Busti i ngritur në parkun e Klinikës Hegau Bodensee të këtij qyteti me donacionet e bashkatdhetarëve, është vepër e skulptorit akademik Mal Myrtaj, që prej vitesh gëzon një reputacion të mirë në këtë pjesë të Konstancës
Teksti e fotot : Rexhep Rifati
Përmes një manifestimi madhështor në qytetin Singen të Gjermanisë, të shtunën më 20 qershor u inaugurua busti i Nënës Terezë, vepër e skulptorit akademik, Mal Myrtaj, me prejardhje nga Peja i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Gjermani. Busti u inaugurua në një ambient të bukur të parkut të Klinikës Hegau Bodensee, të këtij qyteti në qarkun e Konstancës.
Në aktin solemn ishin tubuar vendas të dhe bashkatdhetarë nga Gjermania, Zvicra e të tjerë. Për realizimin e kësaj vepre arti, kanë kontribuar me dhjetëra mërgimtarë përmes donacioneve vullnetare. Kryesisht bashkatdhetarë me prejardhje nga Kosova me banim në Singen, rrethina e Konstancës, por edhe nga Zvicra. Vepra është realizuar në bashkëpunim edhe me firmën Schwarz Grabmale, ku edhe prej vitesh punon skulptori Martaj, njëri nga skulptorët më të mirë shqiptarë në mërgatë.
Në tubimin përurues një fjalë rasti u paraqiten krye bashkiaku i Singenit, Bernd Häusler, i cili vlerësoi lartë organizimin e bashkatdhetarëve tanë në këtë pjesë të Gjermanisë dhe konsulli i Republikës së Kosovës në Shtutgart, Faket Kajtazi, i cili falënderoj si palën gjermane ashtu edhe atë shqiptare për bashkëpunimin e tyre që rezultoi me këtë projekt madhështor.
Në zbulimin e busteve pos këtyre dy personaliteteve mori pjesë edhe boksieri ynë më i mirë i të gjitha kohërave, Luan Krasniqi, i cili gjatë tërë kohës ishte në qendër të vëmendjes së këtij evenimenti më shumë se kulturor. Solemniteti u përcoll edhe një me program muzikor të përgatitur nga Shkolla Muzikore e të rinjve në Singen.
Me inaugurimin e kësaj vepre artistike të nobelistes dhe humanistes sonë të madhe, paraqet jo vetëm një simbol bamirësie e mirësie por edhe një urë më tepër në forcimin e miqësisë midis komunitetit tonë dhe popullit gjerman në këtë pjesë të qarkut të Konstancës.
(Me këtë rast përmes disa imazheve, ilustrojmë atmosferën e këtij evenimenti)





































