Përsëri përpjekje për tu anëtarësuar në INTERPOL

Pas dështimit që Kosova pati vitin e kaluar, për tu anëtarësuar në INTERPOL, është bërë e ditur se një gjë e tillë do të provohet edhe këtë vit. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë përpjekejt e tyre për anëtarësim edhe këtë vit, dhe jo vetëm në INTERPOL, por gjithashtu edhe ne Këshillin e Evropës dhe organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Në njoftimin e ministrisë është bërë e ditur se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe po pritet vetëm të vazhdohet me procedurat e rregullta. Por, duke pasur parasysh problemet që Kosova pati për anëtarësim në INTERPOL vitin e kaluar, nuk kanë dhënë më shumë detaje, duke u thënë se do ti lihet kohës ta dëshmojë bashkëpunimin dhe kontaktin e krijuar me shtetet anëtare.

Madje mesa duket nuk është INTERPOLI i vetmi cak që ministria ia ka vënë vetes. Është thënë se po bëhen përpjekje maksimale që Kosova këtë vit të anëtarësohet edhe në organizata tjera me peshë dhe renome ndërkombëtare dhe se imazhi i Kosovës do të ndryshojë tërësisht.

Në anën tjetër, deputetja e opozitës nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu u shpreh pesimiste rreth asaj që Kosova të mund të anëtarësohet në ndonjë organizatë gjatë këtij viti.

Pas dështimit që Kosova pati vitin e kaluar ku nuk mundi të anëtrësohej, disa herë u kërkuar dorëheqja e ministrit Behxhet Pacolli, e në vecanti nga Lëvizja Vetëvendosje!.  Madje deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se është turp që ne kemi një ministër si Pacolli, i cili në vend se të punojë për interesat e vendit, po interesohet që ta qojë edhe më përpara biznesin e tij personal. Sipas Haxhiut, kjo po e dëmton vendin dhe do të na kushtojë shumë në të ardhmen. Ajo ka thënë se nga një ministër i tillë nuk ka progres, por vetëm regres.

Kurse sa i përket INTERPOL-it, shteti i Kosovës ka nisur tentativat për anëtarësim që nga viti 2010.  Në vitin e kaluar më 20 nëntor, Kosova nuk kishte arritur të bëhet anëtar i INTERPOL-it,  pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

Përveç Këshillit të Evropës dhe INTERPOL-it, janë edhe një numër i madh i organizatave që Kosova ende nuk është anëtarësuar.