PSE NUK PASUROHEN FJALORËT ME FJALË TË REJA

Disa fjalë për Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe (2002) dhe Fjalorin e Gjuhës Shqipe (2006)

Shkruan: Sami Islami, Londër

Gjuha, si një organizëm i gjallë, duhet të ecë bashkë me zhvillimin shoqëror, ekonomik e kulturor të një vendi, të një kombi. Po nuk eci me të njëjtin ritëm, ajo do të mbetet shumë e mangët, prandaj nuk do të mund t’i ndjekë arritjet shkencore, kulturore etj. Në këto ndryshimet e mëdha, si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri, nevoja për të punuar në këtë fushë, siç dihet, është tepër e madhe.

 

Fatkeqësisht, duhet ta pranojmë se, duke e mbajtur parasysh këtë dinamikë të zhvillimeve që po ndodhin tek ne dhe rreth nesh, kemi bërë pak, thuaja aspak në fushën e grumbullimit të thesarit të gjuhës sonë shumë të pasur, sidomos në këto dy-tri dekadat e fundit. Në këtë kontekst, barra kryesore duhet të bjerë mbi Institutet e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës dhe të Prishtinës, të cilat, prej botimit të fjalorit të gjuhës shqipe të vitit 1980 e deri me botimin e fundit më 2002 dhe 2006, kanë futur aq pak fjalë të reja, saqë, po të kihen parasysh zhvillimet shoqërore që janë bërë brenda kësaj kohe, është diçka që nuk mund të krahasohet. Dhe, nëse bëhet pyetja: pse ndodhi kështu, nuk di se dikush mund të japë një përgjigje që do të na e mbushte mendjen, ose që do të arsyetonte këtë gjendje.

Çështja pse jemi në këtë situatë, mund të shpjegohet më së miri me papunësinë tonë, e në rend të parë me papunësinë e instituteve tona të gjuhësisë, si atij të Tiranës, po ashtu edhe atij të Prishtinës. Shtëpitë botuese “Toena”, “Rilindja” , “Gjergj Fishta” etj. botojnë herë pas here, edhe fjalorë, por ato më tepër “kujdesen” se si do të duket fjalori (nga pamja e jashtme), sesa çfarë ka brenda! Preokupimet e tyre janë më shumë se si të bëjnë para, prandaj më shumë kujdes i kushtojnë, siç thamë, pamjes së jashtme!

Duke u nisur nga ky “parim”, botohen fjalorë, ribotohen ata, por pak ose aspak të pasurohen me fjalë të reja. Fjalori i vitit 1981, që u botua në Prishtinë (prej dy vëllimesh), ishte ai që u botua në Tiranë më 1980. Më 1984 u ribotua, por prapë i njëjtë ose me pak ndryshime. Shtëpia botuese “Toena” e ribotoi prapë më 2002, prapë i njëjti fjalor, pa fjalë të reja në të, ashtu sikur edhe botimi i fundit i vitit 2006! Mjaftoi që fjalori po shitej! Mund të bëhet pyetja: ku janë institucionet tona, që duhet të merren me këtë punë? A mos po mendojnë ato se, për sa i takon çështjes së thesarit të gjuhës shqipe (leksikografisë), është punë e kryer? Çfarë është bërë në sferën e mbledhjes së thesarit të gjuhës sonë? A duhet të rrimë e të vëzhgojmë se si fjalët e ndryshme (sidomos ato më të vjetra) një ditë të humbasin fare, ose këto të rejat (të huajat) të nguliten në gjuhë e të mos kemi ç’të bëjmë? Në këtë kontekst, mund të bëjmë një varg pyetjesh, por a na ndihmojnë këto për të dalë nga gjendja ku jemi? S’do koment, se jo. Atëherë, çfarë të bëhet, në mënyrë që të dilet nga kjo situatë?

Mendoj se dy janë rrugët që duhen ndjekur për të ecur përpara:

  1. a) E para, të organizohen njerëz, (studentë, punëtorë shkencorë etj.), nën udhëheqjen e Institutit të Gjuhësisë (por edhe në baza vullnetare, pse jo?) për mbledhjen sa më të shpejtë të thesarit ekzistues të gjuhës shqipe (sepse po nuk u ndërmor diçka e tillë, shumë shpejt një pjesë e madhe e fjalëve do të zhduken) dhe
  2. b) E dyta, të mblidhen me kujdes fjalët e reja, që tashmë janë futur në gjuhën shqipe, natyrisht duke u bërë një seleksionim (zgjedhje) e duhur.

