Një jetë plot sakrifica e mëseses korçare për arsimin shqip në Kosovë (18)

 

Mësueseje, Nevzate Çiçko Shporta, rrëfen në vetën e parë se si pas kryerjes së shkollës në Korçë, pasi ndjek kursin pedagogjik, në vitin 1942 me dekretin e Ministrisë së Arsimit  në Tiranë, emërohet mësuese në Prizren, por që nuk arrin ti shpëtojë dorës së UDB-ës sa më 10 gusht 1951 ta transferojnë dhunshëm në Gjilan, e më vonë disa vite ta largojnë edhe nga puna deri, në ndërhyrje të Fadil Hoxhës, që të kthehet në punë.   

Me këtë rast, po japim një shkrim sa më të gjerë për mësuesen Nevzate në vetën e parë, përgatitur nga profesor Qerim Zariqi, me disa mestituj të redaksisë së prointegres:

Si e fillova punën Prizren ku, drejtori im i parë ishte i nderuari Mehmet Gjevori ?

“Pas kryerjes së shkollës në Korçë u hap kursi pedagogjik që përgadiste mësonjës për në Kosovë në vitin 1942.  Pasi kreva kursin, me dekretin e Ministrisë së Arsimit  në Tiranë, u emërova mësuese në Prizren.

1.Këtu, në Prizren kam ardh me datë 18. X. 1942 dhe fillova punën në Shkollën fillore “Avdyl Frashëri” dhe dy vjet në Shkollën fillore “Haxhi Imeri. Drejtori im i parë ishte i nderuari Mehmet Gjevori.

Më 1943 Hasan Vokshi, i cili punonte në OZN-a, kolegun Nysret Zeka nga Kavaja e largoi nga puna se ishte fetar.  Mua, për kapriçion e tij, më pezulloi. Mirëpo pas një muaji më thirrën  prap në punë . Këshilli për Kosovë e Metohi, më datë 13.IX.1945, me bashkëshortin, Bezatin (në atë kohë edhe ai punonte në arsim) na transferuan  në Gjilan.

Krimet e mëdha serbe ndaj shqiptarëve civil

Prej këtij qyteti me kanë mbetur mbresa të paharruara dhe tepër të hidhura. Në ditën e pranverës, më 21 mars lajmërova nxënësit se do të dalim me shetitë në fushën afër shkollës. Në vend që të gëzoheshin nxënësit filluan të qajnë, dhe duke m’u lutur të mos shkojmë atje se aty janë kockat e babait, dikush të xhaxhait, dajes, vëllaut, gjyshit etj. U habita , edhe sot e kësaj dite më rënqethet mishi kur e kujtoj dhe me dalin parasysh ata filiza me lot në sytë e tyre. Unë më ç’pashë dhe dëgjova atje ishte bërë krim i madh, se çdo familje ka pasur të zhdukur, dhe gjith qyteti ishte në zi. Me ra ndër mend një shprehje franceze, e cila thotë: – o liberte que de crime an gomment en ton nom –( o liri, sa krime bëhen në emrin tënd).

Me  atë  -quasi –liri që fituam ne, edhe sot çdo shqiptar i ndien pasojat. Në mars të këtij viti erdhi i besuari i arsimit për Kosovë e Metohi, z. Mita Milkoviq në Gjilan. Këtij iu luta të na transferojnë prap në Prizren dhe si shkak vura kushtet e vështira, sidomos ato banesore. Ky pati mirësinë dhe na ktheu  në Prizren.

Në vitin 1946/47 punoja në shkollën “Bajram Curri”. Ka qenë një kohë e vështirë, por ne rinia e asaj kohe ishim shumë enthuziastë. Çdo njëri prej nesh mundohej të jepte maksimumin për arsimin e shtresave të popullsisë shqiptare, qoftë me shkollim të rregullt, ose nëpërmjet kurseve për të rritur.

Kam hasur në moskuptim me shumë nëna, të cilat kurrsesi s’lejonin që vajzat e tyre të vazhdonin shkollimin, sepse ishin të zhvilluara fizikisht (këtu është fjala për nxënëse. e kl. të IV). Por, me anë bisedash të sinqerta dhe me durim, duke u shpjeguar rëndësinë e arsimit për një t’ ardhme më të lumtur, së pari për vajzat e tyre vetë,  më në fund bindeshin dhe i lejonin.

Prej shumë rasteve po shënoj vetëm dy. Qamileja sot është punëtore në “Printeks”, Hadija punëtore e arsimit etj.

