Në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, prointegra, uron të gjithë studentët shqiptarë

Sot, në kuadër të kësaj dite të rëndësishme studentore, në emër të portalit tonë “prointegra.ch”, përgëzojmë dhe urojmë të gjithë studentë shqiptar, qoftë në trojet etnike apo mërgatë, aq më parë që ata përbëjnë  pasurinë, shpresën dhe trashëgiminë tonë më të ndritshme, ndaj me këtë rast ju urojmë shumë suksese në studime.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Pikërisht studentët janë ata që na bëjnë më të lumtur e krenarë dhe përbëjnë shpresën tonë më të madhe për ardhmërinë më të ndritshme të kombit tonë, qoftë në trojet etnike apo mërgatë.

Nga pozita e një gazetari sa herë që kam përcjellë mbrojtjen e shkëlqyeshme të titujve akademik nga ana e studentëve tanë kam mbet më se i lumtur e krenar. Aq më parë kur në një rast në Gjenevë shkoja për të marrë pjesë në ceremoninë ndarjes së diplome të magjistraturës për një arkitekte të re, e kur brenda mbrëmjes në skenë defiluan edhe 5 studentë të tjerë që po atë mbrëmje kurorëzoheshin me tituj akademik.

Vlersojmë lartë jo vetëm numrin në rritje të studentëve shqiptarë në mërgatë, por edhe organizimin e tyre nëpër shoqata studentore shqiptare, qoftë në Zvicër apo kudo nëpër universitetet më prestigjioze evropiane. Shumë nga ata që përfunduan studimet në këto universitete sot janë bërë emra të njohur në institucione me renome në vendet ku jetojnë. Por jo vetëm këtu por edhe në trojet shqiptare, por fatkeqësisht ata që kryejnë studimet në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni , shumë nga ta duhet të kthehen në kamerier apo pastrues(!), ngase në institucioni ekziston droja se mund tua rrezikojnë karrierën njerëzit e ri e të aftë.

Me disa rreshta ti kthehemi Ditës Ndërkombëtare të Studentit, që  përkujton 17 nëntorin e vitit 1939, kur forcat naziste ndërhynë në Universitetin e Pragës, pas demonstratave studentore kundër pushtimit të Çekosllovakisë dhe ekzekutuan pa gjyq të nëntë udhëheqësit e demonstratave studentore, duke dërguar mbi 1.200 studentë në kampet e përqendrimit, mbyllën të gjitha universitetet dhe i shndërruan në kazerma ushtarake. Për shkak të kësaj ngjarje të pashembullt, 17 nëntori është shpallur Dita Ndërkombëtare e Studentëve.

Por, shikuar në të kaluarën e afërme edhe studentët shqiptarë në Kosovë përjetuan thuaja se njëjtin fat sikur të studentëve të Universitetit të Pragës, kur mijëra studentë shqiptarë u dëbuan nga regjimi fashizoid i Sllobodan Millosheviqit, ndërsa u lënë brenda vetëm studentët serbë!

( Në foto: shkrepjet e mija me studentët shqiptarë në Cyrih, Ferizaj dhe Krujë, ku takova grupin e studentëve shqiptar nga Korça )