1.
Durim edhe një javë! Mesi i shtatorit është pranvera e emisioneve të bujshme në kanalet e mëdha shqiptare. Dinozaurët e debateve televizive do t’i kthehen shikuesit të mërzitur me të gjithë arsenalin e tyre verbal dhe nonverbal. Me britma, petka firmato, me orë të shtrenjta, me byzylykë e me myhyrë, gjyzllikë ekskluzive, me frizura e mjekra të përditësuara, me tatuazhe dhe me shkopinj. Dhe me celularë. Sidomos me celularë!
Prej kohësh në hulumtimet shkencore është identifikuar një avaz i fshirjes së dallimeve midis dy kategorive kryesore të përmbajtjeve mediatike, atyre informative dhe atyre argëtuese. Edhe atë në dobi të përmbajtjeve argëtuese. Pikërisht formatet informative po katandisen në spektakle. Deri edicionet e lajmeve! Seancat parlamentare po e po. A mos duket aty ndonjë gjurmë e standardeve profesionale: fakte, shifra, argumente? Sidomos argumente?
Në detyrat genuine të mediave është kontrolli i politikës. Gjurmimi këmba këmbës i atyre që i kanë në dorë burimet, nga ku varet mirëqenia e qytetarëve. Ku tretën këta alamet gazetarë me celularë e këta opinionistë që marrin zjarr për tre muaj kur politikanët gjezdisen nëpër divane lindje e perëndim. Kur kryebashkiakët e rinj po i bien varg dekriminalizimit në çark, që nga Shkodra gjer në Vorë. Kur mbijnë memoriale dhe s’dihet kush fshihet pas. Apo presin Bildin t’u japë një dorë me përgjime të reja, sa të vijë një nga jashtë e t’u japë një grusht dhe opozitës dhe pushtetit. Sidomos pushtetit!
2.
Është formuar një opinion sikur një gazetar i fortë është ai që shtron pyetje të rënda. Në Shqipëri dhe në Kosovë. Që të vë në pozitë. Të tipit: A keni vjedhur 15 milionë euro…? Një që s’e lë politikanin të marrë frymë. Duke i qëndruar atij gjithë kohës xëk e xëk. Kapadaillëk e zevzekllëk! Sa në fund lodhen të gjithë kot: edhe gazetari, edhe politikani edhe shikuesi. Sidomos shikuesi!
Nuk ia fut kot Noam Chomsky kur thotë se qyetarët duhet të ndjekin kurse sesi të mbrohen nga manipulimi i mediave. Ju mund ta flijoni kohën e vyer duke dëgjuar një intervistë plot takt, madje me mirësjellje të tepruar, ku politikani artikulohet aq shtruar, deri sa s’ka ç’të shtojë më. Sa gazetarit t’i hapet goja. Ku shtrohen të gjitha pyetjet, edhe ato më kot. Vetëm ajo që secili e ka në majë të gjuhës, ajo që duhet, jo. Sidomos ajo që duhet, jo!
Pyetjet më të mira shpeshherë janë ato më të thjeshtat. Një intervistë e Adi Krastës me Zëvendëskryeministrin, që hiqet si skifter dhe hazërxhevap, më ka ngelur në mendje. Dy pyetje të shtruara shtruar: Sa është GDP-ia, prodhimi i brendshëm bruto, e vendit? Dhe: Sa shqiptarë e kanë lëshuar vendin në pesë vitet e fundit? „Hë pra, kaq, askush nuk mund ta dijë më mirë!“ Dy përgjigje që atij s’ia nxirrte as goja as zemra. Sidomos zemra!
Por, Adi Krasta nuk do të vijë këtë messhtator më me këtë emision!
3.
Në Maqedoninë Perëndimore të Veriut: shkretë, viran, qyq, gjorë, ngratë, mjerë, korbë, qyqe, murg, kërcu, derëzi, kukudh, djerr, braktisur, pragshuar, derëshuar, zjarrshuar, yllshuar, orëshuar, themeldalë, rrënjëshkulur… Sidomos rrënjëshkulur!
Atje s’ka risi. As tension as urtësi. As pyetje të rënda as të lehta. As gëk as mëk. Askush nuk pyet e askush s’e di sa qytetarë e kanë lëshuar vendin në pesë vitet e fundit. Mediat të sajdisin gjithë kohës me seriale turke. Dhe jo vetëm seriale. Madje edhe kur flasin shqip, japin diçka turke. Nga mëngjesi në darkë. Sidomos në darkë!
Në Maqedoninë Perëndimore të Veriut mërgimtarët kthehen me vetura nga Perëndimi në vendlindje, vendlindasit mërgojnë me autobusë në Perëndim. Heshtur, pa bujë. Përditë. Maqedonas dhe shqiptarë. Sidomos shqiptarë!