Një poet nga tej Atlantiku, që në Cyrih solli jo vetëm poezi por edhe shumë ngrohësi e atdhedashuri

 

Nga puna ime prej tri dekadash në gazetari në shtetin Helvetik, rrallë kam përjetuar çaste aq të ngrohta e njerëzore të sjella nga një poet i ynë që jeton tej Atlantikut, siç ështëGjekë Marinaj, i cili shkaku i një poezi u detyrua të merr arratinë për ta pasuruar letërsinë tonë, por edhe atë botërore me 26 vepra në 20 gjuhë të ndryshme,- Shkrimtari Shefqet Dibranit i përket merita për këtë ardhje të poetit nga Amerika i cili promovoi veprën e tij më të re “Paradigma e Parajsës,” – Poezi për Dashurinë, ngjarje kjo që u shoqërua edhe nga zëri i mrekullueshëm i këngëtares sonë, Mimoza Selimi, deklamimi i poezive nga aktori, Ramadan Morina dhe bashkëbisedimi që zhvilloi nikoqirja drejtoresha e bibliotekës “Pestaloci”, e cila institucionin që drejton e ka kthyer në një vatër të ngrohtë për gjithë libërdashësit shqiptar.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Në prani të një numri të mirë artdashësit të ardhur, në mesin e tyre shkrimtarë, këngëtar e publicistë,

jo vetëm nga kantonet e ndryshme zvicerane por edhe Kosova, për veprën më të re të autorit Gjek Marinaj, për të cilin Kadare thotë, se:  “Dallohet ndër poetët më të mirë shqiptarëtë kohës”, një vështrim rreth librit “Paradigma e Parajsës” e kishte përgatit shkrimtari Shefeqt Dibrani të cilin po e jap në tersi:

FYTYRA E DITËS NË LIRIKËN E DASHURISË

Gjekë Marinaj, “PARADIGMA E PARAJSËS – Poezi për dashurinë”, botoi Shtëpia Botues “FAIK KONICA”, Prishtinë 2022, libri ka 104 faqe; ISBN 978-9951-06-915-1

***

Nëse e Bukur është poezi, Estetika është dashuri, dhe nëse Arti shpreh të bukurën, e Bukura nuk sendërtohet padashuri.

***

PROLOG

Përmbledhja poetike e Gjekë Marinajt, “PARADIGMA E PARAJSËS – Poezi për dashurinë”, është strukturimi më estetikë i lirikës së dashurisë, është përkushtimi më etikë i këtij motivi duke u bërë shembull i së mirës dhe i artistikës në letërsinë shqipe. Këto mesazhe si “fytyra të ditës” kanë “lindur një dashuri”, (poezia ME DUSITËN faqe 15.) dhe kanë kompozicion të atillë që duken “si një dekolte e hollë najloni, veç për të parë veten/ në qafën e pasqyrtë të bukurisë tënde”, (poezia METABOLË faqe 19.) Në të njejtën kohë motivi i poezisë të rrëmben duke të futur në brendësinë e vet, pastaj për të të mbyllur aty ku nuk të gjen njeri, në anën tjetër “tokësorët dërgojnë astronomë, satelitë, anije kozmike/ të zbulojnë jetë në planetët e tjerë, Dushe e dashur”, dhe “pa e kuptuar se diçka magjike për mirë ka ndryshuar/ me ardhjen tuaj në dashurinë tonë të re”, dhe kështu automatikisht bëhesh pjesë e këtij përjetimi “magjik”, bëhesh përbërës i kësaj poezie, (cit. nga poezia METABOLË faqe 19.)

MUZG

Muzgu i vuri duart mbi sy

Dhe gjoksin e mbushi me ne.

Dy vjaska drite unë dhe ti

Në lojën më intime mbi dhé.

Faqe 75.