Në vitin 1947/48 udhëhiqja dy kurse analfabetike, njëra në Hoça mahalle, dhe tjetra në rajonin e III-të (natyrisht pas mësimit të rregullt). Në pranverë të vitit 1948 erdhën në inpektim z. Xhavit Nimani dhe një inspektor nga Beogradi…Kursisteve ua spjegova ardhjen e tyre, dhe u luta që ta heqin xharrin gjer në bel që të jenë të lira për lexim. Këta u bënë disa pyetje, ato  u përgjegjen dhe pastaj disa lexuan abetaren.  Kur do të ndaheshin shprehen kënaqësinë e tyre, dhe pasi me përgëzuan për sukses dhe të vazhdoj kështu.

Sheh Hasani, bënë thirrje për zbulimin e gruas shqiptare nga xharri

Sheh Hasani, fetar,  por njeri përparimtar bënte thirrje dhe përpjekje të lavdërueshme për zbulimin dhe lirimin e gruas shqiptare nga xharri, që na kishte mbetur si trashëgim i prapambeturisë shekullore nga pushtimet e ndryshme. Ky, në asnjë mbledhje  s’ shkonte pa mua, që t’ u shpjegoj rëndësinë e emancipimit për të drejtat e grave për përparimin e tyre. Kemi pasur raste që gratë aty për aty e hidhnin xharrin. Kjo ka qenë një kënaqësi për neve, që edhe femra shqiptare të vishet si bota e lirë.

Më datën 20. XII. 1949 me erdhi një mirënjohje nga Ministria e arsimit për suksesin si brenda  dhe jashtë shkollës me nënshkrimin e Ministreshes  Mitra Mitroviq. Po ashtu kam pasur edhe shpërblime dhe sipas fjalëve të të besuarit të arsimit në Prizren, Z. Mehdi Bardhi ka qenë shpërblimi më i madh në Kosovë.

Kalojnë vitet njëri pas tjetrit, jemi në vitin 1951, vit i cili e këputi për beli popullin tonë, vit i mbrapshtë, kurse për mua vit makabër. Dushan Shosheviçi në mbledhjen e fundit të vitit na njoftoi hapjen e klasave turke. U bënë diskutime , njëra ndër to isha edhe unë. U mundova t’ia spjegoj se kemi marrë pjesë në regjistrimin e popullatës dhe kishim urdhër t’i pyesnim cilës kombësi i përkasin. Përveç dy familjeve: Vaganxhi dhe Mësërli, gjithë popullsia u regjistrua shqiptar, kurse ky Shosheviçi mundohej të na e mbush mendjen  se populli kërkon dhe ne do t’ua japim atë të drejtë. Protestova  duke i thënë: – Shok Dushan, pas luftës katërvjeçare të popullit tone, pas gjithë atij gjaku që u derdh për të fituar lirinë dhe të drejtat tona, të cilat me shekuj na u mohuan, ju po na injoroni këtë të drejtë dhe po na impononi ta ndërrojmë kombësinë tonë, me atë aziatike, që s’na lidhë asgjë, përveç pushtimit afro 5 shekullor,  prapambeturisë si dhe injorimit si popull. Ky hap që merrni ju s’është gjë tjetër,  por përçarje e popullit të vuajtur shqiptar.

Si filluan ftesat prej UDB-ës për informata ndaj mësueses Nevzate?

Pas disa ditëve pasoi pushimi im nga detyra me nënshkrimin e Hajredin Vullkanit. Nuk pranova dhe prapa vendimit i shkrojta: -Hajredin Vullkanin  s’e njoh si kompetent të arsimit. Me erdhi vendimi i dytë, këtë rradhë me nënshkrimin e Hajrullah Ishmit, burrit të Cica Patërnagiçit. Çdo gjë ishte e qartë, pushimi mbanë datën  10 gusht 1951.  Filluan ftesat prej UDB-ës për informata.  Inspektori që me merrte në pyetje, ishte një trupshkurtër, me flok të dredhura dhe pak të thinjura, kurse në pamjen e tij dukej mllefi dhe armiqësia që kishte ndaj nesh shqiptarëve. Ishte mjaft brutal, bërtiste dhe çirrej duke ofenduar pa kursim fjalësh, popullin, të cilit i përkisja. Ka patur raste kur ngrihej në këmbë  e i binte dyshemesë – Këtu e keni vendin  ju shiftarët !? Mbiemri i tij në qoftë se nuk me tradhton memoria ishte Gërgoviç.

