Në Zvicër u promovuan librat e tre autorëve, ish të burgosur politik

 

Ky eveniment i mbajtur më 19 Dhjetor 2021 në Jona /Rapreswil iu kushtua promovimit të librave të tre veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe të burgosur politik: Fitim Fitimi (Nysret Hajdari), Jashar Alia dhe Agim Sylejmani , me ç ‘rast u lexuan disa recensione përmes të cilave vlerësohet lartë veprimtaria atdhetare e autorëve, që përkundër gjithë represaljeve që përjetuan nëpër burgjet serbe, arritën të merren edhe me krijimtari, duke regjistruar disa nga momentet më jetike të mbijetesës sonë kombëtare deri në ditët e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës

Nga Rexhep Rifati

Dje patëm rastin me një numër adhuruesish të librit të marrim pjesë në një ngjarje të rëndësishme kulturore, aq më parë kur në rrethanat e pandemisë janë kufizuar e zvogëluar me të madhe manifestimet e këtij karakteri. Ishte pikërisht Pika Obersee- St. Gallen e Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër që kishte organizuar këtë takim letrar, me veprat dhe pjesëmarrjen e tre autorëve, ish të burgosur politik të çështjes kombëtare, të tubuar brenda një salle për të nxjerr në dritë ato vepra në të cilat autorët e tyre punuan gjatë, sepse disa nga to përfshinin emra data e ngjarje të lidhura me një periudhë dramatike kohore përmes të cilës kaluan shqiptarët e Kosovës, apo edhe monografi kushtuar figurave të shquara të kombit që përjetuan dhunën e shfrenuar të regjimit sadist serb apo edhe që dhanë edhe jetën për lirinë dhe mëvetësinë e Kosovës.

Që në fillim pas intonimit të Himnit Kombëtar dhe një minutë heshtjeje për të rënët për liri, në emër të organizatorit përshëndeti, Ilmi Cakolli një veprimtar i dalluar në këtë anë, e më pastaj me një recension tejet përmbajtjesor për veprën  “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta” – vëllimi I dhe II, të autorit, me autor Fitim Fitimi (Nysret Hajdari) e u paraqit Isuf Ismajli, të cilën edhe e ka regjistrua në numrin  e sotëm portali ynë prointegra.ch.

Ndaj edhe me atë rast shkëputa për botimin e sotëm fjalën përshëndetëse të Bacë Fitim Fitimi (Nysret Hajdari), si dhe disa fragmente nga vështrimet dhe recensionet e prezantuara në këtë eveniment.

Fitim Fitimi: Ajo që ndodh jashtë atdheut ka kuptim më të thellë

Miq të dashur, Aktivist të nderuar, me shumë dëshirë do të isha në mesin tuaj, për të ju takuar dhe përshëndetur nga afër. Fatkeqësish gjendja ime shëndetësore kërkon që unë të jam më i kujdesshëm për veten time dhe rrethin tim.

Ju falënderoj nga zemra për promovimin e librit tim, të Jasharit dhe Agimit.

Zakonisht promovimi i librave nënkupton një festë të vogël për kulturën, dhe kjo kur ndodh jashtë atdheut ka kuptim më të thellë, prandaj më lejoni të ju përshëndes dhe tua dëshiroj më të mirën e mundshme.

Sot, të gjithë ne kemi diçka për të rrëfyer, jetojmë në shekullin e rrëfimeve, por kur rrëfimet vijnë nga njerëzit e thjeshtë, të sakrificës, të burgosur politikë, të syrgjynosur politikë, gyrbetqarë me gjithë familje, atëherë rrëfimi shndërrohet në një kulturë të vogël, në një histori të veçantë, dhe bashkërisht formojmë atë që ne i themi dëshmi e kohës, dëshmi për historisë dhe shembull për ardhmërinë.

