Lulet dhe luftërat

Përsëri për postimet

Kam postuar në dy muajt e fundit
Sa kam mbushur dëng murin tim,
Që nga Shkupi e gjer në Shkodër
Prej Qafë Morine e deri në Berlin!

Hërë nga hareja e herë nga hidhërimi
Diku i kursyer e diku me teprim,
Diku një postim ngazëllimi, e diku një vetmie,
Sekush më tha: “Ç’po bën kështu, o Blerim!”

Dhe pastaj vrapova tej te një pasqyrë,
Mbase koha është për ta ndalur dorën,
Muri virtual flet me mua njëtrajtshëm
Në murin real të dhomës e shikoj orën.

Nuk është herë e parë që flas për postimet
E që mundohem të gjej një mes të artë,
Por jeta thotë, më jetoni mua aq sa mundeni
Mjetet teknologjike përdori pak më rrallë!

Dhe do mundohem ta bëj një gjë të tillë,
Të largoj nga vetja vese edhe teke,
Se nga pikat e mia të forta e solide,
Paj, po them, se i kam përpjekjet!…

Për-zierje

N’kafe e n’fejsbuk
N’fejsbuk e n’kafe
Zihen e përzihen
Probleme provinciale e
Probleme globale…

Merr flakë një telpërçues

Rrugës derisa ec
Një shtyllë telperçuesish
Nxjerr tym

Më pas pak më tej
Merr flakë njëri tel…

 

Pritje

-Shkoi shkurti
Vijon marsi,
Pjesëtar i këtij vendi
Çfarë po pret?

-Po pres ç’do t’thotë
Ku-shtet-p-usja,
Se kush ka të drejtë
Në këtë shtet!…

Lulet dhe luftërat

Mbijnë lulet
Mbijnë luftërat

Lulet le të mbijnë
Luftërat le t’i zhbijnë

Ky le të jetë rendi i ri botëror
Gjithkush në shtëpi të vet
Ta gëzojë lirinë…