Si lindi ideja dhe u themeluan “Kastriotët” e Ferizajt  ?! 

Pas përgatitjeve, në fillim të qershorit 1967-të, grupi nismëtar, mori qëndrim që më 18 Qershor 1967 të thirret Kuvendi themelues. Në organizimin dhe mbajtjen e kuvendit themelues morën pjesë shumë individë, të cilët përkrahën dhe ndihmuan mbajtjen e kuvendit, me që rast edhe u themelua Shoqëria muzikore- Letrare “Kastriotët”- Ferizaj

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Si ide për themelimin e një shoqërie kulturo artistike në qytetin e Ferizajt, merret nëntori i vitit 1965, kur edhe mbahet një koncert në shtëpinë sindikatave të këtij qyteti, më 29 Nëntor 1965. Pasi që  koncerti u tregua suksesshëm, ish- normalistët Rexhep Rifati, Qamil Bytyqi e Ramadan D. Ramadani, Fehmi Zeqiri, Mehmet Emërllahu, Ismet Topalli, Feim Jupa e vlerësuan këtë si një nxitje për themelimin e një  shoqërie kulturo -artistikë me karakter komunal. Hapi i parë ka qenë që të bëhet legalizimi dhe legjitimiteti.

Grupi nismëtar për realizimin e këtij koncepti për themelimin e një shoqëria kulturo- artistike ka qenë i përbërë nga Rexhep Rifati, Ramadan D. Ramadani dhe Qamil Bytyqi. Biseda e parë në këtë drejtim për themelim është bërë në zyrën e Komitetit Komunal të LK në Ferizaj, ku prezent ishin Sinan Sahiti, asokohe sekretar i KK dhe Halil Buçinca , kryetar i Kryesisë së LSPP. Biseda rreth kësaj teme u zhvillua në pranverën e vitit 1967.

  • Pasi i informuam për idenë për themelimin e një shoqërie kulturo-artistike që do të kultivojë kryesisht melos popullor, këngë e valle shqiptare të kësaj treve e më gjer. Pasa dëgjuan kërkesën tonë, i pari foli zotëri Sinan Sahiti, i cili e përkrahi pa rezervë idenë që ua paraqitëm. Edhe atë me këto fjalë: “ E përkrahi pa rezervë këtë ide dhe iniciativë, prapa së cilës qëndroj edhe unë. Por mbështetjen, konkretisht, do ta keni nga Halil Buçinca.- , kështu në mënyrë të përmbledhur e shpjegojnë këtë takim ideatorët e themelimit të shoqërisë.

Menjëherë pas kësaj bisede, filluam veprimet konkrete rreth zgjerimit të rrethit të njerëzve, që do të na përkrahnin në realizimin e këtij qëllimi. Që në fillim të kësaj teme, hasëm në një përkrahje të pa rezervë, përveç të disa çarqeve të sakatuara shoviniste serbe, që reagonin ndaj çdo nisme shqiptare. Pasi ishte një periudhë mbas plenumit të Brioneve, ku megjithatë merrej frymë pak sa më lirisht, ndaj vepronim më me ngulmë në sendërtimin e projektit për finalizimin e punës së kësaj shoqërie. Ndërkohë doli edhe një pengesë nga qarqe të caktuara, sigurisht me qëllime ndjellakeqe, që SHKA që do themelonim të fuzionohej në kuadër të SHKA “Nerodimka”, të cilin propozim që në start e hodhëm apriori.

Ndërkohë, në përputhje me rrethanat e krijuara paraqitet nevoja për zgjerimin e një rrethi njerëzish për mbajtjen e një kuvendi themelues. Për këtë qëllim u mbajtën edhe disa konsulta në shtëpi private, si te : Qamil Bytyqi, Rexhep Rifati, në Ferizaj,  pastaj te Ramadan D. Ramadani në Tërn, Jahja Azemi në Sllatinë dhe te Sabri Berisha në fshatin Nekodim, ku ishte i pranishëm edhe profesori ynë Esat Dauti, që u solidarizua me propozimin tonë dhe na përkrahje të pa rezervë. Shumica e aktiviteteve për kuvendin themelues janë zhvillua në shtëpinë e Rexhep Rifatit, ku janë shkruar edhe ftesat. Ndërsa, një ftesë nga Qamil Bytyqit me biçikletë i është dërguar ish- kryetarit të Kaçanikut, Sali Bajra.

Pas përgatitjeve, në fillim të qershorit 1967-të, grupi nismëtar, mori qëndrim që më 18 Qershor 1967 të thirret Kuvendi themelues. Në organizimin dhe mbajtjen e kuvendit themelues morën pjesë shumë individë, të cilët përkrahën dhe ndihmuan mbajtjen e kuvendit nga të cilët po përmendim: Sinan Sahitin, Halil Buçinca, Hivzi Fazliun, Fetah Mehmetin, Faik Jasharin, Rizah Rexhepin, Jakup Bunjakun, Nazmi Marevcin, Naim Bashën, Jonuz Topojanin, Refik Sermaxhajn, vëllezërit Baki e Bislim Kastratin, Fehmi Zeqirin, Mehmet Emërllahun, Sabri Berishën, Jahja Azemin, Osman Berishën dhe disa të tjerë. Shumica nga këta ishin edhe delegatë të kuvendit themelues.