Shekulli i rrëfimeve të shqiptarëve, merr kuptim lavdiplotë me rrëfimin për UÇK-në, e cila e projektoi ardhmërinë tonë edhe për shekullin që po vie e edhe deri tek fundi i kohës, prandaj rruga deri tek UÇK-ja dhe rruga pas saj do të janë gjithmonë pjesë e rrëfimeve në librat tanë, krenari e kulturës sonë, krenari e kombit. Gjithsesi i falënderoj edhe organizatorët e këtij promovimi të kulturës sonë, e në veçanti Kryetarin i Pikës Obersee të LVV-së së mërgimtarëve në Zvicër Ilmi Cakollin, së bashku me shokët tjerë. Gatishmëria e juaj, sot e gjithmonë do të jetë inspirim për ne dhe brezat pas nesh.

Agim Sylejmani: Vepra “Syrigana” t`u shërbejë edhe krijuesve e studiuesve

Duke lexuar recensionin për veprën e Jashar Alisë: “Syrigana”, të botuar në Prishtinë, më 2021; të botuar nga “Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës”, Agim Sylejmani ofroi ca shënime biografike për autorin:

Jashar Selman Alia është i lindur më 28 dhjetor 1949, në fshatin Syriganë de në vitin 1965, familja e tij u shpërngul në fshatin Kovragë të Burimit. Shkollimin fillor e kreu në Uçë, Syriganë e Rakosh, ndërsa gjimnazin në Burim. Ka kryer Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

Qysh në bankat e shkollës së mesme, Jashari u përfshi në rrjedhat e organizimit klandestin për çlirim dhe bashkim të kombit. Ndërsa si student iu përkushtua veprimtarisë së organizuar politike revolucionare, të cilën nuk e pushoi asnjëherë deri në çlirimin e Kosovës nga sundimi serb. Për shkak të veprimtarisë atdhetare u arrestua tri herë nga regjimi serb i Jugosllavisë titiste, ndërsa u dënua dy herë me 11 vjet burg.

Në vitin 1989, emigroi në Zvicër, ku vazhdoi veprimtarinë atdhetare. Në periudhën e luftës së armatosur çlirimtare u angazhua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku shërbeu si zëvendëskomandant i Zonës së Veriut.

Jashari e ka të botuar librin me kujtime, “Nga fëmijëria deri te liria”. Monografia “Syrigana” është libri i tij i dytë.

Që në parathënie të librit monografik autori tregon për lidhjen e tij të fuqishme me vendlindjen, andaj pa e fshehur këtë lidhje, këtë dashuri të skajshme të tij me vendin e tij të lindjes, ai shkruan, duke cituar pjesë nga libri i tij i parë me kujtime:
“Siç duket në jetën e secilit njeri, vendlindja me fuqinë tërheqëse magjike të saj lë gjurmë të pashlyeshme. Emri, imazhi dhe dashuria e saj të shoqërojnë gjatë tërë jetës. Një kuptim të tillë ka edhe për mua Syrigana ime, e cila ka qenë pjesë e qenies sime në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo rrethanë. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e ëndrrave dhe e nostalgjisë sime. Përmes saj rikthehem në ditët e fëmijërisë sime.” (marrë nga libri autobiografik Nga fëmijëria deri te liria, J. A.)…

Edhe pse autori thotë se: “Jam i  vetëdijshëm se ky punim monografik për Syriganën, është i mangët por, le të mbetet si një nxitje për të tjerët që të hulumtojnë e të shkruajnë, e sidomos për studiuesit, historianët e arkeologët”, në fakt ai ka arritur që me punën e tij të përkushtuar të krijojë një veprër shkencore, me një bibliografi të pasur dhe referuese, me materiale arkeologjike dhe dëshmi të kohës.

Autori librin monografik për fshatin e tij, me titull “Syrigana” e ka ndarë në katër kapituj, për ta pasur më të lehtë lexuesi për ta kuptuar dhe për ta përcjell radhitjen.