Dashuria nis në MUZG, kurse poezia për dashurinë ka nisur bashkë me ekzistimin e njeriut të parë, po ashtu dihet se dashuria dhe prostitucioni janë dy zejet e para të shoqërisë njerëzore, nga të cilat nis edhe vet njeriu, njëkohësisht nisin edhe motivet e të të gjitha zhvillimeve letrare e artistike, e bashkë me të edhe dashuria si koncept më i avancuar i filozofisë së shoqërisë njerëzore. D.m.th. dashuria nis bashkë me Njeriun e Parë prandaj edhe poeti “midis poezive të pabotuara më parë ka përfshirë edhe disa lirika nga krijimtaria e tij e më hershme”, d.m.th. për ta nisur gjenezën te fillimi i dashurisë dhe në anën tjetër për ta kompletuar sa më bukur mazaikun e motivit lirik për dashurinë, ngase “ky libër përkon me 30 vjetorin e martesës së poetit me Dusitën”, (nga parathënia e autorit, faqe 7.) andaj libri mban një DEDIKIM emblemtik: “Këtë libër ia kushtoj bashkëshortes sime Dusitës, në 30 vjetorin e martesës. Mirënjohës për pjesën tënde të madhe, Dusita, në letërsinë time. Pa ty në jetën time, nuk do isha ky që jam as si njeri as si poet. Klasipesë!”, (po aty, faqe 5.) Dhe për mëtej shohim se poeti ka “gërmuar labirinte të reja/ në artin e së pamundurës”, për tu bërë “simfoni që Mozarti për ty nuk e kompozoi”, por i mahnitur në “magjinë që ripërcakton esencën e bukurisë”, në këtë rast poeti ka shtuar fjalën “klasipesë në fjalorin e fjalëve misterioze”, dhe këtë e ka bërë për të sqaruar se “për brinjën e Adamit ngrënia e mollës/ qe detyrë”, e më pastaj poeti “do t’i ringjall shpresat e të vdekurve/ nga varret e risisë/ që shpirtrat si tuajat një ditë/ do ta popullojnë këtë planet/ do të bëj një buqetë/ me thellësitë labirintike të dashurisë/ varrit të Shekspirit do ja ndryshoj emrin në Romeo e Xhuljetë!”, (poezia KLASIPESË faqe 24-26.)

POEZIA ËSHTË KTHYER NË ART

Siç shihet, poezia e këtij libri, kalon nëpër një proces psikologjik që ka motivuar shpirtin e poetit, prandaj “PARADIGMA E PARAJSËS”, përkatësisht poezitë e dashurisë, kanë të bëjnë me ndjenjën e njeriut dhe po aq edhe me anën psikologjike të fenomenit dashuri, kurse si nuancë ngërthen ndjenjën dhe përjetimin e intuitës poetike, të cilën poeti e kthen në art duke inspiruar edhe lexuesin e saj me estetikë të qëndrueshme, dhe si metabolizmi për trupin e njeriut, edhe kjo poezi ka synim për t’i shërbyer kohës dhe njerëzimit.

SYTË E TU

Sytë e tu

I bëjnë foljet e mia të flasin me vete;

Ninullave të djepit

Ua hollojnë esencën e vjetër narkotike;

Durimit ia skadojnë më shpejt afatin.

Efektet anësore të syve tu

E skuqin në fytyrë zgjuarsinë time,

Rezistencës ia humbin davanë me kohën.

Sytë e tu

Sforcojnë ëndrra surrealiste,

Kthehen në asonanca poetike

Brenda kllapave të himnit njerëzor.

Faqe 69.

