeve dhe rregullave arsimore të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, të cilën e udhëheqtë fillimesh Ernest Koliqi. Kjo ministri përcaktoi detyrat e Drejtorisë së Arsimit, të inspektorëve të arsimit, drejtorive didaktike, këshillave shkollorë, si dhe komisioneve shkollore. Po ashtu kjo Ministri merrej edhe me studimin e programeve mësimore, teksteve shkollore, si dhe me nevojat e tjera që mund të dilnin gjatë punës.

Fotografia e parë: Ali Hashorva, ndërsa fotografia e dytë: është marrë më 13 korrik, 1941, në Prizren. Në të janë një pjesë e anëtarëve të misionit shkollor. Në rreshtin e parë në këmbë, i katërti nga e majta, me duar të kryqëzuara, është kryetari i misionit, Ali Hashorva, Në mesin e fotove edhe disa müësuesm nga Shqipëria bashkë me mësuesen Vezire Gjuraku, mësuesen e Adem Demaçit.