Përshkrimet që bënë autori në libër janë mbresëlënëse, duke na dhënë informacion të bollshëm për gjërat që i shpjegon. Do të veçoja p.sh. përshkrimin që ai ia bën një peme të rrallë, e që gjendet në Syriganë, Skamna, një pemë e familjes së manës, e vjetër disa shekuj, më e vjetër se mani i mbjellur në oborrin e Tyrbes së Sulltan Muratit në Mazgit, për të cilën mendohet se është mbjellur 400-500 vjet më parë.

Kapitullin e III-të autori ia kushton historisë së Syriganës, që nga lashtësia e deri në fund të shekullit XIX, duke u përpjekur që të përfshijë të gjitha ngjarjet nga më të rëndësishmet e historisë së fshatit, fshat i cili në kohëra të hershme ishte një qendër shumë e rëndësishme zejtare, tregtare dhe administrative. Aq më tepër, Syrigana ndodhej në udhëkryqet nga më të rëndësishme të rajonit, kur gërshetoheshin arteriet kryesore të rrugëve nga veriu e perëndimi e të cilat shkonin në jug, e sidomos në lindje. Këtë autori e dëshmon se “… është konstatuar ekzistimi i trasesë së rrugës romake…  rruga  zbriste  në  Rrafshin e Dukagjinit dhe lidhej me degën jugperëndimore të rrugës Naissus-Lissus”.

Në këtë kapitull autori është përpjekur të na sjell sa më shumë material të shkruar dhe arkeologjik që nga lashtësia para epokës së re. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për një civilizim të lashtë në këtë trevë të Dardanisë, qysh 6000 vite para epokës së re dhe kishte një fortesë të ngritur mbi Sukën e Gurit, prej nga edhe e ka marrë emrin, Qyteti i Gurit, Sukagërë. Autori dëshmon se në shekullin IV – III p.e.r. në Dardani ishin krijuar qytete të mirëfillta ku njëri prej tyre ishte Qyteti i Gurit – Suka e Gurit, ose Syrigana e sotme.

Se Syrigana ishte arenë e përleshjeve të vazhdueshme gjatë historisë, dëshmon fakti se atë gjatë luftërave në periudha të ndryshme, romake, bizantine, sllave, osmane, e shkatërruan gati tërësisht pesë herë, për ta ngritur sërish banorët e tij shqiptarë. Por, në vitin 1689, gjatë luftës austro-osmane, ku mori pjesë edhe Pjetër Bogdani me rreth 20’000 luftëtarë shqiptarët, Sukagëra shkatërrohet përfundimisht për t’u shndërruar vetëm në një fshat, por duke ruajtur gjurmë të një civilizimi të qytetëruar. Këtu mësojmë se pikërisht në këtë kohë, gjatë luftës austro-osmane, në këto anë shpërtheu sëmundja e murtajës, e cila mori një numër të pakrahasueshëm jetë njerëzish, në mesin e të cilëve edhe Pjetër Bodani.

Në fund kësaj monografie autori Jashar Alia ia bashkangjet një mori citatesh të të huajve për shqiptarët, pjesë të cilën edhe e ka titulluar “Të tjerët për shqiptarët”…

Kjo monografi, siç u theksua edhe në fillim, ka një bibliografi të pasur dhe referuese, gjë e cila këtë libër e radhitë në vargun e veprave shkencore. Kështu edhe është vlerësua sidomos nga recensenti prof. Dr. Zymer Neziri, vlerësim që ndaj edhe unë dhe shumë të tjerë që patën fatin ta kenë këtë libër në duart e veta që para botimit.

Vepra “Syrigana” duhet të shërbejë për shumëkend, e sidomos për krijuesit dhe studiuesit, si mostrën më të mirë që të mbledhin materiale, të dhëna të shkruara e gojore, t’i selektojnë ato dhe të shkruajnë për vendlindjet e tyre, e kështu t’i lëmë brezave dëshmi të kohës, duke kontribuuar në mos-harresën kolektive.

