ASNJËHERË
Asnjëherë nuk i kam dashur:
Tallavanë
Burokratizmin zyrtar
Zhurmën e agregatëve
Debatet banale mediale
Çjerrjet militante partiake
Serialet e importuara të lotëve të turbullt
As ato vendore gjuhëstërpikura me banalitet
Asnjëherë nuk mund t’i dua:
Këta zingjirë të bezdisshëm
Lidhur me dryrë ndryshku që na kanë përlyer
E po na përlyejnë të çmueshmen jetë që kemi
NGANJËHERË
Nganjëherë po jetoj
Sikur ky VendYni
T’i kishte pothuajse të gjitha gjërat në terezi
Nganjëherë po marr
Një shportë të madhe, të padukshme
Të mbledh dëshpërimshpresat
Nëpër tërë qenien e tij
PAKSA DUKE MENDUAR
Duke menduar për kohën që shkoi
Për atë që dhimbshëm është arratisur
Për potencialin e humbur
Nga çizmja e huaj
Dhe papërgjegjshmëria jonë kryeneçe
Që rri këmbë mbi këmbë
Ashtu siç edhe shkruan në këtë artikull
DEHJE
Kohë kotësie
Më përkëdhel erë vetmie
Shkepëtijnë vetëtima pandemie
S’po mund gjë të them
Ndonëse po përpiqem
Syskuqur po vërtitem
Ajo që tash di
Jam dehur pa pirë
PËRHUMBJE
Zgjohesh nga shtrati
Bën dy-tre hapa
Kthehesh
Rruga pa drejtim
Veç një tabelë hamendjeje
Varur në kokë a në ajër
Thua e shkruan një fjalë
Diç seç ia nis
Ta lë për më vonë
Ta fshij a ta gris
Po pres një çast frymëzimi
Të më trokas në trupshpirt
UNË DHE FACEBOOK-U
Në 2010-ën, e hapa facebook-un
Fare pak gjë postova në të për tre vjet
Pastaj tre vjetët tjera postova e postova
Shumë e shumë gjëra që shihja aty-këtu; andej-këndej
E duke bredhur nëpër internet
Murin tim personal si ata që shkruajnë grafite e mbusha me thënie, poezi, këngë, tregime, foto, artikuj
Për t’u e shfryrë
Duke u ruajtur nga fyerjet e banaliteti
E ruajtur fytyrën
Kaq gjëra u grumbulluan në arkën e arkivave
Shkëmbyem fjalë, njoftime, biseda pëlqime, urime, ngushëllime
Dhe facebook-un tim pastaj e mbylla për tre vjet
U riktheva në të qe një vit e ca muaj
Vazhdoj avazin tim të vjetër
E deaktivizoj llogarinë herë pas here
Mirë me të, e mirë pa të
S’po di ç’të them diç më tepër
Veçse më është bërë facebook-u
Si strehë nga breshëri i vetmisë
Si rriqër torturuese
Si pe i gjatë ku vendos rruza me thasë
Si dokument personal që i ka kaluar afati i përdorimit
Të cilin e dorëzova për të marrë një tjetër
GJETHE NË AJËR
Ec parqeve
Shoh gjethe të rëna
E që bien
Nxjerr nga xhepi telefonin
Për ta ngrirë një gjethe
Para se të bije në tokë
Pa sukses përfundojnë këto përpjekje
Ndalem para fletëve
Që janë përqafuar për degësh
E për trungjesh
Disa kanë mbetur pezull në ajër
Të kacavarura për penj merimangash
KRANDE RREZESH
Dielli kalon nëpër kufinjtë
E tri dritareve të dhomës së fjetjes
Sikur do t’i djeg perdet kur depërton në tampon zonat e tyre
Koha për zgjim ka kohë që ka kaluar
Sot e diel
Pastrimi e pushimi
Dremitjeje e qetësie
Tiktakojnë akrepat (jo)helmues të orës
Ne ende brenda
Mëkat të kalohet kjo ditë mes muresh
Të dalim të mbledhim krande rrezesh
KËMISHË
Duke u vërtitur
Brenda një dyqani rrobash
Afrohem
Shoh
E blej
Një këmishë të kaltëremë farmerke
Të ngjashme me atë tjetrën
Që e kam pasur shumë vite e vite më parë
TE NJËRA LULE E DHOMËS
Te lulja e dhomës
Në saksi
Përmbi një shtyllë të dekoruar antike
Pranë dritares
Ku bijnë rrezet e diellit
Në këtë mëngjes
E ndriçojnë trungun e saj
Degëzuar tri degësh
Flokëgjelbër me frizurë fijetrashë
Dhe dheun mbuluar me guaska e boça pishe
Afrohet fëmiju
Heq katërmbëdhjetë fletë ngjyrëarta që janë tharë
Si fletët e thara të misrave në arë
NJË DITË
Paradite me fëmijë
Pasdite me shoqëri
Mbrëmjen me vëllezër
Natën në tri strehëza
E NESËRMJA E DIKURSHME
Jam në dhomë
Dëgjoj një zhurmë
Hap dritaren
Fishekzjarre dikush hedh
E ato shpërthejnë në qiell
Nesër lamë takim me shokun-koleg
Do m’i sjell paratë e honorareve
Bashkë me listën e temave
VËRSULJE
U mësuam me tymra
Gazra
Pluhura
Që vazhdojnë vallen
