Filantrop dekade, Milaim Jashari, falënderim për 280 shtëpi të reja skamnorësh! 

 

Ty që dole nga lufta me copën e predhës serbe në trup, për të ngrit si flakadan “Feniksin” ferizajas në shoqatë shembullore bamirësie, me një bilanc përmbyllësh prej 280 kulmesh skamnorësh për 15 vjet veprimi, bashkë me shumë donatorë, të përket respekti e nderimi i përjetshëm i përzier me aq shumë lot gëzimi të qindra familjarëve e sidomos e sidomos të gëzimi i shumë fëmijëve të pa strehë bashkë me ngrohtësinë e tyre, pikësëpari falë angazhimit tënd të pashembullt sa humanitar aq edhe atdhetar

Teksti e fotot: Rexhep Rifati   

Në përmbyllje të këtij viti kalendarik, kur shumë shoqata, organizime, apo edhe institucione shpallin personalitetin e vitit, vetvetiu më lindi ideja edhe në emër të ekipit të portalit tonë prointegra.ch, se askush nuk e meriton më tepër titullin e një humanisti e filantropi në Kosovë sesa Milaim Jashari, kryetari i Shoqatës Humanitare “Feniks” të Ferizaj, i cili sovjet e përmbylli veprimtarinë e kësaj shoqate me një bilanc të jashtëzakonshëm: për 15 vjet veprimtari – 280 kulme të reja për familje të ish-martirëve, invalidëve të luftës e të skamnorëve jo vetëm brenda komunës së Ferizajt, por më gjer në Kosovë, madje edhe në disa lokalitete të Shqipërisë, sidomos në fshatrat malore të Kukësit.

Po si ia arriti ky njeri thjesht në baza vullnetare e humanitare pa kurrfarë përfitimesh personale ta realizojë gjithë këtë projekt madhor, të paparaparë deri në ditët tona dhe se ku e gjet forcën e fuqinë, Xha Lumi, që është ky pseudonim nga lufta, nga edhe doli me një copë predhe në trup, është e pakapshme për mendjen njerëzore.

Meqë kam marr pjesë në fillimin shumë shtëpive të skamnorëve apo edhe dorëzimin e çelësave të tyre, kam bindjen e thellë se asgjë më shumë nuk e ka motivuar Xha Lumin se sa ata shumë e shumë lot gëzimi apo edhe bekime të shumta të njerëzve të pastrehë, për të cilën nuk menduan as institucione e udhëheqës për tu dalë zot, sepse para se skamnorëve, ngritën shtëpi e kulla për veti sa ti rehatojnë jo vetëm të  afërmit e vet, por edhe nipat e stërnipat e tyre!

PO cilët ishin ata njerëz që i qëndruan gjithë këtyre viteve në krah Xha Lumit: në rend të para ata individë e firma, por edhe mërgimtarët e shumtë, që u bindën në letër e në vepër se ky njeri ag e muzg jo vetëm në organizime, por duke bërë jo rrallëherë edhe vet punë fizike këtë punë e ka me shpirt e zemër.

Ndonëse Milaimi, gjatë çdo shtëpie që dorëzonte thoshte: “ky është kontribut i popullit! “, po cili ishte ai popull që shkonte pas tij: ishte pikërisht ai popull që te Xha Lumi kishte gjete njeriun e besueshëm që tërë këtë punë e angazhim e bën për të tjerë për ata që kanë më së shumë nevojë për te- ishte pra BESIMI !

Besimi dhe vetëm besimi e jo përfitimi ishte ai motori që vuri në lëvizje jo vetëm me dhjetëra individë e firma të komunës së Ferizajt, në krye me ELI-ABIN, por edhe shoqata e individë në mërgatë, duke qenë në krye të tyre Shoqata e Grave Kudo në Botë, me seli në Suedi, apo nëndega e “Feniksit” në Zvicër, apo një shoqatë e grave shqiptare në Kanada, por edhe mjaft punëtorë krahu të komunës së Ferizajt e komunave të tjera simotra që punonin në kantiere pune e zona lufte, si në Irak, Afganistan e gjetiu që ndanë mjete nga puna e tyre e rënde dhe e përcjell me shumë rreziqe, vetëm e vetëm që ata që kanë më së tepërmi nevojë të bëhen me strehë. Madje pati raste markante sa meritojnë të përmenden veç e veç por po përmendi vetëm dy-tri nga to: kur studentët mblodhën mjete nga xhepi i tyre i cektë për ngritjen e një shtëpie dy pleqve të sëmur në Slivovë të Ferizajt, e mjaft të tjerë si në Bibaj e gjetiu që falën edhe ndonjë copë toke për ngritjen e shtëpive të skamnorëve.

