Përkundër vdekjeve në rritje, popullsia e Zvicrës po rritet 

(Zvicra nga këndi i statistikave)

 Zvicra kishte 8.7 milion banorë në fund të vitit 2020, sipas Zyrës Federale të Statistikave. Sidoqoftë, numri i vdekjeve është rritur dhe jetëgjatësia ka rënë. (Mes vitit 2019 dhe 2020, jetëgjatësia për burrat nga 81.9 vjet ka rënë në 81.1 vjet dhe ajo e grave nga 85.6 vjet në 85.2 vjet.) Këto rënie janë kryesisht për shkak të rritjes së niveleve të vdekjeve në moshën e vjetër, përcjellë këtë informatë Le Matin.

 Nga Mirishahe Limani Hiler

Popullsia me qëndrim të përhershëm të Zvicrës është rritur për 0.7%, duke arritur në 8,667,100 njerëz në 31 dhjetor 2020, kundrejt 8,606,000 në të njëjtën datë në vitin 2019.

Kjo rritje demografike është një nga më të ulëtat e regjistruar gjatë dhjetë viteve të fundit dhe korrespondon me ato të regjistruara në vitin 2018 dhe 2019, sipas shifrave të statistikave të popullsisë dhe familjeve nga Zyra Federale e Statistikave të Zvicrës.

Më shumë vdekje dhe më pak lindje

Në vitin 2020, 76,000 njerëz kanë vdekur në Zvicër, 8,200 më shumë se një vit më parë, një rritje prej 12.1% krahasuar me 2019.

Kjo rritje e mprehtë lidhet me pandeminë Covid-19.

Krahasuar me vitin 2019, vdekjet u rritën më shumë tek burrat (+ 14,6%) sesa tek gratë (+ 9,9%).

Midis njerëzve të moshës 65 vjeç e më shumë, numri i vdekjeve është rritur 12,7%, nga 59,400 raste në 2019 në 66,900 në 2020.

Në krahasim, numri i vdekjeve midis atyre të moshës 0-64 rritet për 8.2%, nga 8,400 raste në 2019 në 9,100 në 2020. Pothuajse të gjitha kantonet tregojnë një trend në rritje të vdekjeve.

( Ilustrimi me një foto nga qyteti i Cyrihut, shkrepur nga Afrim Nevzdati)