Intervistë me bashkatdhetarin Sokol Demakun, që jeton dhe punon në Suedi: Pa dije nuk ka jetë!

Sokol Demaku është gazetar, poet, prozator, pedagog, botues dhe redaktor. Ai ka lindur më 1954, në Drenicë, Kosovë. Shkollën e mesme pedagogjike e kreu në Prishtinë. Përfundoi studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Prishtinës, më 1977. Nga viti 1977 deri më 1984 ka qenë mësues në Kosovë dhe nga viti 2005 deri më 2008 ka qenë mësues ndihmës dhe mësues i gjuhës amtare në komunën e Boråsit, Suedi.  Është krijues i mirëfilltë dhe bashkëpunues.  

 Ai është anëtar aktiv që nga viti 2011 në Lidhjen e Shkrimtareve te Suedisë dhe në Shoqatën Regjionale perëndimi FCV në Goteborg nga viti 2011, njëkohësisht edhe në PEN-nin suedez. Ka studiuar për pedagogji edhe në Universitetin e Goteborgut. Punon si mësues në një shkollë fillore në Borås. Është gjithashtu botues i revistës kulturore “Dituria” në Borås dhe i një radio stacioni lokal në shqip të quajtur “Radio Dituria”, dhe i një kanali televiziv në TV Shqiptar Dituria që transmeton programin përmes Open Channel në Goteborg. Gjithashtu ka punuar si gazetarë i pavarur në Radion e Suedisë. Shkruan tregime dhe poezi për të rritur dhe fëmijë, por mbi të gjitha përkthen letërsinë suedeze në shqipe dhe letërsinë shqipe në gjuhën suedeze dhe ballkanike.  

 Ai ishte i përfshirë në shumë projekte të ndryshme kulturore dhe bashkëpunon me kulturën mbi të gjitha kulturën në perëndim me seli në Göteborg, FCV, qytetin e Borås dhe me disa shoqata kulturore letrare të ndryshme. Përkthimi i tij “Fakulteti i ëndrrave” nga Sara Stridsberg nga suedishtja në shqip ishte një sukses i madh në Shqipëri. Ka çmimin kulturor për letërsi në vitin 2021 ”Kultura në Perëndim”, dhe dy herë bursë për përkthim të letërsisë suedeze ne gjuhen shqipe nga ”Lidhja e Shkrimtarëve te Suedisë”. 

 Projektet e juaj mbi shkollat shqipe në Maqedoninë e Veriut, nga erdhi kjo ide dhe si i zhvillua? 

Që nga viti 2016 unë kam fillua një bashkëpunim me shtëpinë botuese ”Shkupi” nga Shkupi në përkthimin e letërsisë suedeze në gjuhën shqipe, pasi jam përkthyes dhe merrem me përkthimin e  librit nga gjuha suedeze  në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, e ky ishte fillimi edhe i bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë  së Veriut. Në vitin 2017 isha me katër poet suedez dhe pesë poet shqiptar nga Suedia në promovimin e  librit të radhës të përkthyer në shqip dhe botua nga Shtëpia botuese ”Shkupi” dhe me këtë rast shtëpia botuese ”Shkupi” kishte organizua një takim me fëmijët e shkollës fillore ”Adem Jashari” në Çair. 

Ky ishte takimi im i parë me nxënës të shkollave fillore këtu e që ka vazhduar për çdo vit kur ishim në Shkup. Vitin tjetër bashkëpunimi me shkolla është zgjerua dhe këtë vit kemi vizitua edhe gjimnazin ”Zef Lush Marku” në Shkup. Për çdo herë pra çdo vit dhe në çdo vizitë ne kemi performuar për nxënësit, dhe bibliotekave të shkollave iu kemi dhuruar libra në gjuhën shqipe, po ashtu edhe nxënësve pjesëmarrës në aktivitet, çka për ne është një punë e madhe dhe e frytshme që të zhvillojmë aftësinë e të lexuarit të fëmijët. 

Si u mirëpritët në Maqedoninë e Veriut? 