Takimi me intelektualin e shquar dhe patriotin kosovar, Prof. Zekirija Rexha

Në këtë vit frike dhe vuajtje u takova me intelektualin e shquar dhe patriotin kosovar, Prof. Zekirija Rexha, i cili me përgëzoi për kurajon që pata. Të njejtin urim ma ka bërë edhe i nderuari z. Ibrahim Fehmiu, etj. S’mora paraysh asgjë dhe si çdo shqiptare kryelartë sfidoja të gjitha akuzat dhe gënjeshtrat që me visheshin.

  1. Ibrahim Fehmiu ishte i sëmur… E vizitova në shtëpi. Përjetova keqardhje të sinqertë kur e pashë të dobësuar, të lodhur…

Kur u ngrita të shkoj, me një konsideratë të posaçme dhe me respekt të madh, ia putha dorën këtij pedagogu të devotshëm, i cili gjithmonë ishte i gatshëm kur kërkonim këshilla pedagogjike prej tij. Ky ishte takimi i fundit me këtë patriot, me këtë atdhetar dhe gjigant të luftës për liri dhe arsim. Me këtë person të nderuar, që edhe nëpër burgje, u mësonte popullit shkrim e lexim në gjuhën tonë amtare. Ndërroi jetë në dhjetor të vitit 1951.

Çdo ditë në ora 8 duhej deomos paraqit në UDB-e  

Vuajtjet e mija vazhdonin, duke me thirrur për çdo ditë në biseda informative. Shefi i UDB-ës me njoftoi se s’do të largohesh nga qyteti pa lejen tone. Ajo që më rëndonte më tepër ishte panënshtetësia, të cilën e mora  vetëm më 4. Nëntor 1959. Gjithashtu me tha; çdo ditë në ora 8 të mëngjesit të paraqitesh këtu të Bojaniçi. Prej vitit 1951 – 1953 çdo ditë paraqitesha në orën e caktuar. Më 1952  shefi m’u kanos se do të me ndajnë nga familja dhe do të me çojnë nga kam ardhur. Në këtë kohë kisha dy fëmijë të vegjël. Filloi të me mundoj pagjumësia, kjo shkaktoi edhe një krizë nervore, të cilën e munda pas disa muajve me këshillat që m’i jepte Dr. Lush Daka dhe me vullnetin tim të fortë.

Në një ditë  të ftoftë nëntori të vitit 1953 u paraqita të Bojaniçi. Ky u ngrit në këmbë dhe me ofroi të ulem. E falenderova, dhe i thash duhet të shkoj se kam lënë fëmijët në gjumë. Me qenë se ngutesh po të lajmëroj se prej sot s’ ka nevojë të vish më, je e lire. Theksoj se Bojaniçi ka qenë korrekt.

Kaluan disa muaj dhe në shkurt të vitit 1954 me thirren prap, duhesh të paraqitesh të Bojaniçi. S’dija  ç’po ndodhë, me dhjeta- pse me kalonin nëpër tru. Hyra Brenda  me ofroi të ulem dhe me buzëqeshje ironike me pyeti:  a do me e pa Masarin? –Me kënaqësi i thash (Masar Shporta im kunat i privuar nga liria, gjindej në burgun e UDB-ës). Kur hyri kunati u befasova, por  menjëherë tha: -mund të bisedoni. Pasi ndërruam disa fjalë, u largua. Masari, në fytyrën e tij të zbehtë kishte shenja të vuajtjes , por  gjithmonë kryelartë për pafajësinë e tij. Roja solli Brenda Refik Nushin. Bojaniqi nxori nga sirtari një letër dhe filloi ta lexojë. N. SH. Është takuar me R. N. dhe i ka thënë… Nuk pranova çfarë kishte shkruar ai dhe e mendoja ç’e  kishte shtyrë të shkruaj akuza të reja apo e kanë detyruar !?  U zbeh në fytyrë. Bojaniçi tha se posedojmë dokumente. U largua edhe Refiku. Në ndërkohë u hap një derë prapa meje dhe dikush me një send të fortë  i ra derës. E emocionuar dhe e frikësuar , ktheva kokën prapa. Ky ma tërhoqi vërejtjen, mos u kthe prapa!  Isha tepër e shqetësuar dhe me lejoi të shkoj.