Para syve, para hundëve
Maskoret patën mbirë
Përpara virusit
E këtë e thonin tabelat ajërmatëse
U bëmë trup e hije
Qe sa kohë
Mend e shumë pak fije
Po vazhdojmë
Qentë na vërsulen zhgj-ëndrrave
Po na trembin e po i trembin
Ndonjëherë po na del gjumi
Përpara se të na kafshojnë
MYSAFIR
Erdhi shoku i klasës së djalit
Pasi që hëngrën mantia e bombica
Shoqëruar me ujë
Tash në dhomën tjetër
Sa përfunduan dy lojë shahu
Tash kanë filluar përpjekjet
Për një skenar filmi
Që do realizojnë me shokët tjerë të klasës
Unë po pres telefonatën e shokut tim
Sapo ta përfundoj letrën dërguar dikujt
Në realizimin e një projekti
Zërat e fëmijëve kalojnë kufinj muresh e dyersh
E vijnë këtu ku jam
VIDEO-POEZI
Më dërgon poeti
Një poezi të tij
Të realizuar me video
Që dikush papritur ia ka bërë dhuratë
Ca pamje shfletohen
Dhe tinguj të lehtë kënge
Një zë me ngjyra ndjenjash
Poetin e lexon
DHURATË FRUTASH
Dikur gjyshet
Ndanin ftonj e molla
E na dhuronin
Neve që zgjasnim duart
Me ëmbësi drejt ëmbëlsisë
Fruta na vinin si dhurata
Bashkë me to urata e të fala
Që ne me u rritë
Pa u çoroditë
Ka kohë që patëm larë në kroje qyteti
Si rrobat me duar ta lara në lumë
Fruta të sjellura nga pemë oborresh diku rreth shtëpive qilimgjelbëroshe
NJË DITË TETORI ME DIELL
Ca qenë enden arave të lëruara
E livadheve
Më tej dy lejlekë
Thëllëza fushe ndezin vetëtimthi motorët
Ikin shumë shpejt
Një pilivesë bart një fije bar të thatë
Ca korba këtu
Më tej ca pëllumba duke fluturu
Një tufë e madhe delesh duket atje larg
Këtu një flutur e verdhë
Andej një flutur e bardhë
Pak lule kanë mbet
Këtu e këtej ende dhe ca bletë
Një mollëkuqe te një kaçubë fletëgjelbër
Dhe ky insekt me mozaik qëndisur në shpinë që s’e kam parë më parë
Ca luledele vështrojnë
Andej nga qyteza xhungël me shumëkatëshe që po shkojnë përpjetë
Nga toka në qiell
Këto u panë gjatë një shëtie njëorëshe
Në këtë ditë me diell
Që ndiçojnë skeçe të përgatitjes për dimrin që po vjen
ÇASTE VJESHTE NË JEZERC
Ngjitemi rrugës gjarpërore
Mes maleve të ngjyrosura
Të posa lara nga shiu
Si nëna që e ka larë fëmijën
Ndërsa duart e saj kanë mbetur në qiell
Me shampon
Të shndrruara në re
Shenjat e betejave na bekojnë në heshtje
Ndalemi në një pikë të lartë
Hedhim shikimet rretheqark
Dielli i passhiut zgjon ndjenja për zgjime
Era u jep krahë ca gjetheve që lënë degët e trungjeve
Fluturojnë ca pëllumba me mushkri ajërpastër të mbushura
Vërtiten ca korba
Sa lart ai aeroplan
AVULLIM
Në dhomën e fëmijëve
U shtriva në shtrat
U mbulova me jorgan
Mbylla sytë
Mendoj se çfarë të bëj
Ta kujtoj ditën që shkoj
A të hidhem në ndonjë breg ëndërrimi
Më zuri gjumi
Mëngjesi më zgjoi
Dy tituj dorëshkrimesh
Shkruava në xhama të avulluar
E DIEL KARANTINE NË QYTEZËN TIME
Del ndjenjëpërzier
Ç’do të shohësh jashtë
Qetësi e ca lëvizje
Dhe një diell nëntori si saç
Dy fëmijë duke kaluar rrugën
Me kuti plastike të tejdukshme
Mbushur me fara të bardha kungujsh
Vetura, kalimtarë
Rrugëve, trotuareve
Qenë duke u rrezitur brenda një cope gjelbërimi të rrethuar me hekura
Me pllakën e Nënë Terezës brenda
Një macë e zezë matanë një muri të gjallë
Të një hoteli që nuk funksionon
E në pistën e stacionit hekurudhor
Dy vogëlush e dy qenush të bukur e të lumtur
Ndonëse që të katërt rreckamanë të pafajshëm
E tash tjetërku
Harabelë në telat përçues
Me cicërima karantine në këtë copë qiell
Një shqiponjë lodër mbrenda një kafazi
Jashtë në një qoshk kafeneje
Me dy lule kacavarëse që rrinë jashtë kafazi
I shëndrit ky diell
Furra buke, dyqane të vogla e barnatore dyerhapura
Diku pritje për ta marr një kafe me vete
Në filxhanë prej letre
Dikush duart e zëna me qese
Diku një maskë e hedhur
Vazhdon kjo ditë të hedh hapa para
Perëndon e humb dielli
Me këtë muzg të lehtëpërskuqur përshëndetemi
Përpara se të hyjmë brenda