Isuf Ismaili: Përcaktimi i vendit të formimit të bashkëtingëlloreve

Për klasifikimin e bashkëtingëlloreve janë marrë parasysh: vendi i formimit, mënyra e formimit, pjesëmarrja e zhurmës, pjesëmarrja e zërit, rezonanca hundore.
Për të përcaktuar vendin e formimit të bashkëtingëlloreve, mbështetemi në organin aktiv dhe pasiv që merr pjesë në nyjëtimin dhe formimin e pengesës.
Sipas organit aktiv bashkëtingëlloret ndahen në: buzore, gjuhore dhe glotale.
Bashkëtingëlloret buzore nyjëtohen me pjesëmarrjen aktive të buzëve. Këto ndahen në dy grupe:
– dybuzore, pengesa formohet, kur dy buzët formojnë mbyllje: p, b, dhe m.
– buzore – dhëmbore, pengesa formohet, kur buza e poshtme afrohet te dhëmbët e sipërm: f, v.
Bashkëtingëlloret gjuhore ndahen:
– në paragjuhore: t, d, ll, c, x, s, n, l, rr, ç, xh, zh, th, dh.
– mesgjuhore: q, gj, nj, j.
– prapagjuhore: k, g.
Bashkëtingëlloret paragjuhore ndahen në: majore (apikale) dhe në kulmore (kakuminale).
– Majoret nyjëtohen duke ngritur majën e gjuhës, bashkë me shpinën e saj e duke formuar pengesë te alveolat, te dhëmbët etj. Majore janë shumica dërrmuese e paragjuhoreve të shqipes , si p.sh. t, d, n, ç, th etj.
Tani problemi që na intereson më shumë është ngatërrimi i bashkëtingëlloreve: q, gj, ç, xh. Kjo vështirësi ndodh më shumë në disa pjesë veriore e verilindore të trevave shqiptare.
Pjesa më e madhe e nxënësve të mi, kanë pasur vështirësi për t’i shqiptuar këto bashkëtingëllore, prandaj për ta pasur më të lehtë nyjëtimin, për të mos i ngatërruar nxënësit me këto bashkëtingëllore, kam punuar veç e veç me secilin dhe thosha: “ Kur duam t’i shqiptojmë sa më mirë bashkëtingëlloret: ç dhe xh duhet maja e gjuhës të shkojë tek qiellza e epërme, afër dhëmbëve dhe i mëshojmë më shumë zërit, ndërsa për t’i shqiptuar bashkëtingëlloret: q dhe gj duhet të shkojë maja e gjuhës më poshtë, pra te dhëmbët poshtë dhe zëri të dalë më i butë.”
Sqarim: Alveolar, – e lat. fon. Kanal, trysor. Tingujt alveolar quhen edhe paraqiellzorë. Paraqiellza është pjesa, ku janë mbirë dhëmbët e parë të pjesës së epërme. Tingujt që shqiptohen në atë pjesë, përhapin një zhurmë më të madhe se disa tinguj të tjerë, të cilët nyjëtohen më lehtë.
Shpresoj të kem sjellë diçka të mirë për nxënësit e studentët.