Pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kjo e fundit po vazhdon të veprojë me politikat e saja të dëmshme. Së fundit, policia serbe ka arrestuar në Serbi Marjan Gjokaj, udhëheqës i divizionit në Administratën Tatimore të Kosovës në qytetin e Gjakovës. Momentin e arrestimit, ai ishte duke u kthyer në Kosovës, i shoqëruar nga një person tjetër. Ishte ndaluar nga policia serbe dhe u arrestua.
Për këtë gjest të Serbisë, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme Behxhet Pacolli, duke e dënuar këtë akt dhe duke kërkuar nga organet kompetente që të reagojnë lidhur me lirimin e menjëhershëm të zyrtarit kosovar.
Në vitin 2016 policia serbe kishte arrestuar drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi në vendkalimin kufitar në Konçul, mbi bazën e një fletarresti të Gjykatës së Lartë në Nish, nën dyshime për veprën penale “të terrorizmit”.
Atij, autoritetet e drejtësisë në Serbi, i patën caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Pas arrestimit të Thaçit, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë, me të cilën kërkohej lirimi i menjëhershëm, dhe i kërkohej “Bashkimit Evropian që përmes mekanizmave të tij detyrues të ndërhyjë tek Qeveria e Serbisë që të lirohet Thaçi”.



















