Shkolla shqipe Ostermundigen Bern u uron nxënësve pushimet pranverore

Shkolla shqipe Ostermundigen që operon në Zvicër ka përfunduar një periudhë të suksesshme mësimore. Gjatë këtij planprogrami mësimor ka organizuar aktivitete tërheqëse dhe kulturore për fëmijët, duke u përkujdesur që përmes tyre procesi mësimor të bëhet më argëtues dhe të realizohet të nxënit në gjuhën shqipe.

Nxënës të dashur ju që e mësoni dhe e ruani me përkushtim gjuhën e të parëve, kalofshi mirë në pushimet e pranverës! – thuhet në urimin e shkollës.

Kjo shkollë këtë vit organizoi një piknik pranveror ku mblodhi nxënës, prindër dhe gjyshërit e tyre. Gjatë këtij pikniku ishte e pranishme edhe kryesia e Shoqatës Kulturore Bashkimi, që njëherësh është bashkorganizatore e aktiviteteve kulturore që shkolla organizon. Në këtë piknik nuk munguan lojrat, ngjyrat, muzika si dhe tavolinat e mbushura me ushqim për të pranishmit.

Bashkëbisedimet, shkrimet dhe orët letrare ishin disa nga aktivitetet me rastin e ditëve të rëndësishme. Për nder të 7 dhe 8 Marsit shkolla organizoi orë letrare, në të cilën u lexuan poezi të rrjedhshme në gjuhën shqipe kushtuar nënës dhe mësueses. Gjatë ditëve tjera nxënësit poashtu patën rastin të njiheshin edhe me figurat e sportistëve shqiptarë në Zvicër dhe të organizojnë orë muzikore ku këndoheshin këngë në gjuhën shqipe.

Shkolla gjithmonë falemnderon nxënësit për punën e tyre të shkëlqyer si dhe të gjithë pjesëmarrësit e organizatorët.