Shtëpia-muze e kolosëve të shqiptarisë, në mëshirën e stihisë!

Ndonëse tre vëllezërit: Avdyli, Naimi, Samiu përbëjnë trinomin e veçantë të historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare, megjithatë shtëpia e tyre në Frashër është lënë jashtë çdo kujdesi institucional, ndërsa që për veprat e tyre nuk u gjenden as rafte për sistemim!

Teksti e fotot: Rexhep Rifati & Shkëlzen Rexha 

Ëndrra ime e kamotshme për të vizituar vendlindjen e kolosëve të shqiptarisë: Abdylit, Naimit e Samiut mu përmbush vetëm pas tentimit të tretë. Edhe atë më 11 Qershor 2016, i shoqëruar nga Jakup Reka e Shkëlzen Rexha. Sepse, pengesë kryesore ishte rruga me një gjendje të mjerueshme edhe pse në të hyrë të saj, afër Përmetit shkruan:  “Frashër – Meka e Shqipërisë” e në të hyrë të zonës : “Bredhi i Dangëllit, mushkëria e Ballkanit”.

Që të dyja këto mbishkrime realisht qëndrojnë, por për të arrit deri atje duhet bërë një udhëtimi të mundimshëm prej mbi 30 kilometrash posa të lëshosh arterien e asfaltit, për të vazhduar një kalldrëmi qindvjeçar që rrezikon shpërthimin e gomave të veturave të zakonshme. Derisa në vargjet e Naimit përmenden “lisat e gjatë”, aty gjetëm një pishnajë të mrekullueshme, siç është Bredhi i Dangëllit, me mbi njëmijë e sa hektarë bredhë të një lartësie mbi mesatare, që paraqet një pasuri të madhe jo vetëm natyrore por edhe kombëtare.

Aty ku arushat shtohen e njerëzit pakësohen! 

E sa për njerëz, taksisti një elektro- nxhinier me të cilin udhëtoni, Bardhyl Hyseni nga Përmeti, na tha se: “Këtu vetëm arushat shtohen e njerëzit pakësohen”!  Tregoi se gjatë udhëtimit për në Frashër njëherë i është dashur të pres një kohë derisa i ka lëshuar rrugën një ari, ndërsa vetëm një ditë më parë ishte kthyer në gjysmë të rrugës me tre studiues nga Izraeli, pasi kishte rënë një shi i rrëmbyeshëm dhe rruga ishte e pakalueshme. Ndonëse edhe ne nuk e patëm lehtë të arrijmë në cak.

Hapja e muzeut, vetëm me urdhrin e kryetarit të Bashkisë së Përmetit

Zhgënjimi tjetër, kur pas dy orë udhëtimi në shtegun prej 30 e sa kilometrash, ishte se gjetëm shtëpinë e Frashërve të mbyllur. Fqinjët që kujdeseshin për te na thanë se ajo mund të hapej vetëm me urdhrin e kryetarit të Bashkisë së Përmetit, pasi që aty ishin plaçkitur gjëra me vlerë. Bisedova me telefon dhe hasa në mirëkuptim tek kryetari i Përmetit. Frashëri, ndonëse ishte qendër e Komunës Dangëlli, thuaja se ishte  zbrazë plotësisht, kishte vetëm edhe 4-5 shtëpi të banuara.

Poetët në këmbë e udhëheqësit me helikopter!

Ndonëse shkruhet për një lloj pelegrinazhi në Shtëpinë Muze të Vëllezërve, ku tradicionalisht më 25 maj, mbahen “Takimet e Naimit” dhe vetë Frashëri që cilësohet vatër e pavdekshme e atdhetarizmit në Shqipëri,  këto takime nuk mund ti ndjekin shumë nga ata që dëshirojnë për mungesë të një rruge: Kështuqë ndodhë që poetët që lexojnë të arrijnë si të mundin, ndërsa që udhëheqësit e shtetit shkojnë me helikopter!

 Frashëri Katund i Perëndisë

Nga e gjithë ajo që pash në muze mu ngulit kjo strofë e një kënge popullore:

Për mua është Frashëri

Katund`i Perëndisë ,

ka lindur Naim Beu

Zemër e Shqipërisë.

E popullit

Për të gjithë ne që shkelëm për herë të parë në katundin e vëllezërve Frashëri , ky ishte një moment i papërshkrueshëm, sa nuk mundëm e të mos bërtasim si me një zë: “Ja katundi i tre kolosëve tanë!” Ndërsa që u shfaqën pak më vonë tri bustet e vëllezërve Frashëri me një flamur që valonte mbi kokat e tyre krenarisht, ndërsa që shtëpia- muze me një oborr relativisht të madhe të gjelbëruar të shtonte edhe më shumë fantazinë, sikur të doje të shihje vëllezërit Frashëri se si loznin këtu si kalamaj!

Këmbëkryq në odën frashnjëlive!

Por aty hasëm vetëm tek pak vendas që ktheheshin nga fusha me një qerre të mbushur me bari, ndërsa që një lloj bari terej në oborr, e që e larguam me fotografin Shkëlzen Rexha derisa shkrepëm ca foto. Në ballin të shtëpisë ishte mbishkrimi. “Shtëpia Muze e Vëllezërve Frashëri”, ndërsa që brenda dhomës së shtruar me qilima nuk mundëm e të mos ulemi këmbëkryq!