ADRESIMI I POEZISË

Poeti ka adresimin e poezisë për personin e caktuar, bashkëshortën e vet Dusitën, të cilës i shkruan: “Sot dashurive s’do u vëmë asnjë kusht/ Sytë e mi, përmes syve të tu shikojnë/ Ndjenjat nga ndrydhja lëngëzojnë musht/ Zemrat bëhen ëndje, fluturojnë, fluturojnë…”, (poezia NË KËTË MËNGJES ME DIEJ – Dusitës, kujtim nga dita e fejesës, faqe 27.) Ky përkushtim poetik është akti më i lartë i etikës lirike, i shkruar me estetikë të përsosur, që e bënë poezinë me dimensione universale, prandaj secili lexues a studues i saj, në mënyrën e vet merr e jep çfarë i pëlqen: motivin, ndjenjën, përkushtimin, qasja etj. Pra poezitë edhe pse janë të ndara në pesë njësi ciklike, janë sistemuar pak a shumë sipas kronologjisë kohore dhe duket se janë argument i mjaftueshëm për rritjen e nivelit estetik të saj, paprekur anën e brendshme emocionale e cila duket e shenjtë dhe hyjnore. Deri sa tek poezitë e fillimit kemi më shumë sinqeritet, te pëzitë e fundit kemi më shumë afinitet estetik, kurse fillimi dhe sinqeriteti janë përbërës estetikë të dashurisë, pikërisht për shkakun se poezia dhe dashuria janë art, e para art letrar dhe e dyta ndjenjë artistike emocionale.

DUSITËS

Për sa të jem gjallë unë,

Ti je e përjetshme.

Dhe unë jam i pavdekshëm,

Për sa të jetosh ti.

Unë jam tingulli i kristaltë,

Ti gjuha e ndershme.

Në shqiptimin e magjishëm,

Të fjalës dashuri.

Faqe 58.

Nocioni “parajsë” qëndron më afër filozofisë teologjike sesa artit dhe shkencës linguistike, është shprehur vet autori, ndërsa “hyjnorja” në poezi themi ne, është imagjinatë, është afinitet poetik për të pasqyruar përjetimin e dashurisë, një amalgamë (përzierje) e së bukurës dhe artistikes për të dhënë produktin estetik të këtij niveli të cilin e gjejmë, e ndeshim dhe e përjetojmë gjatë leximit të kësaj poezie, mënyrë kjo artistike për t’u shprehur për t’u interpretuar ajo që ndjehet, ndijohet dhe përjetohet, qofshin si nuancë e përafërt, por ia vlejnë edhe si interpretime filozofike ose psikologjike, gjithsesi poezia shpreh etikën e lidhshmërisë të dy shpirtrave, të dy personave gjinish të kundërta që bashkërisht kanë krijuer esencën e jetës, ndërsa mënyra e interpretimit mund të konsiderohet si estetikë e të jetuarit ashtu siç ndeshim estetikën e të shprehurit poetik brenda poezisë dhe vargut lirik të Gjekë Marinajt.

ESTETIKË ARTISTIKE

Ky mozaik lirik e bart vëmendjen e lexuesit dhe të studuesit kryesisht tek fenomeni i të përjetuarit, i brendësisë të atij realiteti që quhet dashuri: “Imazhi yt ishte shkrirë/ në materiet e botës që thirrja në ndihmë/ Pra, unë dhe ti, ishim një trup/ një shpirt, një dashuri”, (poezia SEPSE NJË DITË TË PASHË ME DETIN faqe 85-87.) Thellësia dëpërtuese e këtij vargu shkon edhe përtej të mundshmës duke ndërtuar estetikën artistike qoftë të vargut ose të përjetimit. Tamam siç shprehet vet poeti se “shumica prej nesh, përfshirë këtu edhe poetët, e ndjejmë dhe përjetojmë dashurinë dhe poezinë më mirë dhe në një nivel më të lartë sesa jemi në gjendje t`i përkufizojmë saktësisht e plotësisht ato”, (nga shënimi DY FJALË NGA AUTORI faqe 8.) Pra, modifikimi artistik që nuancon në mes lirikës së dashurisë dhe erotikës artistike në këtë lrikë poetike është shprehja e bukur për çmendurinë e përjetueshme e cila shpeshherë duket sikur manifestim haliucinacionesh që bartin një ekuilibër të pashmangshëm të realitetit jetësor, në mes të lumturisë dhe ndrojtjes që “lëkundeshin të ekuilibruara”, (po aty, faqe 85.) D.m.th. përjetohet një realitet i ekzistencës në miniaturë e fokusuar me elementin e thërmijave erotike në të cilën pashmangshëm fuqizohet motivi i dashurisë, që përfaqësohet në këtë libër – si lirikë e dashurisë, metaforë kjo e poezisë erotike, e realitetit të ëndërruar, përkatësisht të përjetuar që nuk mund të konsiderohen si “aksident, as në jetë as në poezi”, (faqe 12.) madje edhe kur “Mbi mollën e kafshuar/ Premtoi një dashuri biblike/ Lakminë erotike të çdo të riu”, (poezia MBI MOLLËN E KAFSHUAR faqe 59.)

