- Në Neuenhof të Zvicrës – një mbrëmje festive e veshur kuq e zi
- Dita e Flamurit u kremtua në një atmosferë madhështore, ku nxënësit e «Shkollës Shqipe» shkëlqyen me recitime, këngë e valle, duke ngjallur emocione krenarie dhe atdhedashurie.

- Manifestim solemn për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë
- “Shkolla Shqipe” në Zvicër solli një program të pasur artistik e kulturor të përgatitur nga nxënësit e shkollave shqipe në Neuenhof. Mbrëmja u shoqërua me emocione, dashuri për atdheun dhe frymën e kujdesit ndaj gjuhës e traditës sonë.
- Mbrëmjen e hapi moderatore Lina Limoni – ish nxënëse e shkollës shqipe, kurse nxënëset Shera Dakaj dhe Era Kelmendi, të shoqëruara nga kori i shkollës, të cilat e emocionuan publikun me këngën: “O, ku ka si ti o Shqipëria ime”.
- Përshëndetja e organizatorëve
- Në emër të Këshillit Organizues, fjalën përshëndetëse e mbajti prof. dr. Vaxhid Sejdiu, i cili falënderoi nxënësit, mësuesit, prindërit dhe të ftuarit e shumtë. Ai vlerësoi gjithashtu pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve diplomatike dhe personaliteteve të komunitetit shqiptar në Zvicër.
- Nxënëset Eneida Latifi dhe Sara Zymeri prezantuan hartimin kushtuar 28 Nëntorit, ndërsa pas tyre u kumtuan përshëndetjet zyrtare nga: Monika Zguro – përfaqësuese e Ambasadës së R. së Shqipërisë, znj. Shukrije Ramdani – përfaqësuese e Ambasadës së R. së Kosovës.
- Programi artistik
Më shumë se 175 nxënës ngjitën skenën me recitime e këngë patriotike, duke përcjellë emocione të fuqishme për atdheun: “Flamuri kuq e zi”, “Në mërgim”, “Është e jona Shqipëria” “Kënga e Flamurit” dhe shumë poezi të tjera kushtuar gjuhës, traditës dhe identitetit tonë. U veçuan interpretimet e këngëve: “Globi” nga Jerina Destani dhe Adea Tahiri, “Drenica ime” – nga Liara Zuka dhe Alea Halimi, “N’grykë të Kaçanikut” nga Tana Limoni ,“Fjalët e Qiririt” nga Alea Halimi, Liara Zuka, Arnela Halimi dhe “Ti Shqipëri më jep nder” nga Melisa Selimi.
- Vallet dhe duartrokitjet
Pas pjesës së recitimeve, skena u ndez nga vallet tona popullore. Nxënëset Tea Idrizaj dhe Leandra Ametaj hodhën valle tradicionale, po kështu edhe grupi i vajzave të “Shkollës Shqipe” në Spreitenbach u veçuan, meqë mrekullisht hodhën vallen e titulluar: “Vallja e Pavarësisë”, e cila u prit me duartrokitje të gjata.
Mirënjohje dhe vlerësime
Mësuesi Vaxhid Sejdiu ndau mirënjohje për mbështetësit e vazhdueshëm të shkollës shqipe: znj. Merita Pinta, z. Bislim Syli, gazetari Rexhep Rifati, platformën – albinfo.ch, Z. Akibe Pajaziti Bosco, si dhe fotografin Afrim Nevzadi.
Gjithashtu me falënderime të veçanta dhe me nga një mirënjohje simbolike u vlerësuan prindërit e përkushtuar: Shpend Limoni, Sherif Dakaj, Gëzim Zuka, Mentor Selimi, Flakon Halimi, Valdet Krasniqi, Besart Hyseni, Pren Tuci.
Përmbyllja solemne
Mbrëmja u mbyll me interpretimin e korit të shkollës, nën drejtimin e mësueses Qefsere Sejdiu me këngët: “Pse jemi të ndarë”, “Fryn murrlani me stuhi”, “Përjetësisht me ty Shqipëri”, Kënga e fundit u këndua nga të gjithë nxënësit në skenë – një moment magjik, plot emocione, që ngrohu zemrat e të gjithëve.
























