BERNHARDZELL, e shtunë 28 janar 2023, në praninë e stërmbushur të sallës nga artdashësit e ardhur nga disa Kantone zvicerane dhe nga Gjermania e Austria, në Shoqatën Shqiptare “Sharri” në Bernhardzell të St. Gallen-it, u shfaq premiera e filmit “BOMBA” e regjisorit dhe aktorit të njohur James (Kujtim) Fetahu.
Përpara se të shfaqej filmi, të pranishmit patën rastin të përcjellin edhe disa valle të interpretuara nga Shoqëria Kulturo-Artistike “Sharri” e cila vepron nga e njëjta shoqatë.
Të pranishmit i përshëndeti moderatorja Znj. Ornela Zela, e cila e vlerësoi punën dhe angazhimin e artistëve në realizimin e kësaj vepre madhore për artin shqiptar.
Pastaj përshëndetën edhe vetë artistët e këtij filmi; James Fetahu, Fatos Kryeziu, Rremi Thaci, si dhe Kryetari i shoqatës Sharri Z. Nagip Memedi.
Përpara se të shfaqej filmi, artistët në fjalë i përgatitën të pranishmit për skena të rënda dhe trishtuese dhe rekomanduan që ata nën moshën 17 vjeçare të mos i përcjellin këto skena, pasi deri në atë moshë nuk i lejohet shikimi.
Filmi “Bomba” i cili si përmbajtje kishte ngjarjet e fundit të luftës në Kosovë, nga ku në mënyrë profesionale tregonin dhe shfaqnin reprezaljet, masakrimet duke i sharruar dhe copëtuar trupin dhe gjymtyrët me sharrë elektrike, dhunimet e femrave shqiptare në prezencën e anëtarëve të ngushtë të familjarëve (babait, nënës, vëllezërve dhe motrave dhe fëmijëve), presionet psikologjike, djegiet e pronës dhe pasurisë, plaçkitjen e popullit të pafajshëm përpara se të dëboheshin nga vatrat e tyre shekullore.
Duke i parë dhe përcjell këto skena trishtuese gjysma e sallës shpërthyen në lot, sepse në këtë luftë të ndytë nga ana e forcave të armatosura serbe, kishte edhe nga ata të cilët kishin humbur më të dashurit.
E tërë ngjarja ka ndodhur në intervalin kohor gjatë bombardimeve nga ana e NATO-s në koordinim dhe në bashkëpunim me UÇK-në.
Artisti James i cili luante rolin e Agimit, kishte rolin kryesor i cili duke sakrifikuar edhe jetën e tij personale dhe familjare kishte arritur ti filmonte këto ngjarje makabre nga ana e forcave të armatosura serbe. Ai kishte arritur të falsifikonte dokumentet e Serbisë dhe ishte paraqitur me pseudonimin “Plavi” i cili e njihte mirë gjuhën Serbe. Ai i kishte parë dhe përjetuar me sytë e tij dhunën e paparë ndaj shqiptarëve dhe arriti të shpëtoj me sukses një grup të madh shqiptarësh nga masakrimi.
“Bomba” është mesazh dhe dokumentar i cili shërben për të nxjerr në pah të vërtetën historike i cili mund të shërbej edhe si argument shtesë për shkruesit e historisë.
Pas përfundimit të filmit një grup u tubuam dhe debatuam rreth vështirësive ekonomike dhe institucione të cilat nuk janë mjaftueshëm të përkushtuar për artin dhe kulturën në tërësi.
Nga ana ime i uroj të gjithë ata të cilët janë angazhuar në realizimin e këtij projekti artistiko-historik. Uroj që në të ardhmen të na sjellin në kujtesë edhe vepra të tjera të nivelit edhe ndërkombëtar.
(d.v.) sh.a.