Fadil Hoxha çuditet se si ka zgjatur kaq shumë papunësia mësueses Nevzate

Vite me radhë kam dhënë lutje për inkuadrim. Të gjitha me refuzoheshin. Më 1967 shkova në Prishtinë dhe kërkova  të ankohem të z. Fadil Hoxha. Fadili me pranoi dhe i tregova si qëndron puna. U çudit që ka zgjatur kaq shumë papunësia ime. Me sugjeroi të jap lutje Këshillit Krahinor. Lutjen time ia drejtuan Këshillit të qytetit të Prizrenit. Prita dy muaj, por asnjë përgjigje. Vendosa të shkoj të kryetari, z. Zivgareviç. Në korridor takoi z. XH. Doda, me pyeti shkakun e ardhjes, i tregova. Më tërhoqi me një anë dhe më zë të ulët më tha: lutja jote u hodh –ad akta. Ika. Të nesërmen u nisa për në Prishtinë. Për fat të mirë ndodhesh aty Fadil Hoxha, i cili m’u përgjegj më datën 4. X. 1967… Ky intervenoi personalisht dhe në vitin 1967 u inkuadrova në Shkollën fillore “Mustafa  Bakia” , pas 16 vjet anatemimi dhe maltretimi. Zotit Fadil, unë dhe familja ime,  i jemi mirënjohës.

Prej vitit 1967 – 1979 punova këtu. Me 1980 kërkova të punoj në shkollën e re “Fadil Hisari, por për fatin tim vetëm një vit. Më 1981 filluan lëvizjet studentore, të cilat ndikuan kudo. Nëpër muret e  shkollës shkruanin “Kosova Republikë”, më vonë edhe nëpër klasa. Lajmëronin SUP-in. mendova në rast se do të shkruajnë edhe në klasën time, unë do të jeme  e para që do të jem në grackë e në listë për ndëshkim.

Kundër dëshirës sime, dhe etjes për punë, e këputur moralisht, dhashë lutjen për pensionim. ZV.-drejtori, Miçoja s’u pajtua dhe me tha, ty nuk të lejoj. Pas disa bisedave e lutjeve, u pensionova më 1981.

Pas disa vitesh, pikërisht më 12. XI. 1987, me thirrën në Shkollën “M. Ugareviç”, dhe drejtori z. Manitasheviç, më dhuroi Monografinë e shkollës, bashkë me një lëvdatë me shkrim.

Në faqen e dytë të librit në fjalë, shkruante: -“Me rastin e kremtimit të 80 vjetorit të ekzistimit dhe  punës së shkollës,  Shkolla fillore “M. Ugareviç” në Prizren i dhuron shoqes Nevzate Çiçko Shporta këtë monografi të shkollës si kujtim për punën pranë kësaj shkolle. Nga drejtoria.

Tani japi kontributin tim në Organizatën bamirëse “Nëna Terezë” në kuadër të Bashkësisë lokale “Gani Çavdarbasha”

Prizren, më dt. 12. O7.2001.                           Nevzate Shporta 5.

Disa rreshta për jetëshkrimin e Nevzate Çiçko –Shporta

Nevzate Çiçko –Shporta, e lindur në Korçë ( Shqipëri) më 25. 12. 1925;  nga prindërit: babai Zija Çiçko dhe  nëna Ismete. Zija, avokat, i cili kishte mbarua fakultetin juridik në Lion të Francës.

Nevzatja, arsimin fillor dhe Liceun i mbaroi në Korçë. Po ashtu në Korçë përfundoi edhe kursin e mësuesisë. U martua në Prizren me Behzat Shportën. Lindën pesë fëmijë: Vjollcën, Valdeten, Dritën, Sadikun dhe  Ritën.., përfundon këtë jetëshkrimi Qerim Zariqi, profesor, botuar te “Zemra Shqiptare”

Majat e mësueses në arsim, i ndjek djali, duke pushuar edhe Kilimanxharon! 

Për të mësuar për këtë mësuese veterane të ardhur nga Korça në Prizren, pas disa shkrimeve të këtij fejtoni, mësova nga kolegu dhe diplomati shumëvjeçar nga Shqipëria, Xhevat Mustafa, që njihte historinë e kësaj familje e që kishte miqësi me djalin e mësueses, Sadik Shpotën, me të cilin pastaj vura edhe një kontakt elektronik, me që rast arrita ti kem përmes tij edhe disa foto ekskluzive të mësueses me nxënësit e saj.

Gjithashtu   ishte inkurajuese edhe e dhëna që mësova për djalin e saj, Sadikun, tash 65 vjeçar, por që ka një karrierë të lavdishme në alpinizëm duke pushtuar majat më të larta, ndër të cilat edhe atë afrikane Kilimanxharon. Ndaj edhe ca nga fotot e këtij shkrimi, krahas asaj që kanë të bëjnë me majat që arriti në arsim mësuesja Nevzate, ashtu edhe me majat që i arriti djali saj në alpinizëm dhe bjeshkatari.

Krejt në fund një falënderim i përbashkët si për Xhevatin ashtu edhe Sadikun, me dëshirën që fati dhe jeta të na ofrojë në një kafe të përbashkët.