Autorit, shokut tim të idealit dhe veprimtarisë në shërbim të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, Jashar Alia, i uroj shëndet dhe, edhe pranë moshës, mos të ndalet në fushën e krijimtarisë, ku ai ka dëshmuar një cilësi të lartë të një hulumtuesi dhe studiuesi të zellshëm dhe të durueshëm. Unë shpresoj të mos na lë të presim gjatë në librin e tij të radhës, të cilin ai është duke e punuar, përfundoi me këtë mesazh fjalën e tij, Agim Sylejmani

Kadri Rexha: Monografia «Syrigana», monument qëndrese, me motiv atdhedashurie

Po për veprën   “Syrigana” , të autorit Jashar Alia pati edhe një recension nga Kadri Rexha, i cili u lexua në mungesë të tij. Ja edhe ca fragmente :

Me këtë fjalë kushtuar librit «Syrigana» të autorint Jashar Alia, Tubimit përurues i dëshiroj punë të mbarë, atmosferë krijuese dhe frymë kombëtare!

Në fillim të kësaj fjale të shkurtër vlen të theksohet se Jashar Alia, tashmë, për opinionin, është emër i njohur i radhëve të Lëvizjes sonë kombëtare. Veprimtar i devotshëm atdhetar, i dënuar me burg shumëvjeçar si anëtar aktiv i organizatave ilegale politike, aktivist i dalluar i organizimeve politike, kulturore dhe humanitare në Zvicër, veteran i luftës së UÇK-së , Jashar Alia, pas librit me kujtime me titull «Nga fëmijëria deri te liria», botuar në vitin 2013, kësaj radhe vjen me monografinë «Syrigana», botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë, 2021.

Monografia «Syrigana» është e ngjeshur me lëndë të bollshme, ndërsa struktura metodologjike saj është realizuar me këtë përmbajtje të detajuar: parathënia, katër kapituj kryesor dhe literatura. Në kapitullin e parë (fq.11-42)) autori trajton shtrirjen gjeografike të fshatit, sipërfaqen, morfologjinë, mikrotoponimet, trashëgiminë arkeologjike, etj. Në kapitullin e dytë (fq.43-81)  trajtohet prejardhja e banorëve të Syriganës, lagjet e fshatit, gjenealogjia e familjeve, popullsia, shtimi dhe migrimet e popullsisë, ekonomia, pemëtaria, blegtoria dhe klima. Përmbajtjen e kapitullit të tretë (fq.83-154), për korrektësi, po e japim të plotë: Qyteti i Gurit – Sukagërë – Syriganë, Lashtësia e Syriganës, Syrigana vendbanim parahistorik, Syrigana trevë iliro-dardane, Syrigana gjatë sundimit romak, Syrigana gjatë sundimit bizantin, Rënia e Drenicës nën sundimin serb dhe shkatërrimi i Qytetit të Gurit, Prejardhja e toponimit Qyteti i Gurit, Rëndësia e Fortifikatës së Syriganës dhe lidhshmëria me fortifikatat tjera të Kllopotnikut (Drenicës), Syrigana gjatë pushtimit osman, Beteja e Kosovës (Dardanisë) 1389 dhe pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë betejë, Pagëzimi i Kllopotnikut me emrin Drenica, Qyteti Sukagërë para se të shpallet Nahije (Komunë), Syrigana nahije (komunë) e Sanxhakut Shkodrës, Ziameti i Suhogërllës (Syriganës), Antroponimia në Nahijen e Sukagërës – Suhogërllës, Rrënimi i fundit i qytetit dhe fortifikatës Sukagërë, Lufta austro – osmane (1683 – 1690), Dokumentet austriake për trevat e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, Kalimi masiv i shqiptarëve nga krishterimi në fenë islame, Regjioni i Drenicës pa seli administrative, Organizimi në bajraqe, Drenicasit kundër vendosjes së kazasë në Vërboc dhe djegia e godinës qeveritare (prill 1890 – janar 1891) Në kapitullin e katërt (fq.161-270) trajtohet Syrigana e viteve 60-ta – shek. XX, popullsia, numri i kryefamiljarëve dhe i anëtarëve në familjeve, lagjet e fshatit, arsimi, shkollat, shëndetësia, standardi, banimi, ekonomia, mjetet e punës, sporti, veglat muzikore, ritet dhe festat familjare, rezistenca ndaj pushtuesit, figurat e shquara të fshatit, fshati pas Luftës së Dytë Botërore, kontributi i syriganasve në ngjarjet e zhvilluara nga Demonstratat e vitit 1981 deri në luftën çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja, etj. Libri përfundon më shënimet për literaturën dhe me emrat e dëshmitarëve gojorë nga terreni.

