Ka reaguar Shoqëria Civile, pas ardhjes që kanë nisur të bëhen nga Shqipëria në Kosovë. Qindar Shqipërisë të prekur nga tërmeti tragjik, po kërkojnë strehim në Kosovë. Ndërkohë Shoqëria Civile gjatë ditës së premte ka reaguar duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga institucionet e Kosovës, në mënyrë që të arrihet të menaxhohet gjithcka me sukses.
Sipas këtij njoftimi pavarësisht hapjes së Kampit të Inovacionit në Prizren, kërkesat për strehim ishin shumë më të mëdha.
“Më 26 nëntor Shqipëria u godit nga një tërmet shkatërrimtar, me pasoja në njerëz dhe dëme të mëdha materiale. Për shkak të kushteve të krijuara, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Shqipërisë janë drejtuar drejt Kosovës për të gjetur strehim në këto ditë të vështira për ta. Solidariteti i popullit të Kosovës ishte i pashembullt, si për të ofruar ndihma materiale e financiare, e gjithashtu duke ofruar strehim për të gjithë nevojtarët. Përderisa institucionet e Republikës së Kosovës ishin të parat që reaguan në këtë situatë emergjente duke dërguar në afat rekord forcat e specializuara në Shqipëri, fluksi i njerëzve që kanë hyrë në Kosovë ka mbetur i pa menaxhuar. Pavarësisht hapjes së Kampit të Inovacionit në Prizren, kërkesat për strehim ishin shumëfish më të mëdha”, thekson njoftimi.
Në njoftim thuhet se në mungesë menaxhimi institucional, kanë dal në pah informata jo të plotë.
“Në mungesë të menaxhimit institucional, qytetarë e nisma qytetare të shumta u vetorganizuar për të identifikuar mundësi strehimi dhe ndërmjetësim për akomodimin e qytetarëve të Shqipërisë, sidomos mbrëmë. E gjithë kjo ka nxjerrë në pah mungesën e plotë të informatave, koordinimit dhe mbi të gjitha udhëzimeve nga institucionet përgjegjëse se si të veprohet në këtë situatë. Nëse gjendja e njejtë përsëritet sonte dhe në ditët në vazhdim, nga solidariteti shembullor dhe euforia gjithë popullore për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë situata në fjalë rrezikon të dalë nga kontrolli”, thuhet tutje.
Lidhur me këtë Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, në këtë njoftim rikujtojnë përgjegjësinë e institucioneve që të menaxhojnë situatat e tilla, duke koordinuar aktivitetet zyrtare dhe duke informuar e udhëzuar qartë qytetarët e interesuar.
“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të krijojë një shtab emergjent qendror, i përbërë nga të gjitha institucionet përgjegjëse që do të ndërmarrin dhe koordinojnë të gjitha veprimet në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë në Kosovë”, thekson shoqëria civile.