Po t’i referohemi, p.sh., fjalorit të vitit 2002 por edhe atij 2006 (ribotim i plotësuar me fjalë të reja!?), del se gjuha jonë paska diku rreth 35.000 fjalë sipas botimi të vitit 2002 dhe rreth 41.000 fjalë, sipas botimit të viti 2006!

Në parathënien e botimit të dytë (2002) gjejmë këtë fjali: “Korpusi i fjalorit është pasuruar me fjalë dhe kuptime të reja… sidomos ato që pasqyrojnë zhvillimet e ndryshimet e shoqërisë shqiptare pas vitit 1990”. Kurse në botimin e vitit 2006, kemi këtë pohim: “Në fjalor janë përfshirë shumë fjalë, shprehje e kuptime që përdoren sot në shqipe dhe nuk gjenden në fjalorët e mëparshëm shpjegues të shqipes” Mirë fort! Ashtu do të duhej të ishte, që fjalori të ecte me kohën dhe “të pasqyronte zhvillimet e shoqërisë shqiptare”, dhe “nuk gjenden në fjalorët e mëparshëm shpjegues të shqipes” (2006)! Po atëherë një varg fjalësh të reja, që u futën në gjuhë, bile edhe para vitit 1990, dhe që nuk u mblodhën kurrë (në fjalorin e 2002-ës dhe me pak “kozmetikë” në fjalorin e 2006-ës), a hyjnë edhe këto në “zhvillimet” apo janë fjalë që nuk duhet t’i pranojmë dhe duhet t’i nxjerrim nga gjuha?

Fjalë të tilla sot kemi plot, por sa për ilustrim po i përmendim disa, si: implementim, menaxhim (në fjalorin e 2006 këtë fjalë e gjejmë si “menazhim”), interference etj., që prej ’90-ës, e disa edhe më herët, janë përdorur, po në fjalor nuk janë. Përdoruesi më kot do të hapë fjalorin për t’i kërkuar këto e shumë fjalë të tilla. Tepër interesant është fakti se botimi i fjalorit të fundit (2002) sigurisht se është bërë me kompjuter, po as fjala kompjuter (2002) nuk është në fjalor!. “O tempora o mores”, do të thotë një fjalë latine (O kohëra të çuditshme, o njerëz të çuditshëm!).Mirë që në 2006 kjo fjalë u fut në fjalor!

Po ashtu, mungojnë (në botimin e 2002-ës) të gjitha fjalët e reja që lidhen me kompjuterin, i cili sot është bërë pjesë e pandashme e jetës dhe e punës sonë. Të tilla fjalë janë: internet, chat. (për “bisedë”, por tek ne ka marrë kuptimin kryesisht për bisedë në internet) CD (nga ang. Compact Disc), ), DVD, klik-oj /fjalë onomatopeike/ ) etj. Janë bërë disa përpjekje që të përkthehen disa fjalë të sferës kompjuterike, si dritare (për angl. window), disketë (për floppy disc), fjalëkalim ose parullë (për password), lajmëtar (për messenger) etj., por versioni anglisht ka mbetur më dominues, kështu që edhe në këtë formë kanë hyrë në gjuhën e shkruar e të folur.

Këto fjalë, edhe para botimit të fjalorit të 2002-ës, kanë qenë në përdorim, por deri me 2006 -ën kanë mbetur të pa prekura. Në fjalorin e 2006-ës u futëm disa si internet, klikoj (klikim), disketë, parullë etj. Pjesa tjetër nuk është marrë pothuaj fare!. Bile as sot nuk është bërë përpjekje në mënyrë institucionale për të gjetur korrespondentët e tyre në shqip (të përkthehen), as nuk janë përfshirë, ashtu siç janë, në ribotim. Shtrohet pyetja: çfarë të bëhet me këto fjalë, që e kanë vërshuar gjuhën e sotme shqipe? T’i hedhim jashtë përdorimit, nuk mundemi, se janë futur thellë në përdorimin e përditshëm. Çfarë të bëjmë atëherë? T’i fusim brenda në fjalorë?

E mira do të ishte, mendoj unë, sikur të kishim pasur mundësi të ndjekim një rrugë, siç e pat ndjekur gjuha kroate disa dekada më parë, e cila pothuaj për çdo term të huaj krijoi një fjalë të veten, madje atje gjuha letrare qe sanksionuar me ligj. Pra, kush nuk do ta zbatonte gjuhën letrare në shkolla, në medie etj., do të gjobitej.