Monografia «Syrigana» e autorit Jashar Alia është një kontribut i çmuar me vlera njohëse dhe edukative ndaj si realizim i tërësishëm denjësisht e plotëson kuadrin studimor të zhvillimit historik të fshatrave dhe të qyteteve të atdheut tonë. Lënda e saj, e shkruar me dashuri dhe me përkushtim, me gjuhë të pastër dhe me fjali të rrjedhshme, është e afërt, e drejtpërdrejt dhe komunikuese me lexuesit e të gjitha moshave dhe të gjitha kategorive. Si histori qëndrese tetëmijë vjeçare e një vendbanimi, vepra në shqyrtim, është fare e natyrshme që te lexuesi të nxisë emocione dhe të ngjallë ndjenjën e krenarisë supreme. Libri meriton të lexohet me vëmendje dhe me seriozitetin që i takon sa për përmbajtjen po aq për porosinë dhe qortimin që ua drejton lexuesve dhe studiuesve të ditëve tona. Ngjarjet e historisë nuk guxojnë të harrohen, sepse harresa ka tagër të lartë: një popull që harron i përsëritet historia. Monografia «Syrigana», ky monument qëndrese, me motiv atdhedashurinë, aq sa nderon vendlindjen e autorit, po aq nderon autorin e librit.

Me një fjalë falënderimi të pranishmëve iu drejtua edhe autori i këtij libri Jashar Alia.

Ahmet Qeriqi: Një libër ndryshe për Rexhep Malajn, “tërmeti” që dridhte burgjet jugosllave

Veprimtari, krijuesi dhe publicisti, Agim Sylejmani, tashmë ka bërë emër meritor, sidomos në angazhimin e tij për të ndriçuar disa nga momentet kyçe të historisë sonë më të re, të cilat i ka sjellë para lexuesit, qoftë si studime, rrëfime, vepra dokumentare, por edhe vepra  letrare e artistike.

Agimi, duke qenë edhe vetë në mesin e “Armatës” së qëndrestarëve, që zakonisht ende i quajmë ish-të burgosur politikë, pastaj bashkëvuajtës me qindra të burgosur për shkak të aktivitetit të tij atdhetar, të cilin ish-regjimi i RSFJ-së e kualifikonte si veprimtari nacionaliste e irredentiste  kundër bashkim vëllazërimit dhe përbashkësisë së shqiptarëve me serbë e sllavë të tjerë, duke qenë i bindur në rrugën e drejtë për liri, drejtësi e barazi, ka arritur të manifestojë edhe botën e tij origjinale, vrojtuese e krijuese, në veprat e botuara pas luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës ishte edhe vetë.

Në mesin e tetë veprave, që deri tani i nxjerrë në dritë, Agim Sylejmani, kësaj radhe do ta marrim për analizë e interpretim, veprën publicistike: “Rexhep Malaj në shkresat interne të UDB-së”, që është botuar në mars të këtij viti.

Libri, “Rexhep Malaj në shkresat interne të UDB-së”, është  libër i veçantë për faktin se heroi i kombit, është parë  në radhë të parë me syrin e inspektorëve të UDB-së, me qasjen, hetimet dhe keqtrajtimet  që ata i kishin bërë atij  gjatë vuajtjes së dënimit,  sidomos në “Burgun e Idrizovës” në Shkup, i cili  së bashku me Goli Otokun e Burgun e Nishit ishi tri ndër burgjet më famëkëqija të ish-Jugosllavisë.

