Samiti i II-të i Diasporës Shqiptare, përmbyllet në përvjetorin e Kuvendit të Lezhës

Tirana po mirëpret Samitin e Dytë të Diasporës Shqiptare, që po mbahet nga data 28 shkurt e që pritet të përfundojë të shtunen, më 2 mars, ndërsa u karakterizua me pjesëmarrjen e personaliteteve më të spikatura shqiptare të diasporës, që vijnë nga fusha të ndryshme si ajo e biznesit, shkencës, artit dhe kulturës.

Kjo është hera e dytë që ky samit po mbledhë njerëzit më të spikatur të diasporës, me anë të së cilëve po krijon mundësinë e një hapësire diskutuese për cështje të ndryshme të politikbërjes së shtetit shqiptar. Roli i diasporës në politikbërjen e shtetit shqiptar është i madh dhe domethënës, prandaj edhe janë të mirëseardhura samitet e kësaj natyre për ta vulosur akoma edhe më shumë bashkëpunimin që po forcohet dhe po bëhet domethënës cdo ditë e më tepër.

Ndërkaq, samiti do të mbyllet më datën 2 mars, në përvjetorin e 575-të të Kuvendit të Lezhës, ku si rezultat do të bëhen bashkë shqiptarë nga anë e kënd bota, për të diskutuar njëzëri për të ardhmen e shqiptarëve dhe për rrugën politike që duhet ndjekur kudo në botë, në mënyrë që të promovohen vlerat dhe mirësit e kombit shqiptar ndër shekuj.

Duke u munduar të mbahet tradita e të parëve tanë, të cilët qysh në vitin 1444, me në krye Skënderbeun, u mblodhën për të marrë këto vendime të rëndësishme: Krijimin e një Besëlidhje Arbërore, formimin e një ushtrie të përbashkët dhe krijimin e një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Kuvendi i Lezhës shënon një hap të rëndësishëm të historisë shqiptare, që karakterizohet me përpjekjet për bashkimin politik të tokave shqiptare në një shtet, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.

Prandaj, edhe pas kaq shumë shekujsh,  shqiptarët po mblidhen nga vende të ndryshme të diasporës, për tu bërë bashkë në Tiranë dhe për të vazhduar traditën e mbajtjes së kuvendeve demokratike shqiptare, ku flitet gjerë e gjatë për shqiptarët dhe për atë që i bashkon dhe i mbanë të bashkuar.