Në Cyrih mirëpritet vepra më e re e autorit Agim Sylejmani

Të premten e kaluar, më 23 Mars 2018, në njërën nga sallat e Shkollës Benedict të Cyrihut u bë promovimi i librit “Rrëfime nga burgu”, kushtuar 31 veprimtarëve të çështjes kombëtare, kryesisht të burgosur politik që përjetuan tmerret  e kazamateve serbo-sllave, ndër të cilët ishte edhe vet autori i librit

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Emri i autori Agim Sylejmani, tashmë në letrat shqipe nuk është edhe emër i panjohur. Ndonëse prej vitesh jeton në Zvicër, fitohet bindja se ai, paralelisht jeton jo vetëm në këtë shtet, por edhe në të gjitha trojet etnike, prej nga edhe e zgjedh brumin për veprat e tij artistike- dokumentare, kryesisht monografi kushtuar figurave të Lëvizjes Kombëtare.

Së fundi ai para publikut del edhe me veprën e tij më të re “Rrëfime nga burgu”, ku nxjerr në dritë rrëfimet e 31 veprimtarëve, kryesisht të burgosur politik, qe përjetuan burgjet dhe tmerret prapa grillave të kazamateve serbe, ndër të cilët ishte edhe vet Agimi. Me rastin e promovimit të kësaj vepre, të premten e kaluar, më 23 Mars 2018, njëra nga sallat e Shkollës Benedict të Cyrihut kishte tubuar një numër të konsiderueshëm libërdashësish, në mesin e tyre edhe ish të burgosur politik që prej vitesh jetojnë në Zvicër.

Pasi me një minutë heshtje u nderuan veprimtarët e çështjes kombëtare Agron Bajrami dhe Sali Biçkaj, një panel të përbërë nga Salih Sefa, Adnan Asllani,Fatmir Brajshori-Tushi, Isuf Ismaili dhe  autorit, përmes referimeve të tyre, kryesisht me shkrim, i bënë një vështrim kësaj vepre më të re me një tematik dhe peshë të veçantë të Agim Sylejmanit. Në këtë mbrëmje punimet e tyre i lexuan edhe Shefqet Cakiqi-Llapashtica dhe Dan Kosumi. Paraprakisht një mirëseardhje të pranishmëve ua uroj në emër të presidentit të shkollës Benedict, një nga menaxherët e kësaj shkolle, Arsen Shoshi.

Me këtë rast shkëputa dy-tri fragmente nga parathënia e librit, ku autori Sylejmani, përkujton se:

“Të flasësh për jetën prapa grilave të burgut nuk është gjë e lehtë, sepse krijon emocione, emocione shumë të fuqishme, edhe pse kanë kaluar dekada të tëra që atëherë. Ndoshta pikërisht këto emocione që ngjallin gjithë ato përjetime janë edhe shkaku dhe arsyeja kryesore (në mos e vetmja), që na ka frenuar jo vetëm t’iu tregojmë të afërmëve dhe fëmijëve tanë për to, por edhe t’i hedhim në letër ato përjetime tona nëpër burgjet famëkëqija të ish Jugosllavisë. Çdo ditë e kaluar në burg është histori më vete, histori nga e cila një letrar i zoti do krijonte vepra madhështore dhe të papërsëritshme, vepra të cilat ia vlen të bëhen edhe filma artistikë.

Në biseda të shpeshta me shokë të idealit dhe të vuajtjeve nëpër burgjet e ndryshme të Jugosllavisë, kemi folur tërthorazi se si për përjetimet tona nuk u kemi treguar as fëmijëve e as familjarëve. Sikur kemi dashur t’i ruajmë nga përjetimet trishtuese që të lënë pa gjumë. Sikur të kishte qenë një lloj kodeksi i pashkruar në mes të burgosurve politikë, që për përjetimet e tyre të mos rrëfejnë në familje, ta ruajnë atë nga kjo ngarkesë e rëndë psikologjike që kishim kaluar me vite e vite prapa grilave të burgjeve serbo-sllave.

Ne fund të parathënies, përshkruhet se: Në librin e parë paraqiten rrëfimet e 31 të dënuarve politikë nga vise të ndryshme nga e gjithë hapësira shqiptare nën ish Jugosllavinë titiste, porse radhitja e rrëfimeve të tyre nuk është bërë me ndonjë kriter përzgjedhjeje, si dhe nuk janë vendosur as për nga kohëzgjatja e burgut e as për nga përkatësia e rrëfyesve në radhët e organizuara politike.

Do theksuar se ky libër më parë është promovua edhe në Prishtinë ku edhe, siç lexojmë në mediat e atjeshme  është prit me mjaft interesim. Të shpresojmë se ky është vetëm fillimi i punës aspak të lehtë të Agim Sylejmanit në trajtimin e kësaj tematike jo shteruese, aq më parë kur dihet numri i pafund i të burgosurve politikë ndër dekada në burgjet famëkeqe serbo-sllave.

Me këtë rast po jap edhe një xhirim amator të fjalës së ish- të burgosurit politik e konsull i Kosovës, në Zvicër, Sali Sefa.