Autori duke qenë hulumtues i zellshëm i veprimtarisë së bashkëmendimtarit dhe bashkëveprimtarit të tij, tani heroit, Rexhep Malaj,  ka arritur të zbulojë edhe fakte e dëshmi nga një pjesë e arkivave të UDB-së, të cilat hedhin dritë mbi disa anë të panjohura deri tani të veprimtarisë së Rexhep Malajt, Rafi Halilit, Binak Ulajt, Njazi Korçës, Gafurr Lokut (dëshmor i UÇK-së së bashku me djalin e tij, Dritonin)  dhe disa të burgosurve politikë shqiptarë, në Burgun e Idrizovës në vitet 70-të të shekullit 20-të.

Libri ka dy dimensione të mbarështruara në shtjellimin dhe në analizën e lëndës. Dimensioni i parë është materiali dokumentar, i përkthyer nga gjuha maqedone, i prezantuar nga origjinali në gjuhën shqipe dhe dimensioni i dytë, interpretimi realist dhe studimor, që i ka bërë atij materiali, autori i librit, Agim Sylejmani, duke nxjerrë edhe përfundime të caktuara brenda kontestit dhe nëntekstit, brenda kohës dhe hapësirës, pasi është njohës i jashtëzakonshëm i veprimtarisë atdhetare të Rexhep Malajt e disa veprimtarëve të tjerë.

Cili ishte Rexhep Malaj dhe pse aq shumë i frikësohej Sigurimi i Shtetit, edhe pse e mbante të prangosur dhe nën një regjim të trajtimit mizor, fizik dhe psikik?

Të gjithë bashkëveprimtarët dhe bashkëvuajtësit shqiptarë nëpër burgjet ku kanë vuajtur dënimin së bashku me Rexhep Malajn, pajtohen në konstatimet  që flasin më së miri për karakterin, temperamentin, forcën, guximin, shpirtin revolucionar të  vetëflijimit, solidaritetin me të gjithë të burgosurit dhe qëndrimin e tij vertikal, kurrë të mposhtur. Të gjithë pajtohen se ai ishte, ta themi një “Promethe” i kohës sonë, i cili edhe pse mbahej në pranga, kurrë nuk jepej, sepse kishte një besim të thellë në të drejtën e tij, kishte një ndjenjë të thellë atdhetarie, të cilën nuk mund t’ia bënte zap askush, as edhe me metodat më brutale e më barbare, që kanë përdorur mbi trupin e tij, dhunuesit nga radhët e UDB-së…

Pikërisht sepse ishte i tillë, ia kishte frikën regjimi gjakësor, i cili ndodhej para dilemës se si do t’ ia dilte në krye me të.  Ata, nuk e kishin të vështirë ta eleminonin, sikur kishin eleminuar shumë të tjerë, por po ashtu ishin të vetëdijshëm se do ta bënin hero, shembull për qindra të tjerë, madje një shembull krejt të veçantë, që rrezatonte forcë e siguri në vetvete, pasi ishte nga ata që edhe vdekjes i thonë, plaç!

Po kështu në bazë të materialit, të cilin e ka sistemuar, autori i librit, Agim Sylejmani, zbulojmë se vëzhgimi i pandërprerë që i bënte Sigurimi i Shtetit me autoritetet e caktuara të burgut, Rexhep Malajt, kishte për qëllim që t’i zbulonte edhe lidhjet e tij jashtë burgut, lidhjen jo vetëm me organizatën e tij,  por edhe me bashkëmendimtarë te të cilët kishte depërtuar, falë gjeturisë dhe konspiracionit, falë taktikave ndër më të ndryshmet, deri edhe te shpikja e një alfabeti të veçantë, të cilin nuk e dëshifronin dot as ekspertët më të njohur të kohës.

