Shtëpia- muze e heroit Dedë Gjo`Lulit, që para Vlorës ngriti flamurin

Për herë të parë pas periudhës së Gjergj Kastriotit, më 6 Prill 1911, flamuri shqiptar është valëvitur në malet e Deçiçit në Tuz përgjatë Betejës së Deçiçit”.,-Muzeu Dedë Gjo’ Luli në Bardhaj të Malësisë u hap më 6 prill 2006, me kontributet e mërgimtarëve nga Amerika dhe të Malësisë  

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Kronistët shqiptarë vlerësojnë se : Dedë Gjo Luli është ndër kreshtat më të larta të historisë sonë, tribun e strateg popullor i pashoq i Malësisë së Madhe në luftën për mbrojtjen e trojeve nga sulmet e fqinjëve veriorë. Po ashtu ky tribunë njihet edhe si flamurngritës i Pavarësisë, që pas 500 vitesh lartoi në majë të Bratilës në Deçiq të Alpeve shqiptare flamurin e Skënderbeut, me 6 prill të vitit 1911. Ai kur ishin në pyetje trojet etnike nuk bëri kompromis me asnjë pushtues, ndaj edhe luftoi dhe u flijua me dy djemtë e tij, Gjergji e Kola, dëshmorë të Atdheut, siç është dëshmor i flamurit dhe Nikë Gjelosh Luli. Pra katër veta të një dere.

“Në këtë betejë, shqiptarët udhëhiqeshin nga Dedë Gjon Luli, në luftën kundër otomanëve”, – këtë lajm e raportonte gazeta londineze e kohës, “The Cape Time” që citonte agjencinë e lajmeve Reuter South African Press Agency dhe mban datën 3 prill 1911..-

Për tu njohur më për së afërmi me këtë figurë historike, në Bratila isha me 5 maj 2016 në shoqërim të shokut tim Jakup Reka dhe të Gjon Markleshajt nga Tuzi dhe vendasit nga Bratila, Martin Kol Dedvukaj. Po në këtë vend më 6 Prill 1911, Nikë Gjeloshi nën komandën e Dedë Gjon Lulit, ngriti flamurin tonë kombëtar. Momenti i vizitës ishte tejet emocionues, aq më parë të gjendesh në vendin ku u ngrit flamuri kombëtar para se në Vlorë.

Ndërkaq, në fshatin Bardhaj, vendlindjen e Dedë Gjon Lulit, vizituam shtëpinë e këtij heroi kombëtar e cila pas rindërtimit është kthyer në muze. Nga kujdestarët e kësaj shtëpie- muzeu mësuam se nga katër qoshet e shtëpisë janë ngrit me gurtë e shtëpisë së vjetër, ndërsa brenda saj tërheqin interesimin fotot e bëra nga familja e fotografëve Marubi, disa të shkrepura në frontin e luftës. Brenda muzeut po ashtu ka edhe punë dorë të vjetra, piktura dhe murale që nga era e vetë Dedë Gjo’ Lulit.  Në murin e odes së kësaj shtëpie stolis edhe dekorata e ish- Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili ka dekoruar Malësinë e Madhe me urdhrin “Nderi i Kombit”.

Mësuam gjithashtu se Muzeu Dedë Gjo’ Luli në Bardhaj të Malësisë, zyrtarisht është hap më 6 prill, 2006 përmes fondacionit Dedë Gjo’ Luli në shtëpinë e vetë Dedë Gjo’ Lulit, e cila ishte lënë në shkatërrim nga agresionet malazeze dhe turke që herët në shekullin XX.
Edhe kësaj radhe ishte pikërisht humanizmi dhe atdhetaria e mërgimtarëve tanë, që përmes fondeve të tubuara nga shqiptarë bujarë nga Nju Jork-u, Michigani, dhe Malësia që kësaj shtëpie sërish ti kthehej pamja dhe fama. Ndaj edhe vendasit këtë shtëpi muze e cilësojnë si simbol malësorëve të Malësisë së madhe i shpirtit të shqiptarëve të pavdekshëm në rindërtimin e shkatërrimeve të paharruara!”

Do theksuar edhe një moment : se sikurse Fishta me pendën e tij edhe Marubët me objektivat e tyre i bën të pavdekshme luftërat prej patriotit të devotshëm Dedë Gjon Luli me luftëtarët e tij. E që këtë e pamë edhe në vetë muret e muzeut ku ishin varë disa nga fotot e Marubve.

Krejt në fund do falënderuar familjen e Martin Kol Dedvukajt për pritjen që na bëri ndonëse është e vetmja familje qe akoma jeon në Bardhaj e që kujdeset njëherit edhe për vet shtëpinë – muze të Ded Gjo Lulit.- .