Në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, në prani të tre ministrave të diasporës, pasditen e 17 majit, filloi Konferenca me temën: “Diaspora Flet”, e organizuar nga OJQ “Germin”, në kuadër të programit për Dialogun e Strukturuar për të Drejtat e Diasporës e cila tuboi më se 120 përfaqësues të mërgatës sonë në Perëndim
Teksti dhe fotot Rexhep Rifati
Paraprakisht në këtë konferencë një fjalë shumë përmbajtjesore nga përvoja e tij në diasporën e Irlandës e mbajti z. Kingsley Aikins, njeriu që, siç u tha nga prezantuesja, 21 vite më parë arriti të bashkojë diasporën e Irlandës dhe të mbledhë një fond prej 250 milionë dollarë nga ky komunitet, të gjitha investime të shpërndara në projekte dhe shërbime konkrete kulturore, edukative dhe bamirësie për vendin e tij, vjen për herë të parë në Kosovë.
Më pastaj Ministrat e Diasporës së tre shteteve të Ballkanit Perëndimor: Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, ishin pjesë e një paneli diskutimi në kuadër të kësaj konference. Edhe atë : Ministri për Diasporën për Kosovë, Dardan Gashi, homologu i tij nga Shqipëria ministri Pandeli Majko, si dhe ministri Edmond Ademi nga Maqedonia, të cilët folën për mënyrat e vendosjes së qëllimeve kryesore për angazhimin e diasporës në vendet e origjinës, bashkëpunimet ndër-shtetërore dhe planet e angazhimit në të ardhmen, si dhe për shfrytëzimin e potencialit të diasporës drejt zhvillimit të Ballkanit Perëndimor. Panelin me shumë kompetencë e moderoi Liza Gashi, Drejtoreshë e Programeve, Germin, e cila gjithashtu në hapje mbajti një fjalë shumë motivuese e mbresëlënëse, duke lënë përshtypjen se femrat e reja kanë dije dhe kapacitet për organizime edhe më të mëdha.
Paneli i ministrave paraqiti edhe parimet e politikat kryesore drejt angazhimit të diasporës nga secila qeveri, si dhe iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve lidhur me disa çështje me të cilat aktualisht preokupohet mërgata shqiptare në shtetet perëndimore.














