Mikpritja këtu është fantastike, këtë them nga biseda që zhvilloj me miqt  e mi suedez të cilët për çdo vit janë të gatshëm të jenë pjesë e grupit që viziton Shkupin, shoh se edhe fëmijët e shkollave fillore por edhe të mesme janë të kënaqur me prezencën tonë dhe prezantimin e librit në mjediset e tyre. 

Ne jemi të kënaqur më këtë dhe besoj se do vazhdojmë edhe tutje me aktivitete të tilla kur kemi të bëjmë me ”Javën e letërsisë suedeze në Shkup”. 

 Sa shkolla në gjuhën shqipe janë të zhvilluara në Suedi? 

Shkollë në gjuhën shqipe në Suedi nuk ka, por ka mësim të gjuhës shqipe në shkolla suedeze, dhe atë një orë në javë, por sipas interesimit të numrit të nxënësve mund edhe të rritet interesimi, nga një orë në pesë. 

 Është plan programi mësimor i punuar nga Enti i Shkollave të Suedisë edhe për lëndën e  gjuhës amtare në të cilin  plan program përfshihen të gjitha lëndët mësimore. 

 Mësuesin e lëndës së gjuhës amtare e punëson shkolla dhe ai merr pagë mujore sikur çdo mësues tjetër suedez. Njashtu shkolla siguron pa pagesë materialin  shkollor për të gjithë nxënësit, sikur për lëndët tjera mësimore,  dhe e gjitha kjo pra edhe mësimi është pa pagesë duke ju falënderua komunave suedeze, ku gravitojnë shkollat fillore suedeze e ku në kuadër të tyre zhvillohet mësimi i gjuhës amtare. 

 Sa kontribut të madh ka gjuha shqipe në Suedi? 

Në Suedi ka mbi 60.000 shqiptar, të cilët në një mënyre apo tjetër përdorin për komunikim gjuhën shqipe edhe pse këtu flitet gjuha suedeze, por njerëzit në komunikim mes vete kanë të drejt të flasin gjuhën amtare, pastaj në familje, ndejat familjare apo edhe në kuadër të shoqatave kulturore përmes të cilave ruhet kultura, gjuha dhe tradita shqiptare. 

 Sa shoqata kulturore ka në Suedi dhe ato janë bartëse të aktiviteteve kulturore? 

Po ka, madje një ndër ta është edhe Qendra Kulturore Shqiptare ”MIGJENI”,  në kuadër të së cilës funksionojnë shumë seksione kulturore e letrare. Në kuadër të saj ka shumë poet e shkrimtar si dhe përkthyes eminent. Katër prej këtyre shkrimtareve janë anëtar të Lidhjes së Shkrimtareve të Suedisë dhe një anëtar i Lidhjes së Përkthyesve ku ata edhe atje zhvillojnë aktivitetin e tyre letrar. 

 Sa përfillen të rinjtë shqiptar në Suedi? 

Te rinjtë kanë një trajtim të veçantë në Suedi, sepse vet shteti investon në ata, ata kanë mundësi të jenë në shoqata të ndryshme kulturore e sportive dhe kanë kujdesin e shtuar nga vet komunat dhe shoqatat kulturore e sportive. 

Çfarë mendimi keni për të rinjtë që lëshojnë vendin dhe marrin rrugët e kurbetit? 

Kurbeti është një plagë e rëndë e shoqërisë sonë dhe ka rrënjët nga kohë  të kaluara e që edhe sot e kësaj dite na përcjellë vazhdimisht. Për ndalur një trend të tillë shoqëria tek ne duhet të angazhohet më shumë në krijimin e  kushteve më të mira të jetesës, shkollimit, punësimit dhe aktiviteteve të lira të të rinjve, duhet të dëgjohet fjala e tyre në vendim marrje dhe në shumë pore të jetës sepse ata janë e ardhmja e vendit. 

Një mesazh për rinin dhe përgjithësisht? 

Të angazhohen sa më shumë në jetë në fitimin e  dijes dhe krijimin e mundësive, që përmes shkollimit të arrihet krijimi i mundësive për një jetë të mirë, sepse pa shkollë, pa dije nuk ka perspektivë nuk ka jetë të denjë askush. 

Me punë arrihet çdo gjë.