Prof. Dr Alban Y. Neziri, me Qendër moderne gjinekologjike në Langenthal të Zvicrës

 

Një nga personalitete e shquara të mërgatës sonë në Zvicër, doktori i dyfishtë i shkencave mjekësore, Dr. Dr Alban Y. Neziri, në praninë e  rreth 200 mysafirëve, shqiptarë e zviceranë, bashkë me kryetarin e qytetit të Langenthalit, Reto Müller, hapi Qendër e tij moderne gjinekologjike

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Padyshim se në mesin e gjeneratës së re në Zvicër, emri i Alban Y. Neziri, me prejardhje nga Peja, ka një simbolikë në vete, sepse ai personifikon brezin e art të shqiptarëve të ri në shtetin helvetik, jo vetëm me faktin se ai në moshën 34 vjeçare mbrojti dy doktorata shkence vetëm brenda dy muajsh në Bernë të Zvicrës dhe Gracë të Austrisë, por njëherësh ishte edhe në mesin e ideatorëve dhe themeluesve të Shoqatës së mjekëve shqiptarë në Zvicër, shoqatë kjo që aktualisht numëron rreth 400 mjekë me prejardhje nga gjitha trojet etnike.

Për personalitetin e këtij mjeku, dhe famën që ka krijuar  jo vetëm te mërgata jonë por edhe në mesin ku jeton, dëshmon edhe ceremonia e hapjes së mbrëmshme të kësaj qendre private gjinekologjike ordinancës në qendër të qytetit të Langenthalit.

Në këtë ceremoni të hapjes krahas dhjetëra mjekëve shqiptarë dhe personaliteteve tjera nga fusha e mjekësisë, bizneseve e të tjera, pati edhe përfaqësues zviceranë, pos nga fusha e shëndetësisë, edhe nga jeta shoqërore e institucionale në krye me z. Reto Müller, kryetar i komunës së Langethalit. Me këtë rast kryetari i qytetit të Langethalit, krahas asaj që i vizitoi gjitha lokalet e kësaj ordinance i dorëzoi doktor Albanit edhe një fletëshkresë urimi, ku në emër të tij të dhe të banorëve të këtij qyteti me rrethinë shumë sukses, duke e vlerësuar këtë edhe një arritje edhe për vet Langethalin.

Ordinanca e re e porsahapur, e pajisur me gjitha mjetet në disa dhoma pune e laboratori e me sallë përkatëse për konferenca, përbën një objekt me kushte optimale për një ordinancë moderne gjinekologjike.

Këtë gëzim dhe arritje të Albanit, madje edhe duke e hap e para derën e kësaj qendre gjinekologjike, ishte pikërisht nëna e tij, Mane Nezir, profesorësh e gjuhës shqipe në pension e cila bashkë me të shoqin e ndjerë, Ymer Nezirin dhanë një kontribute të veçantë në arsimimin e shumë brezave në rrethinën e Pejës dhe në pjesë të tjera të Kosovës. Ceremonia nuk u shënua vetëm me lule e dhurata simbolike, por edhe me tinguj muzike por edhe përshëndetje gjatë një darke të shtruar. Me këtë rast përshëndetën dhe i uruan shumë suksese Albanit në hapjen e ordinancës, afaristi i njohur Fehmi Fetahi, pronar i “Fetaxid-it, mjekët kolegë, qoftë nga pozita prej miku apo edhe të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër: Sami Dalipi, Mentor Bilali e të tjerë, duke e kthyer ketë ceremoni në një gazmend më shumë se familjar, si një arritje të përbashkët të vet shqiptarëve në shtetin mik, helvetik.

Ndër të tjera doktor Albani, në fb e tij, me rastin e hapjes së kësaj qendre shënoi edhe një moment mjaft prekës: Sot, si gjithmonë pata afër engjëllin tim mbrojtës, NËNËN time! Sot pata në krahun tjetër edhe LAQEN, që më ndihmoj shumë gjatë gjithë karrierës sime! Megjithatë, sot, më mungoj shumë idoli im, sot më mungoj shumë përqafimi triumfues e krenar i BABAIT tim! Por, hijen e tij e pata shumë afër, e  ndjeva në shpirt!  Shokëve, miqve e familjarëve të shumtë, ju falënderohem nga zemra për kurajën e dhënë dhe urimet e panumërta!