Bile më kujtohet se një gazetë shumë prestigjioze kroate (“Vjesnik”) pat shpallur një shpërblim për atë lexues, i cili do të gjente ndonjë fjalë të huaj apo ndonjë gabim gjuhësor a drejtshkrimor. Të theksojmë, kjo ishte se kush gjen gabime në gazetë, se për sa u takon teksteve shkollore ose librave të tjerë, të mos flasim. Atje kriteri i përdorimit të gjuhës duhet të ketë qenë edhe shumë më i ashpër.

Por, situata te ne është ndryshe. Fjalët e huaja (por, jo vetëm) tashmë e kanë vërshuar gjuhën shqipe, pothuaj në tërë shtrirjen territoriale. Dhe pyetja tjetër, që mund të shtrohet, është kjo: A është më lehtë t’i fusim fjalët në fjalor (sepse njerëzit, shumicën e këtyre fjalëve, siç thamë tashmë, i kanë në përdorim të përditshëm), apo gjuhëtarët të marrin tani rolin e arbitrit, duke dalë me shkrime a me emisione të ndryshme në mjetet e informimit për t’i ndaluar njerëzit të mos e përdorin këtë apo atë fjalë?

Mendoj se edhe ky problem ka zgjidhje. Nuk është në asnjë mënyrë dobiprurëse, as gjë e mençur, nëse përpiqemi sot t’i heqim këto fjalë nga përdorimi. Sepse, edhe në të kaluarën, fjalët kanë qarkulluar kështu gjatë gjithë historisë. Kanë hyrë fjalët prej një gjuhe në një gjuhë tjetër, varësisht se cila ka qenë më dominuese për kohën dhe kanë mbetur. Shembuj të tillë ka shumë, si në gjuhë të tjera, pra edhe në gjuhën shqipe. Njëherë u quajtën fjalë të huaja, por, kur dikush ngriti zërin për t’i larguar dhe u pa se nuk mund të largoheshin, u quajtën huazime! Gjuha shqipe (por edhe gjuhët e tjera), p.sh., gjatë zhvillimit të saj historik kishte “huazuar” fjalë nga latinishtja, greqishtja, turqishtja etj.

Huazime, që nuk ua kthyem kurrë gjuhëve prej nga i kishim marrë! Ashtu, sikundër që gjuhët fqinje, p.sh., edhe pse jo në numër aq të madh, fjalët shqipe i përvetësuan dhe i bënë si të vetat. Dua të jap vetëm një shembull: Nëse një fjalë e huaj përdoret në gjuhën angleze për një vit, anglezët vitin tjetër e fusin në fjalor. Kjo për arsye se tendenca për t’i larguar fjalët e huaja në të kaluarën kishte dalë e padobishme, siç ishte rasti i një gjuhëtari anglez i shekullit të kaluar. Ai kishte dashur që “t’i përjashtonte”të gjitha fjalët e huaja. Mirëpo, kur e kishte parë që gjuha angleze kishte mbetur gati pa fjalë për komunikim, i kishte kthyer të gjitha ato fjalë që më parë i kishte hequr! Pse të mos zbatohet kjo praktikë edhe në gjuhën tonë? Disa fjalë edhe nuk ka mundësi “të përkthehen”, si, p.sh, “kompjuter” , “internet” etj. Unë mendoj që fjalët e reja duhet të trajtohen me kujdes.

Të përpiqemi t’ua gjejmë korrespondenten në gjuhën tonë dhe t’i lëmë të qëndrojnë bashkë, e njerëzit le ta përdorin cilën të duan. Dhe me kohë do të shihet se cila do të jetë më e suksesshme, fjala jonë apo ajo e huaja? Sepse, nganjëherë, siç e dimë nga historia, fjala e huaj ngulitet dhe e “përjashton” fjalën autoktone.

Le të përmendim, me këtë rast vetëm fjalën “jo”, që vjen nga turqishtja “jok”, por që sot është fjalë shqipe, bile disa njerëz që nuk merren me probleme gjuhësore do të çuditeshin kur të kuptonin se kjo është fjalë e huaj. Fjala shqipe e vërtetë për “jo” është “nuk”, e cila thuaja se u zhduk fare nga përdorimi (përdoret vetëm në disa të folme të Tetovës, Gostivarit a Kërçovës).

Pra, kjo punë është dashur të bëhet nga Instituti i Gjuhësisë, që “korpusi i fjalorit të pasurohej me fjalë të reja”(2002) dhe “…nuk gjenden në fjalorët e mëparshëm shpjegues të shqipes“ siç edhe konstatohej në parathënien e viti 2006.