Rexhep Malaj, kundruar nga këndvështrimi i inspektorëve të UDB-së por edhe i një pjese të autoriteteve politike me ndikim të kohës, madje jo vetëm në Maqedoni por edhe i niveleve federale, na bën të kuptojmë se rreth tij ishte krijuar një “mit”, miti i qëndrestarit të pa kompromis, miti për njeriun që e ke në duar, e ke në pranga, por nuk je i sigurt se e pushton apo e mposht në asnjë mënyrë, me asnjë metodë, madje as me likuidim.

Kjo është përshtypja që krijohet pas leximit me kujdes të materialit faktik, të cilin e ka prezantuar, Agim Sylejmani në librin e tij, “Rexhep Malaj në shkresat interne të UDB-së”.

Në këtë libër zbulohet edhe një dimension tjetër  i angazhimit të UDB-së, sikur ishte instruktimi  dhe infiltrimi i  njerëzve të caktuar në mesin e të burgosurve politikë nga radha e atyre që ishin penduar dhe kishin pranuar të bashkëpunonin me inspektorët e UDB-së, me kushte dhe për përfitime  të caktuara.

Fatmir Brajshori: «Me Shqipninë, jo me Serbinë !”

Fatmir Brajshori duke e lexuar recensionin  e tij, që po e jap me disa shkurtime, tha se:

Është nder të shkruash për Ata që kanë flijuar çdo gjë për Atdheun, por gjithashtu është e vështirë, që në një libër, figura e një qëndrestari të përfshihet e tëra dhe të jepet në formën e të kuptuarit nga mjedisi ku jetonte gjatë veprimit të epokës së tij.

Aq më parë kur heroi i librit «Për një Atdhe të lirë e të bashkuar», jeton dhe vepron në kohën, kur në Atdheun e tij po ndodhin lëvizje të gjera revolucionare, sikurse që në mbarë Evropën por edhe në botë, kishte luftëra dhe protesta për liri e pavarësi të popujve, e të cilat ishte e pamundur të mos ndikonin në rininë avangarde të viteve të 60-ta dhe të 70-ta, e sidomos te brezi i viteve të 80-ta të shekullit të kaluar.

Kështu që të gjitha lëvizjet studentore revolucionare linin pa dyshim gjurmë në shpirtin e të riut Nazmi Hoxha.

Qëndresa e djemve atdhetarë, ishte e pamundur të mos ndikonin te Nazmiu, siç mësojmë në libër, «në shpirtin e tij të ndjeshëm e me plot tallaze».

Takimi me shokë revolucionarë, kur ky ishte më i ri, si dhe edukimi familjar, të cilin ai e ndiqte, nga rrëfimet e më të vjetërve të fshatit Cernicë, për luftën e Ramizit por edhe të Raifit (babë e bir), pa dyshim që do të ndikonin ndjeshëm në formimin e tij.

Autori duke sjellur në mënyrë episodike, veprimtarinë e Ramiz Ahmetit (Cernicës) krahas pasqyrimit të prejardhjes së heroit të librit të tij, e që është Nazmi Hoxha, ai na e bën akoma më të dashur figurën e Ramiz Cërnices.

Ja vetëm një pjesë e vogël e asaj që shkruan:

(Fillimi i fragmentit)

   «Në formimin e personalitetit të Ramiz Cernicës si atdhetar luajtën një rol të rëndësishëm edhe luftërat ballkanike, ku babai i tij ishte pjesëmarrës aktiv, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e tij.

Është i njohur qëndrimi i Ramizit në mbledhjen e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës, të mbajtur më 10 korrik 1945 në Prizren, i njohur ndryshe edhe si Kuvendi i Prizrenit:

…Fjalën e tij famoze të Prizrenit, Ramiz Cernica ia tregoi gati fjalë për fjalë veprimtarit dhe revolucionarit të njohur Kadri Halimi.

