“Ibe Palikuqi”, prezantuese  e denjë e kulturës shqiptare në Maqedoni

Në këtë fundjavë portali ynë, ju prezanton AKV “Ibe Palikuqin” nga Shkupi, themeluar më 30 Mars të vitit 1979, që sipas kryetarit Kenan Jahja-Kajolli, përkundër vështirësive, ka zhvilluar një veprimtari të pandërprerë, duke realizuar mbi 1200 prezantime, ca nga të cilat janë kurorëzuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare, falë talentit të artistëve të ri shqiptarë, që tërë veprimtarinë e tyre zhvilluan në baza thjeshtë vullnetare.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Punën dhe aktivitetin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve nga Shkupi “Ibe Palikuqi” e kam përcjell thuaja se që nga fillimi i punës së tij, pasi që kishte një bashkëpunim të mirë me ansamblin ferizajas “Kastriotët”, por edhe nga fakti se dy qytetet tona kishin një lidhje dhe afërsi sa kulturore aq edhe vëllazërore.

Thuaja se në çdo jubile të “Kastriotëve” janë ftuar si mysafirë, qoftë drejtuesit apo edhe i tërë ansambli “Ibe Palikuqi”, sidomos në 50 vjetorin e themelimit të ansamblit ferizajas, kur ky ansambël u prezantua me një program të shkëlqyeshëm bashkë me ansamblet Kombëtare nga Shqipëria e Kosova.

Ndërsa që me një grup nga Ferizaj ishim të ftuar edhe në 40 vjetorin e themelimit të këtij ansambli nga Shkupi, më 15 Nëntori 2019, mbajtur në Teatrin Kombëtar të Shkupit, kur “Ibe Palikuqi”, shënoi këtë jubile me një program të përzgjedhur festiv. Jubileu me moton: “40 vjet shkollë e kulturës shqiptare”, ishte një kurorëzim i punës dhe veprimtarisë së këtij ansambli që kulmoi me një program përmes të cilit defiluan anëtarët e dy-tre brezave, që kishin lënë gjurmë të thella në jetën shkupjane prej vitesh e dekadash.

Arritje brilante në saje të talentit dhe vullnetarizmit rinor

Ndaj edhe me këtë po përcjellim disa nga fjalët e kryetarit të AKV “Ibe Palikuqi”, Kenan Jahja- Kajolli, thënë në këtë jubile i cili potencoi se ky ansambël u themelua më 30 Mars të vitit 1979 dhe që nga formimi e këndej ka zhvilluar një veprimtari të pandërprerë për plot 40 vite, duke lënë prapa një numër të madh të aktiviteteve përmes 1200 prezantimeve, mjaft nga të cilat janë kurorëzuar me çmime të ndryshme në saje të lojës, si rrjedhojë e talentit të artistëve të ri shqiptarë, që tërë veprimtarinë e tyre zhvilluan në baza thjeshtë vullnetare .

-Sot kur festojmë 40 vite nga themelimi i ansamblit “Ibe Palikuqi”, vërtet kemi me çka të mburremi sepse 4 dekada nuk janë pak për një ansambël i cili ka funksionuar në bazë të vullnetit të lirë dhe dashamirëve të artit dhe kulturës shqiptare” – qe shpreh Kryetari i Ansamblit “Ibe Palikuqi”, Kenan Jahja, njeriu që me vite bartë barrën kryesore të mbarëvajtjes, por edhe të përgjegjësisë së kësaj trupe artistike, që në vete përbën edhe një shkollë të artit popullor në këtë anë të shqiptarisë

Djelmosha e vajza, që bëjnë lojë përplot art e elegancë

Si vallet mbresëlënëse të artistëve që u shpërblyen me shumë duartrokitje nga një publik, vërtetë serioz e artdashës, ashtu edhe këngët me tërë atë melos të mirëfilltë shqiptar, që kultivon ky ansambël, shtuar edhe kostumet elegante e imponuese, ishin pika të denja arti, që mund të luhen edhe para çdo publiku, qofshin ato edhe metropole ku shija e publikut është më e stërholluar. Në favor të kësaj flasin edhe me dhjetëra mirënjohje në festivale të karakterit ballkanik, evropian e botëror

Ndaj edhe me këtë rast, më mbetet të urojmë kësaj trupë të shkëlqyeshme artistike, sidomos ata djelmosha e vajza, që imponohen jo vetëm me lojë përplot art e elegancë, por edhe bukuri, afri e fisnikëri, duke bërë që sot Shkupi të zë një vend të denjë në arenën ndërkombëtare edhe me një pjesë të mirë të kulturës shqiptare.

Veprimtari në një ambient jo edhe përherë miqësor

Mësa mësuam anëtarët e këtij ansambli dhe ata që e drejtojnë atë, asnjëherë nuk patën synim komponentin financiar, egoizmin dhe lavdinë personale, sepse mbi të gjitha për ta ishte afirmimi i vlerave tona kulturore e kombëtare, duke nxjerr nga anonimiteti një kulturë që ka rrënjët ndër shekuj, ndonëse mjedisi ku veproi nuk qe përherë aq miqësor. Por puna e pareshtur bëri që sot ansambli të ngritët plotësisht në këmbë të veta, duke sjellë rreth vetes jo vetëm artistë e koreografë me emër, por edhe siguruar në posedim edhe lokal me kushte mjaft solide për veprimtarinë e tij sa më funksionale.