E gjatë është lista e atyre që iu gjetën pranë Milaim Jasharit, filluar nga anëtarët e kryesisë së tij, ca nga të cilët edhe invalid e edhe ish- të burgosur politik, disa nga të cilët nuk janë në jetë por vazhdon të jetojë vepra e tyre, siç do të jetojë për jetë e mote, ndër vite edhe vepra madhor e vet “Feniksit” ferizajas në krye me humanistin dhe filantropin e ditëve tona Milim Jasharin- Xha Lumin!

Ndaj edhe një pleqëri të shëndetshme e të me shumë e shumë dashuri të nipave e mbesave tua por edhe të shumë shumë mbesave të tjera që do të kujtojnë për jetë për shumë gëzime e ngrohtësi që u solle me shtëpi të reja të pajisura edhe me orendi, që as që i kishin ëndërruar.

Por njerëzit si ti Xha Lumi, bëjnë që edhe ëndrrat e skamnorëve e të pastrehëve të realizohen. Këtë e bëjnë jo njerëzit e pasur e lakmiçarë, por ata me zemër të madhe e ti ke qenë dhe ke mbet i tillë miku im i gjithë atyre që ti Milaim Jashari, përjetësisht i gëzove e lumturove.

Ndaj edhe paq shëndetin e lumturinë e përhershme me gjithë të afërmit tu!

Gëzuar një vit të ri, përplot hare e lumturi, sese Ti m ë shumë se askush tjetër nuk e meriton më tepër Xha Lumi ynë i madh!

Me pak rreshta: Kush është Milaim Jashari- Xha Lumi ?!

Milaim Rexhep Jashari ka lindur më 3 Prill 1948 në Vojnovc të Komunës së Shtimes, më vonë me familje shpërngulet në Zaskok të Ferizajt, për tu punësuar në vitin 1965 në Kombinatin e drurit “Tefik Çanga” të Ferizajt. Për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat më 3 Prill 1981, në përkrahje të studentëve, në krye të demonstratave të punëtorëve në Ferizaj, më 13 prill po të atij viti arrestohet dhe dënohet me shtatë vjet burg për ta vuajtur në burgun e Pozharevcit .

Pas katër vjetëve lirohet dhe më 1989, sërish arrestohet e mbahet në izolim në Vranjë e Shabac. Pas izolimit e torturave në një takim me simbolin e qëndresës Adem Demaçin, bashkë me Bajrush Xhemajlin  angazhohen  në krye të KMLDNJ në Ferizaj. Në betejën e parë të UÇK-së në Jezerc, ku më 20 Korrik 1998 plagoset në krah dhe pas një shërimi prej disa javësh i rikthhet shokëve përsëri. Më 23 Mars 2007 regjistrohen Shoqatën Humanitare “Feniks”, me bashkëveprimtarët Sadik Sadikun dhe Ali Lipovicën. Ndër të tjera i është nda edhe çmimi FIDES për filantropi. Këtë vit kur ka shkelë në të 73-tatat ka ndërpre aktivitetin bashkë me “FENIKS-in”, shkaku i moshës dhe gjendjes së rënduar shëndetësore si dhe të vdekjes se dy bashkëpunëtorëve të ngushtë në Ferizaj e Kaçanik. Këtë hap siç na deklaroi e ka ndërmarr jashtë vullnetit e dëshirës së tij, duke qenë i vetëdijshëm se edhe shumë familje kanë prit ndihmën e tij.  Megjithatë e mbanë shpresa se dikush një ditë ndoshta edhe në këtë komunë edhe gjtiu do të rilind një “Feniks”, sepse siç dihet “Feniksi” është ai i pavdekshëm, siç ishte dhe mbeti “Feniksi” ferizajas.