Rrëfimi i Ramiz Cernicës, të cilin e mori në shënim Kadri Halimi, është si më poshtë:

“… Sot jemi mbledhur ne të deleguarit e popullit të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit për të shprehur vullnetin dhe dëshirën e popullit (shqiptar) të kësaj Krahine. Unë jam i deleguar i popullatës së rrethit të Gjilanit. Këtu sot do të vendoset për fatin e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit. Siç dëgjova nga referati i paraqitur pak më parë, Partia paska vendosur që Krahinën tonë t’ia bashkojë Serbisë pa e pyetur fare popullin e saj. Unë shpreh mospajtimin tim me këtë synim e prejudikim. Populli i Krahinës sonë është kundër bashkimit me Serbinë. Ai është për bashkim me Shqipërinë. Për ne Serbia është njerkë, kurse Shqipëria është nënë. Kush kujdeset më fort për evladin e vet – nëna apo njerka? U muar vesh se nëna kujdeset me gjithë zemër e pa hile, kurse njerka gjithherë thjeshtrit i bën hile e padrejtësi. Pra, unë jam për t’iu bashkuar Kosova Shqipërisë, sepse me këtë po shpreh dëshirën e popullit. Kjo dëshirë e popullit për bashkim me Shqipërinë është shprehur e shkruar edhe në Rezolutën e Konferencës së Bujanit…» (fund i fragmentit).

Merita e Agim Sylejmanit është që ia ka arritur ta vendos drejt dhe qetas në libër Heroin e tij sa më të pranueshëm për lexuesin…

Për brezin e ri të pas luftës, mendja më thotë që «pjesa e dytë e veprës që rrëfen për organizimin ilegal në GMLK të kryepersonazhit» do të jetë më interesante ngaqë krijohet përshtypja që krijohet një takt i ri me ritëm, teksa ata që jetuan dhe vepruan së bashku me Nazmi Hoxhën, do të kthehen edhe një herë në «makinën e kthimit të kohës» për të rikujtuar çdo gjë…

Autori na ofron një mori ngjarjesh që përbëjnë jetën e Nazmi Hoxhës… Merita e Agim Sylejmanit është që ai me mjeshtëri ka arritur të veçojë, ato më kryesoret, të hedhë dritë duke ndriçuar ngjarjen me faktin, ku secilës ndodhi, qoftë nga jeta e fëmijërisë, aktiviteti revolucionar, dënimin dhe burgun, ia bashkangjet edhe një dokument pas, si dëshmi për kohën.

Autori i librit, Agim Sylejmani, me çasjen e tij për të shkruar jetëshkrime për më meritorët që Kosova nuk u ç’shqiptarizua, si për Rexhep Malajn, Sadik Bujën dhe tash për Nazmi Hoxhën, sikur bën thirrje, tek të tjerët me klithmën «Ejani o shokë» të nderojmë ata shokë që ishin e nuk janë më; për ata që shoqëria e jonë, pas luftës çlirimtare, jo që nuk tregoi admirim dhe mirënjohje por i la në harresë!

Të burgosurit politikë ishin ndërgjegjja e jonë; zëri i arsyes sonë!

Po të mos ishin Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Ali Ajeti e Hasan Ramadani sikur Hydajeti Hyseni me shokë si Nezir Myrtaj, Mehmet Hajrizi, Gani Sylaj, etj. nuk do të ishte, pa ta, as Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe heronjtë e saj Adem e Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti, Ilir Konushevci, Agim Ramadani, Ismet Jashari, Iljaz Kodra etj.

Libri është tipik jetëshkrimor pa refleksione të mëdha metafizike dhe për këtë arsye duhet ta përgëzojmë autorin; jo vetëm që heronjtë e qëndresës dhe organizimit ilegal i bën të njohur për brezin e sotshëm por më shumë për atë të ardhshmin!

Me librin e radhës Agim Sylejmani, sërish si kryefjalë ka shqiptarin e burgosur politik, të cilin po e bën të pavdekshëm dhe të përjetshëm.

Evenimentin e begatuan me lexime të fragmenteve të veprave nga readhet e organizatoreve të këtij tubimi letrar, që pati fillim me mjaft emocione, e që përfundoi me një apero rasti.