Shpërndarja e librave për diasporën

Kur jemi te ruajtja e gjuhës amtare, gjithmonë duhet të merret parasysh libri. E këtë gjë më së miri e dëshmuan shoqatat vepruese në Gjermani, të cilat si rrugë drejt kësaj procedure panë me të drejtë përhapjen e librave në gjuhën shqipe për mërgimtarët. 2500 ishte numri i librave të cilat me datën 02.04.2022 u ndanë për shoqatat e ndryshme në NRW. Iniciator për këtë organizim ishte Ali Salihu nga URAcult, një shoqatë përherë aktive e cila e sheh dhe e shfaq artin shqiptar si spektër të gjerë. Ky organizim u bë së bashku me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Dyseldorf, mësuesit e Shkollës Shqipe dhe kryesuesit e shoqatave kulturore shqiptare.

Librat që do të shpërndahen për mërgaten do të kenë çmim simbolik dhe të shpërndahen në mënyrë të barabartë mes bibliotekave dhe shoqatave. Si synim kryesor, kjo ide ka dëshirën që titujt e librave të përzgjedhur të mos mbeten vetëm në rafte, por të shpërndahen për nxënësit e Shkollës Shqipe, kurse disa tjera të ndahen për shoqatat. Duhet përmendur se këto libra ishin pjesë e bibliotekës URA në Frankfurt e cila tashmë është e mbyllur. Në një postim në facebook KPD shkruan:

KPD do të vazhdojë përkrahjen e iniciativave të tilla, ku do të mbesim përkrahësit e vazhdueshëm që do të stimulojnë diasporën në përgjithësi, e sidomos nxënësit e ‘Shkollës Shqipe‘ në leximin e artikujve në gjuhën amtare.