Pritje vëllazërore nga bashkiakët e Horës së Arbëreshëve dhe Kundisës në Sicili

 

Gjatë vizitës së fundit në ngulmët arbëreshe në rrethin e Palermos të ishullit të Sicilisë në Italinë Jugore ekipi i “prointegrës” hasi në një pritje të përzemërt të popullatës vendase, por edhe të autoriteteve të bashkive dhe të institucioneve tëndryshme, përfshi edhe ato fetare dhe kulturore e arsimore, sidomos në Horën e  Arbëreshëve ( Piana degli Albanesi), nga kryebashkiaku, Rosario Petta e Kundisa (Contessa Entellina) nga kryetari i Bashkisë së këtushme, Leonardo Spera,

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Gjatë inaugurimit të shkollës së porsa meremetuar, ku mbahen edhe dy orë të mësimit shqip, na priti edhe kryebashkiaku komunës së Horës së Arbëreshëve ( Piana degli Albanesi), z. Rosario Petta, në zyrën e të cilit  valonte flamuri shqiptar i përdorur edhe në periudhën e lavdishme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kryebashkiaku, Rosario Petta, një udhëheqës dinamik dhe përplot sharmë me veshje solemne, ndonëse i zënë me shumë vizita gjeti kohë për të prit e falënderuar ekipin tonë për të vizituar dhe popullarizuar katundet arbëreshe të kësaj ane. Ai të magjeps edhe me sjelljet e afërta me palë dhe me gjithë ata që komunikon e bashkëbisedon.

Edhe dy fjalë sa i përket Horës, që drejtohet nga vëllai ynë arbëresh, Rosario Petta: Ajo u themelua në 30 gusht te vitit 1488, ndërsa, që banoret u shpërngulën ne ishull në vitet 1480, kur osmanet sulmuan trojet shqiptare ne Adriatik. Do theksuar se Bashkia e Horës përdor dokumente zyrtare dygjuhësore: shqip dhe italisht, në bazë të ligjit për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali. Ndërsa që edhe toponimet në rrugë e në lagje janë dygjuhëshe.

Po në Hora të arbëreshëve, gjatë manifestimit shkollor në Shkollën fillore “Skandërbeg” që numëron mbi 200 nxënës, takuam edhe drejtues dhe policë lokal kryesisht me përkatësi arbëreshe që mbanin në gjokes medaljone me shqiponjën dykrerëshe. Ishte mahnitse edhe pritja ne Katedralen e arbëreshe të Horës ku famullitari këtushëm me një kulturë të gjerë edhe në fushën e artit e letërsisë, na tregoi m e qindra mijëra libra që ruhen në Dioqezën e kishës ortodokse bizantine, madje edhe me mijëra nga shekulli i 15 e këndej.

Derisa vizituam edhe ngulmin e njohur dhe më të vjetër arbëresh në Italinë e Jugut,  Kundisa (Contessa Entellina), jo vetëm që hasëm në pritje te nëpunësit e Bashkës së këtushme por patëm në pritje edhe nga kryetari i Bashkisë së këtushme, Leonardo Spera, në sallën solemne, ku valonte edhe flamuri shqiptar e në ballë të murit qëndronte krenarisht portreti i Skënderbeut. Me këtë rast Kryetari i Bashkisë, Leonardo Spera, na njoftoi në pika të shkurta me karakteristikat kryesore të zhvillimit ekonomiko- shoqëror të Kondises, e cila si bazë kryesore ka bujqësinë, vreshtarinë e blegtorinë, por edhe turizmit për shkak të historisë së lartë dhe të traditave kulturore arbëreshe që ruan katundi

Sa i përket këtij katundi në një mbishkrim në tri gjuhë, përfshi edhe shqipen shkruan se : “Horën e Kuntisës fillimisht u banua në vitin 1520. Pas përpjekjes së parë që bënë disa arbëresh nga Sicilia, u vendos të thërrisnin njerëz nga Ballkani për të banuar zonat Kalatamauros. Sipas dokumenteve Horen e re të Kuntisës e themeluan grupe arbëreshësh që erdhën nga ishulli Andros në Greqi. Qenë këta arbëreshet që në dhjetorin e vitit 1520 firmosën Kapitujt të themelimit , dokumenti i parë që vërteton lindjen e qendrës së re të banuar nga arbëreshët në Sicili…

Përmes këtij shkrimi krahas banorëve të këtyre vendbanimeve arbëreshe falënderoj në emër të shoqëruesve të mi edhe kryebashkiakët dhe autoritetet e këtushme, që na hapën dyert dhe na krijuan mundësi për tu njohur me bashkitë që drejtojnë.

Krejt në fund dëshira jonë është që të thellohet bashkëpunimi midis këtyre bashkive dhe komunave të ndryshme të Kosovës si parakushte edhe për ndërkomunikime kulturore e arsimore.

Edhe njëherë: faleminderit shumë dhe siç thoni ju vëllezërit dhe motrat arbëreshe: me shumë shpirt e zemër: “Rrini me shëndet!”