Në kuadër të aktivitetit tejet inteziv, Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, më 16 nëntor 2013, në Restorani Al Grotto, Ecublens VD, organizoi promovimin e librit: “SY MË SY ME JETËN” – Biografi e Mehmet Kajtazit, një nga figurat dhe pendat e shquara të prozës dhe gazetarisë sonë
Rexhep Rifati
Botuese e veprës, “SY MË SY ME JETËN” – Biografi e Mehmet Kajtazit, ishte Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa, përzgjedhjen e shkrimeve, ndër to edhe vlerësimet e autorëve të huaj, në mesin e tyre edhe emra eminent të kulturës zvicerane, e kanë bërë të bijtë e shkrimtarit, Besim e Driton Kajtazi.
Libri u nxorr në dritë në kuadër të 10 vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, Mehmet Kajtazi. Po në përvjetorin e ndarjes, më parë në Prishtinë e tash edhe një lokalitet të Lozanës, u bë promovimi i librit. Me këtë rast para se një takim letrar u mbajt një takim përkujtimor për shkrimtarin, i cili ndonëse kishte jetuar pak vite në Zvicër, kishte krijuar shumë miqësi. Për të përkujtuar jetën dhe veprën e shkrimtarit, pos familjarëve e miqve nga mërgata, e krijues arti,merrnin pjesë edhe Mustafë Xhemaili , Ministër Këshilltar, Rexhep Bajraktari m, Sekretar i Parë dhe miku i njohur zviceran, zotri Victor Ruffy, ish- Kryetar i Parlamentit të Zvicrës.
Një fjalë rasti, gjatë promovimit e mbajti kryetari i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, Besnik Camaj, ndërsa me disa pika artistike u paraqitën artistët Ilir Bytyqi e Visar Qusaj. Fjalë admiruese për veprat dhe shkrimtarin Mehmet Kajtazi u thanë edhe nga miq, kolegë dhe lexues të veprave të tij. Më pastaj u shfaq një dokumentar, ku përmes ekranit u dhanë fragmente nga veprat dhe kritika. Mbresëlënëse ishin edhe fotot, e rrugëtimit jetësor përplot sfida, filluar nga karriera prej mësuesi për të vazhduar atë prej gazetari e shkrimtari, të skalitur në veprën e tij voluminoze prej dhjetëra romanesh e mijëra artikujsh gazetaresk.
Si koleg shumëvjeçar i Mehmetit, në gazetën “Rilindja”, ndjej për obligim të shtojë se ndarja e tij e hershme nga ne, nuk është vetëm humbje vetëm për artin e gazetarinë kosovare, por edhe për ne shokët e kolegët e tij, që aq shumë e çmuam dhe e deshtëm, në rend të parë për shkak të afërsisë së tij njerëzore, të çiltëritë e shumë kolegjiale. Sa herë e kujtoj Mehmet, nuk mund ti ndaj, as djemtë e tij, të cilët i njoha nga vegjëlia, e që trashëguar shumë veti nga babai, duke u bërë pjesë tejet aktive e mërgatës sonë të madhe në Zvicër.