Në Suedi u mbajt Festivali i Poezisë dhe i Muzikës të Diasporës Shqiptare

Vendin e parë për poezi e mori krijuesja e re Liridona Jakupi me poezinë ”Vallëzoj nën ombrellën time”, kursen ë krijimtarinë muzikore Sami Piraj me veprën ”Fanar” të interpetuar nga anëtarët e Operës së Malmës

Ramadan Reshitaj

Për të Njëmbëdhjetën herë me radhë, në Malmë të Suedisë, u takuan krijuesit letrarë dhe muzikorë të diasporës shqiptare. Në këtë manifestim që tashmë është bërë tradicional dhe orghanizohet nga Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi, me poezitë e tyre dhe veprat muzikore, garuan 23 poetë dhe 5 kompozitorë.

Si zakonisht, Festivali i Poezisë dhe i Muzikës Krijuese Shqiptare i vetmi i këtij lloji në Diasporën shqiptare, nisi me promovimin e librave të botuara brenda dy festivaleve. Me këtë rast u bë promovimi i veprës së Dr Ramë Bujës me titull ”Kosova në krizën jugosllave” si dhe përmbledhja e vjershave në shqip e suedisht e krijuesit Rizah Sheqiri me titull ” Vetëm zemra është poet – Bara hjärtat är poet”.

Juria e Festivalit, në përbërje Dr Sali Bashota, Ahmet Bella dhe Muhamet Muriqi, pasi dëgjuan krijimet e të gjithë garuesve, vendosën që t´i ndajnë të gjitha shpërblimet e Festivalit të XI. Vendin e parë për poezi e mori Liridona Jakupi me poezinë ” Vallëzoj nën ombrellën time”, Vendi i dytë iu nda krijuesit Qerim Raqi me për poezinë ”Zjarri në sytë tu” dhe vendin e tretë ia ndau Syleme Bogiqit për poezinë ”Nëna”. Vendi i parë në krijimtarinë muzikore iu nda Sami Pirajt për veprën ”Fanar” të interpetuar nga anëtarët e Simfonisë së Qytetit të Malmës. Penda e Festivalit iu nda krijueses Yllka Sheqiri për poezinë ”Parrënjësi”, kurse Çmimi tradiconal i Festivalit që ndahet në kujtim të poetit KJosovë Rexha – Bala iu nda poetit Sevdail Zejnullahu për poezinë ”Arka e shenjtë”.

Krijimet letrare dhe ato muzikore dëshmuan edhe njëherë vlerat artistike të krijuesve tanë në diasporë si dhe kontributin e intelegjencës shqiptare që po krijon dhe vepron jashtë atdheut.

Në hapje të Festivalit të XI të Poezisë dhe të Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë, një fjalë rasti e mbajti ideatori i këtij manifestimi, kompozitori Ahmet Bella, i cili pos tjerash foli edhe për vlerat dhe antivlerat e kulturës shqiptare në Diasporë.

Festivalin e përshëndetën përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe të  Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës, Agim Berdyna dhe Ardita Uka, të cilët të shoqëruar nga Adem Krasniqi e Xhevat Isufi ishin mysafirë.

Për të gjithë pjesëmarrësit si dhe për ata që finansiarisht mbështetën këtë manifestim, organizatori ndau mirënjohje publike.

Pas përfundimit të pjesës zyrtare, në sallën reprezentative ”Bergakungen” u mbajt mbrëmje shoqërore kut ë pranishmit i argëtuan solistët Shaip Alija dhe Afërdita Xani.