Dashuria si nocion përveç se shtjellon botëkuptimin poetik mbi ndijimin shpirtëror, edhe më tej nxit dhe stimulon motivin e dashurisë, dhe qoftë vetëm si botëkuptim metaforik e justifikon angazhimin e poetit në këtë drejtim, për t’i dhuruar letërsisë shqipe këtë perlë poetike e cila do të mbetet vepër e realizuar mirë, që përjetohet këndshëm dhe inkurajon për ta përjetuar shumë thellë, edhe më thellë këtë motiv të imagjinuar lirik, këtë lirikë të përsosur e cila i shton edhe mëtej vlerë poezisë së dashurisë e cila materializon rëndësinë e qenësisë, e jetës dhe pasionit erotik si mesazh më vete, d.m.th. një lloj fisnikërimi i mendimit krijues. Kjo qasje kaq meditaive, ky mendim kaq i personifikuar është apel për t’iu kthyer dashurisë, qoftë si nocion i përgjithshëm dhe qoftë dashurisë intime si nocion në kuptimin më pozitiv të këtij botëkuptimi, gjithmonë duke imagjinuar të bukurën brenda vargut të përjetuar lirik e erotik: “Sytë e tu/ Sforcojnë ëndrra surrealiste/ Kthehen në asonanca poetike/ Brenda kllapave të himnit njerëzor”, (poezia SYTË E TU faqe 69.)

MAHNITËSE DHE E LUMTURUAR

Poezitë e këtij vëllimi janë balsam shpirtëror, janë ilaç për rregullimin estetik të së bukurës në poezi, për estetizmin e së bukurës mbi dashurinë, sepse kështu do të ndikojmë në përmirësimin e shpirtit të lektisur a të lënduar, shi për këtë poeti “përdor gjuhën e mjaltit”, (poezia VAJZAT E KALIFORNISË faqe 89.) për të gjetur shprehje e nocione për të rregulluar marrëdhëniet në mes njerëzve në mes gjinive, pasi në këtë poezi ndeshim krahasime shumë të bukura për të kaluaren, çaste mahnitëse dhe të lumturuara, vetëm e vetëm për t’ia shtuar esencën jetës dhe lumturisë.

MES DY LIDHËZAVE

Zanoret e dashurisë,

I humbëm tingujt,

Në vështrimet tua,

Mbetëm hapësirë,

Mes dy lidhëzave ftilluese,

Në një gjuhë të huaj.

Faqe 77.

Esanca e motivit është thellësi e depërtimit të mendimit intelektual në një proces sa fiziologjik po aq psikologjik, produkt i vetëdijes krijuese dhe i përkushtimit për bukurinë e poezisë së dashurisë që determinon procesi metabolik, kompleksitet i kuptueshmërisë universale dhe nevojës së dashurisë për njëri – tjetrin, mënyrë për të ndikuar në përmirësimin e marrëdhënieve ndërgjinore, për të ngjallur ndjenjën e humanizmit, të së mirës, përspektivës dhe shpëtimit shpirtëror që është mirënjohja më e bukur për shoqërinë. Mbase shoqëria në të gjitha kohërat, më shumë se për çdo gjë ka nevojë për dashuri, ka nevojë për mëkim e mbëltim të shpirtit lirik.

