LIRI PËR PROF. DR. Sadri Ramabaja

Drejtuar:
Qeverisë së Republikës së Kosovës
Kombeve të Bashkuar për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë
Amnestisë Insternacionale

SOLIDARIZIM – PROTESTË!
LIRI PËR PROF. DR. Sadri Ramabaja

Praktika e demokracisë është praktika e mendimit të lirë! Frika që ligji i pushtetit për kontroll të mendjes së lirë, për t’kontrolluar shtypin e lirë, mendimtarët parimor, që pastaj të shpie në burgosjen e intelektualëve të popullit karshi atyre të pushtetit, u bë dhe po bëhet realitet! Burgosja e intelektualëve të popullit, asgjësimi fizik i simboleve rinore, rrahja e gazetarëve, është treguesi më i mirë, që në Kosovë, të jesh vetja jote, të jesh ai që je, është një gjë që të kushton: me kërcënime, burgosje e madje – madje me jetë! Profesorit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Sadri Ramabajës, teoritë e tija për shtetin dhe mbishtetin, i kushtuan hë për hë me burgosje dhe përvojat dëshmojnë, që t’burgosurit politikë, në burgjet e Kosovës humbin edhe jetën!

Ne krijuesit e mërgatës shqiptare në botë dhe në veçanti krijuesit e arteve të ndryshme në Zvicër (shkrimtarë, poetë, dramaturgë, skulptorë, piktorë, mësues e profesorë dhe studentë) kërkojmë nga “drejtësia në Kosovë”, nga prokuroria, gjyqësia dhe shteti që:

– Prof. Sadri Ramabaja të lirohet menjëherë nga burgu!

– Që të ndërpritet çfarëdo lloj hetimi që ka të bëjë me një rast inekzistent si përfshirje direkte e profesorit Universitar!

– Të ndërpritet mediokriteti i pushtetarëve dhe veglave të tyre duke i sjell vendit dëme të jashtëzakonshme!

– Kërkojmë një ndryshim konceptual të pushtetit karshi Intelektualëve që nuk janë pjesë e oborreve të pushteteve heretike!

– Opinioni publik është barometri më i mirë për t’kuptuar se çfarë do thotë burgosja e Intelektualëve nga një pushtet; Ai opinion e do një intelektual të ngjashëm me Garsia Lorken dhe jo një pushtet të njejtë me Pinoçen!

– Me burgosjen e Sadri Ramabajës, ju atë e shndërruat në Garsia Lorkë teksa veten tuaj e shndërruat në pushtet si të Pinoçes!

– Të gjitha shtetet zanafillën e idesë së formimit të shtetit e kishin tek intelektualët! Të gjitha pushtetet theqafjen e tyre e kanë përjetuar në momentin që u kanë hapur luftë Intelektualëve!

– Prandaj, ne krijuesit, të mbledhur sot në Minipanairin e Librit Shqip në Luzern, kërkojmë, jo theqafjen e pushtetit por lirinë e Intelektualit, profesorit universitar dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, z. Sadri Ramabaja!