Roli i fëmijëve në pandemi po bëhet më i qartë

Përderisa nuk ka dyshim se fëmijët mund të infektohen me SARS-CoV-2, pyetjet ende mbesin pa përgjigjeje të plotë në lidhje me ngjitjen e sëmundjes tek ata. Sipas specialistëve, duhet të bëhet një dallim midis fëmijëve nën 12 vjeç dhe më të rritur, tek të cilët virusi qarkullon shumë.
Përktheu dhe përgatiti: Mirishahe Limani Hiler

– Cili është problemi

Problemi është se ekzistojnë të dhënat që janë nganjëherë të kundërta midis studimeve e që e bëjnë akoma shumë më të vështirë punën e komunitetit shkencor, megjithëse disa prova tani duket se po shfaqen të qarta.

– Cila është gjendja që e dijmë tash?

Fëmijët mund të infektohen po aq sa të rriturit

Përkundër disa pohimeve të bëra gjatë valës së parë, sot nuk ka dyshim se fëmijët mund të infektohen me SARS-CoV-2, poashtu ata janë në gjendje ta transmetojnë atë te njerëzit e tjerë shkruan gazeta Le Temps.

Pyetja mbetet deri në çfarë mase?

“Në fillim të epidemisë, fëmijët nën 16 vjeç përfaqësonin midis 1 dhe 2% të të gjitha rasteve të diagnostikuara në laborator, gjë që është mjaft befasuese për një virus të frymëmarrjes, analizon Arnaud L’Huillier, pediatër dhe specialist i sëmundjeve infektive në Spitalin Universitar të Gjenevës (HUG). A ndodh që të infektohen më pak apo të mos diagnostikohen për shkak të prezantimeve më të lehta ose atipike klinike? Të gjithë janë përpjekur t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, por, edhe sot, të dhënat janë konfliktuale “.

Paragjykim në shqyrtim
Studimet e para që do të kryheshin në këtë drejtim u përqendruan në grupe familjare, në mënyrë që të përcaktohet probabiliteti i infektimit midis anëtarëve të së njëjtës familje. “Sipas këtij studimi, rreziku i infektimit të fëmijëve kur ekspozohen ndaj një personi që doli pozitiv ishte dy deri në tre herë më i ulët sesa për të rriturit që jetojnë nën të njëjtën çati”, shpjegon Arnaud L’Huillier.

Shumica e studimeve evropiane të seroprevalencës të cilat zbulojnë praninë e antitrupave anti-SARS-CoV-2 në gjak, kanë sugjeruar gjithashtu që fëmijët infektohen më rrallë.

Në Gjenevë, megjithatë, kemi ardhur në përfundime të ndryshme, me rezultatet që tregojnë për gati 9% të seroprevalencës tek fëmijët, përkundrejt gati 10% në pjesën tjetër të popullsisë. Kjo bënë të kuptojmë që fëmijët po i arrijnë të rriturit për sa i përket ndjeshmërisë ndaj virusit. ”

MLH