MOTIVI LIRIK DHE POEZIA PËR DASHURINË

Vetëshqiptimi “poezi e dashurisë”, ka mendim dhe kuptim pozitiv, ka jetë dhe vazhdimësi, ka sukses dhe ardhmëri, të gjitha këto nuanca kanë kuptim të jetës dhe të vazhdimsisë së saj, për të cilat dhe në të gjitha kohërat dashuria është ilaç, mjet shtytës, si pararendës i mendimit pozitiv në shoqëri dhe më në fund dashuria është ndjenjë përjetimi që mund t’i afrojë dy shpirtëra të zjarrtë, dhe padyshim dashuria është fenomen që i jep kuptim jetës. Të gjitha këto sinonime i gjejm të realizuar në vargun e kësaj poezie që është një realizim i sukseshëm i poetit, kurse poezitë janë krijime që e bëjnë atë, poet për t’u mbajtur në mend dhe për t’mos u harruar kollaj, sepse kjo poezi i jep kuptim logjik nocionit dashuri dhe jetë, ndërsa dashuria për jetën është realizim i bukur, sikurse akti erotik që është kuptimi i të qenit të dy njerëzve bashkë, i rrugëtimit fizik të tyre, i sukseseve të gjithanshme. Me një fjalë dashuria është art, dhe nëse Arti shpreh të bukurën, e Bukura nuk sendërtohet padashuri.

EKLIPSET

E rris dashurinë

Në duar të pastra.

Vetëm unë,

Dëshiroj

Të dua sa unë.

Ditën them,

Ndodhin

Vetëm natën.

Natën them,

Ndodhin

Vetëm ditën.

Kur është fjala

Për eklipse në dashuri.

Faqe 88.

Dhe padyshim, dashuria e Gjekë Marinajt për gruan e tij, është dashuria e secilit burrë për bashkëshortën e tyre me të cilat ata ndajnë vetëm gjumin, por jo edhe shtratin dhe preokupimet tjera jetësore, prandaj këto nuanca janë shpalime të kujdesshme, me gjuhë të balancuar e shprehje elekuente. Kjo ndërthurje sa lirike po aq epike, në mes të saj e ilustruar me vargje erotike, dhe si mozaik figurativ ka nuancim lirik i shprehur brenda vargut të poezisë, shpesh e mbëltuar me shprehje hyjnore të cilat i ndeshim kudo nëpër poezitë e dashurisë, në librin “PARADIGMA E PARAJSËS”, të poetit Gjekë Marinaj.

NË PËRVJETORIN E MARTESËS

Kur vëmendja ime përkëdhel me kujdes

Frymëmarrjet e tua pa derte në gjumë,

Vetëdija më shtegton e qeshur nëpër ëndrra.

Kur zgjohesh, e pastër, e qetë dhe e bukur

Si liqeni i Prespës në ditën e parë të verës

Shpirti im jeton paradigmën e parajsës.

Dhe i gjithë universi bëhet kor pas meje

Tek këndoj nëpër dhëmbë një këngë Veriu

Që kurrë nuk ia kujtoj të gjitha fjalët.

Faleminderit për pjesën tënde të fytyrës sime,

Trëndafili im i vetëm përherë në çelje,

Epiqendra e dashurisë time gjithnjë në ikje!

Faqe 28.

Poeti është krejtësisht i vetëdijshëm se duke shkruar poezi për dashurinë, tërësisht dhe krejtësisht iu ka shmangur shprehjes vullgare, asaj pesimiste dhe demotivuese, të kundërtat e këtyre shprehjeve i ndeshim me bollëk, ashtu siç e kemi të sëndertuar mrekullisht mirë edhe motivin e dashurisë të cilin Gjekë Marinaj e ka stërholluar si epigram i tërësisë së mozaikut jetësor, me specifikat e veta të shprehura në kontekstin kohor ose të rrethanave jetësore nëpër të cilat ka kaluar ky poet. Por shprehja e bukur artistike dhe mendimi kaq pozitiv janë përbërësit më të spikatur të tërësisë lirike dhe poezisë së autorit. Së këndejmi, kundrimi i proceseve nga këndvështrimi i dashurisë, jo vetëm është vlerë, por shpreh respektin dhe admirimin e mashkullit për femrën, duke i thyer të gjitha konvencat e paragjykimeve të mundshme. Roli i gruas në poezinë e Gjekë Marinajt është prijatar, ai rol është fokusuar në tërë energjinë poezitive të poetit i cili e sheh edhe botën të parealizueshme në mungesën e femrës, në mungesën e bukurisë së saj. Prandaj Hyjnorja metaforike është spikatur në mënyrë brilante duke na mundësuar edhe neve për ta shijuar, kuptohet përmes këtij vargu sa lirik po aq dramatik, që duket se ka zjarrmi të brendshme e cila përvëlon ndjenjën dhe shpirtin e tjetrit, prandaj motivit të dashurisë poeti i rikthehet vazhdimisht, bile më shpesh dhe më dendur se të të gjithave motiveve të tjera së bashku dhe kjo shihet nga tipi i metaforave: sy të qeshur, ajri i buzëqeshur, qeshje të kryqëzuara, fytyra e ditës, e bukura e detit etj. duke arritur për të realizuar ndjenjën dhe vrullin në vargun e kësaj poezie emblematike.