Kuvendi themelues u mbajt më 18 Qershor 1967 , kryesuar nga Rexhep Rifati, Ramadan D. Ramadini dhe Qamil Bytyqi, ndërsa që procesmbajtës ishte Jakup Bunjaku, korrespodent i gazetës “Rilindja” i cili edhe shkoi artikullin e parë për themelimin e “Kastriotëve”. Kuvendi u mbajt në një atmosferë konstruktive. Delegatët u zotuan se do ti kryejnë gjitha detyrat që dalin nga vendimet e këtij kuvendi. Ishte interesant, që përveç diskutimeve të tjera u debatua edhe rreth emrit të shoqërisë kulturo-artistike. Ishin disa propozime, si  “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, “Naim Frashëri”, Vëllezërit Frashëri”. Pas propozimeve të dala u lajmërua profesor Naim Basha, i cili kërkoi që shoqëria të emërtohet me emrin “Kastriotët” , që gjë u miratua unanimisht.

Nga kuvendi doli kryesia në përbërje:

Rexhep Rifati, kryetar

 Hivzi Fazliu, sekretar

Ramadan D. Ramadani

Qamil Bytyqi,

Baki Kastrati

Bislim Kastrati

Nazmi Marevci

Jakup Bunjaku

Mehmet Emërllahu, anëtar

Ndërkohë u krijuan edhe aktet normative ligjore, si statuti, rregullorja e punës, vula katrore dhe vula e rrumbullakët, të cilën e ideoi dhe vizatoi Hivzi Fazliu. Në vulë emërtimi i shoqërisë figuronte: Shoqëria Kulturo Artistike “Kastriotët” Ferizaj.

Pas themelimit të shoqërisë, lindi nevoja për konsolidimin e saj me anëtarë,  kryesish solistë U mbajtën dy edicione: në sallën e vogël Kuvendit komunal dhe në sallën e kinemasë së qytetit. Grupin që e udhëhoqi erudicionin e përbënin Jakup Bunjaku, Hivzi Fazliu dhe Ramdan D. Ramadani .  Në këtë përzgjedhje dolën këta solist:

Nol Berisha,

Hivzi Fazliu

Qamil Bytyqi,

Zyrafete Fazliu,

Ismet Topalli dhe

Feim Jupa.

Në fillim kishte sa vështirësi rreth themelimit të orkestrës, ngase në qytet kishte pak instrumentist për vegla muzikore, pos mandolinës që ishte vegla kryesore muzikore në normalin e Ferizajt. Mungesa më e madhe ishte për harmonikist. Zgjidhja u gjet me doktor Hysen Demjahen, stomatolog në shtëpinë e shëndetit. Kështu u themelua orkestra në përbërje:

  • Hysen Demjaha, harmonikë
  • Bislim Kastrati, klarinetë
  • Baki Kastrati, prim
  • Fehmi Zeqiri, mandolinë
  • Adem Bilalli, kitarë
  • Jakup Bunjaku, violinë
  • Gani Selimi, violonçel
  • Kamer Avdiu, kitarë
  • Shabi Sejdiu, def

Pengesa e dytë dhe kryesore ishte mungesa e lokalit për mbajtjen e ushtrimeve, pasi që shtëpia e  kulturës i kishte të mbyllura dyert për shoqëritë shqiptare, e sidomos për shoqërinë e posa themeluar të “Kastriotëve”, me që edhe më tej aty vepronin tre Acallarë me ngarkesa shoviniste, që kishin një qëndrim urrejtës ndaj kulturës shqiptare.  Për këtë arsye u detyruam të ushtronim në vende jo adekuate dhe kishim edhe vështirësi reale. Ushtronim në podrumin e shkollës së sotme fillore Jeronim “De Ra Rada”, apo në disa shtëpi apo banesa private, deri në mbajtjen e koncertit të parë në vjeshtën e vit 1967. Koncerti i parë është mbajt në shtëpinë e armatës në Ferizaj, i dyti në Shtime, i treti në Kaçanik dhe i katërti në Han të Elezit. Që të gjitha këto koncerte patën jehonë të jashtëzakonshme dhe tubonin një numër të madh të publikut. Ndodhte që një pjesë e publikut të qëndronte në këmbë, e të krijoheshin edhe atmosfera entuziaste.

Përgatitje të veçanta u bën për pjesëmarrjen e “Kastriotëve”, në 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, për çka edhe patëm vështirësi edhe për sigurimin e kostumeve për anëtaret e shoqërisë. Zgjidhja u gjete nga një shitore tekstili, që na ofroi stofin për qepjen e rrobave.  Më 17 Janar 1968,  “Kastriotët” e Ferizajt, për shkak të emrit të derës së Kastriotëve,  patën nderin që të hapin manifestimin qendror në Gjakovë, ku merrnin pjesë edhe shoqëritë simotra nga trevat e ndryshme shqiptare.

( Ky tekst është hartuar nga themeluesit e shoqërisë së” Kastriotëve”, Rexhep Rifati, Qamil Bytyqi e Ramadan D. Ramadani me korrektësinë dhe përgjegjësinë e plotë, morale e materiale)