Derisa korridoret ishin të stolisura me ca piktura e skulptura, në muret e dhomave brenda kornizave të xhamave ruheshin mjaft nga vargjet domethënëse të Naimit e Samiut, si dhe disa foto të tyre bashkë me prindërit e tyre.

Edhe gjatë vizitës sime me bashkëshoqërues e edhe vizitorë të tjerë që kanë vizituar Shtëpinë- muze të Vëllezërve Frashëri, dëshmojnë se kjo shtëpi po qese nuk intervenohet nga shteti është në rrezik që të dëmtohet edhe më tepër.

Mbi rrënojat e shtëpisë së vjetër

Përndryshe, kjo shtëpi që ndodhet në hyrje të fshatit Frashër në vitin 1974 është ringritur mbi rrënojat e ish-shtëpisë së parë të prishur në vitin 1892. Shtëpia e rindërtuar e shndërrohet në muze, ka gjithsejtë 10 dhoma.

Mësojmë se: me ringritjen e saj është bërë përpjekje për ruajtjen e origjinalitetit të volumit fillestar, duke shtuar elemente të rinj si ndërkate e tavane druri dhe oxhakët nëpër dhoma. Disa nga dhomat e kësaj shtëpie-muze pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kohës, duke mbledhur orendi të vjetra edhe nga banorët e zonës. Interesi për këtë banesë duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka. Shtëpia-muze gëzon në fondin e saj libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit. Por që për fat të keq pikërisht ky fond i librave nuk mirëmbahet dhe është rrezik që të dëmtohen edhe më tej e të zhduken, ndonëse paraqesin një thesar të vërtetë për vet periudhën e letërsisë së Rilindjes Shqiptare.

Fondi i librave rrezikohet të dëmtohet e zhduket !

Projekti për rijetëzimin e këtij monumenti kulture është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës, si pjesë e kalendarit të restaurimeve të “Vitit të Skënderbeut”, i cili është miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve. Më vonë mësojmë se për restaurimin “Shtëpia e Vëllezërve Frashëri”, janë parashikuar ndërhyrje në restaurimin e çatisë, dyerve dhe dritareve në përgjithësi, eliminimin e çarjeve në fasadë, restaurimin e dyshemeve dhe riparime në suvatime. Gjithashtu do të bëhet sistemimi i terrenit përreth. Interesi për këtë shtëpi duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka. Shtëpia-muze përmban në fondin e saj libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit.

Portali “Shqipëria ime” ka publikuar disa foto nga shtëpia e vëllezërve Frashëri në Frashër të Përmetit. Pamjet tregojnë një shtëpi të harruar, pa asnjë kujdes, të mbuluar nga suvaja e rënë dhe pluhuri, por më e dhimbshme është shkatërrimi i bibliotekës së vëllezërve Frashër, librat e të cilëve janë të përhapur në dyshemenë e një dhome. Nuk ka nevojë të imagjinojmë kushtet e librave dhe shtëpisë sepse fotot janë shumë të qarta. Është e paimagjinueshme sesi vendi ynë lë një shtëpi, që mund të kthehej në një shtëpi muze me shumë vlerë për vendasit dhe të huajt, për trashëgiminë tonë kulturore dhe për turizmin kulturor, në të tilla kushte.

Lazarati po, por jo edhe Frashëri në “Projektin e 100 fshatra”!

Dihet botërisht se tre vëllezërit Avdyli, Naimi, Samiu përbëjnë trinomin e veçantë të historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Por si duket në vet kompleksin e kësaj shtëpie, se për njerëzit e Frashërit, por edhe për institucionet shqiptare shtëpia-muze e tyre nuk ka këtë domethënie. Edhe tash së voni, të prirë nga interesimi që kemi për këtë objekt trashëgimie me peshë të veçantë për shqiptarizëm, mësojmë se Frashëri nuk është përfshi në Programi e Integruar për Zhvillimin Rural (PIZHR) – Programi i 100 fshatrave, që synon të koordinojë ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën rurale të 100 fshatrave. Derisa në mesin e këtyre fyshtrave ka hy edhe vet Lazarati aty nuk e gjejmë edhe Frashërin!   mesin e 100 fshatrave që përfitojnë nga shteti mjete financiare për ri rregullimin , ndonëse pesha e tij kulturore, historike e kombëtare le prapa për nga rëndësia shumë vendbanime të tjera shqiptare në rrethe e prefektura.

Shpresë për një trajtim ndryshe të vet Frashërit

Të shpresojmë se një ditë institucionet shtetërore e kulturore do ti japin Frashërit vendin që meriton, në mënyrë që si rruga ashtu edhe kompleksi i vet Shtëpisë- muze të vëllezërve Frashëri përmes donacioneve gjegjëse të marrin formën e duhur që të vizitohen edhe më shumë si nga vendasit ashtu edhe turistët e jashtë, ku vëllezërit Frashëri kanë ngritur në piedestal jo vetëm letërsinë dhe kulturën shqiptare, por i kanë bërë emër vetës edhe në plejadën e burrave të mëdhenj të epikës që e jetuan.

( Me këtë rast po japim ca foto nga vetë muzeu, fshati dhe rruga për në Frashër si dhe bustet te varret e vëllezërve Frashëri në Tiranë)