E BUKURA E DETIT

E bukura e detit e la mënjanë detin për mua.

Deti qan, mblidhet, hapet e përplaset plot zhurmë.

Dallgët, si marinarë që s’kanë më asgjë për të humbur,

japin jetë në grimcat e grihta të rërës.

Përkthyesit që pritet të dinë detishten, heshtin.

Njerëzit në breg të hapur si shkrim i keq dore

u kryqëzuan si të donin të shkarravisnin shënimet e ditës.

Gjuhët e ujit zgjaten, e zgjaten drejt tyre plot ankth.

Bregu kushedi sa fjalë të rënda lëshoi drejt braktisësve.

Unë si të isha më kokëkrisuri i botës e kisha harruar veten.

E bukura e detit e kishte harruar detin;

gjysma prej peshku e gjysma prej ëndrre ajo,

gjysma prej gjetheje e gjysma prej fruti unë,

gjysma prej të çmenduri e gjysma prej të vdekuri deti.

Bota përreth e zbrazët dhe e ftoftë si hëna e plotë.

Deti si në prag të jetësosjes vazhdonte të qante, të vikaste…

Por e bukura e detit mori detin në duar, si një të porsalindur.

Nxori gjinjtë e bardhë t’a qetësojë… O zot, sa të bardhë!

Pastaj m’a la mua në dorë detin t’a mbaja pajtuar…

Ajo u largua duke më ftuar të mbetëm gjysma prej peshku.

Mbeta vetëm djalë deti – bjeshkatari i saj.

Faqe 92.

EPILOG

S’ka se si të jetë ndryshe kjo lirikë e dashurisë, kur përkushtimi hyjnor i atribohet gruas së tij Dusitës, dhe përmes saj prodhohet mendimi madhështor në poezi që posedon vlera humane dhe njerëzore. Ky bashkëdyzim i lirikës dhe etikës janë vlera të një poeti i cili edhe në vargun lirik shpreh respektin ndaj gruas, femrës dhe fisnikërisë së saj, sa lirike po aq magjike, kurse ngjyrimi me vlerat moralizuese e përbëjnë konceptin filozofik të motivit me të përjetuar dhe artistikisht më të realizuar, siç është dashuria përmes të të cilës mundet vesi i smirës dhe urrejtjes, natyrisht kur mendohet sadopak për të dashuruar. Siç ka theksuar vet poeti në parathënie se “në përmbledhjen poetike ‘PARADIGMA E PARAJSËS’ do gjeni 51 poezi për dashurinë. Nga që ky libër përkon me 30 vjetorin e martesës time me Dusitën”, me gruan që personifikohet në këtë poezi si figurë Hyjnore, pasi vetëm AJO vazhdimisht arriti poetit t’ia mbaj gjallë muzën për krijimtari poetike. Ia shtoi vullnetin për arritje të reja duke e përkrahur në sfidat e jetës. Janë këto disa nga arsyet pse poeti dashamirësisht ndanë virtytin e të mirës dhe dashurisë në proporcion të barabart me njeriun që e frymëzoi, dhe padyshim në krahun e së cilës matën edhe sukseset e tij. Jo pak dhe jo çka do?!

Zürich, 10 shtator 2022.

Shefqet DIBRANI

* Ky shkrim është lexuar sot në Promovimin e librit të Gjekë Marinajt!