Ndahet nga jeta intelektuali Pjetër Rodiqi, bashkëshorti i të madhes Vaçe Zela

Sot në orët e paradites përmes një mesazhi telefonik nga Irma Rodiqi, mora lajmin e dhembshëm për kalimin në amshim të mikut dhe intelektualit të shquar Pjetër Rodiqi, bashkëshorti i të famshmes Vaçe Zela.

Shkruan Rexhep Rifati

Të gjithë ne miqtë e familjes Rodiqi, që jetojmë në Zvicër e morëm me dhembje e pikëllim këtë lajm, për vdekjen e Pjetër Rodiqit në Tiranë, që erdhi nga bija e dy prindërve të mrekullueshëm, që tërë jetën u shkrinë për ngritjen dhe afirmimin e kulturës shqiptare.

Ndaj edhe një lutje për Irmën në këto momente të rënda për te: Kontributi që dhanë prindërit e tu, Irma, si në Shqipëri ashtu edhe në Zvicër, mbetet një shembull dhe kujtesë e mirë që do bartet edhe në brezat e ardhshëm, sepse Vaçja e Pjetëri gëzuan një respekt e autoritet të paparë në mesin e mërgimtarëve tanë, të cilët jo rrallëherë hyrjen e tyre në salla e pritën me ngritje në këmbë në shenjë nderim për ta. Edhe ato ndeja që patëm bashkë do të ngelin si kujtimet më të mira e më të dashura në kujtesën e ne mërgimtarëve, siç do ti kujtojmë edhe urimet që na dërgonte përherë për festat e fundvitit Pjetri, jo me mesazh të thjeshtë telefonik por me letër pergamenti të shkruara me dorë dhe të adresuara me postë.

Pjetëri nuk u vlerësua e respektua, vetëm pse ishte bashkëshorti i Vaçe Zelës, por se ishte një intelektual dhe atdhetar i rrallë e veçmas një përkthyes brilant nga gjuha gjermane në ato shqipe. Ndaj edhe sot edhe njëherë shfletova dy nga librat e tij të përkthyera në shqip, që të lënë përshtypjen se edhe vet autorët janë shqiptarë.

Me këtë ja edhe një biografi e shkurtër e Pjetër Rodiqit: me prejardhjen e të parëve nga Janjeva e Kosovës, ka lindur në Vjenë më 26 dhjetor 1936. Pasi mbaron shkollën pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë nga viti 1954-1959  punoi si arsimtar në Kavajë dhe Mirditë. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin Histori- Filologji. Nga viti 1962 deri 1966, ka punuar në Dhomën e Tregtisë, NTI dhe Implasing. Në vitin 1963 martohet me këngëtaren e mirënjohur, Artisten e Popullit, Vaçe Zela.  Nga janari i vitit 1998, Pjetër Rodiqi ka jetuar në Bazel të Zvicrës. Ndër librat që ka përkthyer në shqip shquhen vepra e albanologut dhe udhëpërshkruesit në trojet shqiptare, Johann G.von Hahn,“Nëpër viset e Drinit dhe Vardarit dhe “Shqipëria” të Christine von Kohl.

Pas lindjes në një vend të huaj dhe mbi dy dekadave jete në Zvicër, e bija e tij e dashur Irma në njoftimin e saj për largimin e babait nga kjo botë shkruan: “Zoti e dinte dashurinë e tij të pafund për atdheun e dashur, prandaj edhe ia mundësoi ta kalojë këtë sëmundje të rëndë në Shqipërinë e tij të shtrenjtë, që nuk ia zëvendësuan dot kurrë as bukuritë e Vjenës, ku pat lindur, e as ato të Bazelit, ku për hir të dashurisë e përkushtimit ndaj familjes kaloi 21 vite të jetës së tij”. Dhe a ka mesazh më të bukur e mbresëlënës, kur një vajzë si Irma, largimin e babait me këta dy rreshta: “Unë e quaj veten vajzën më me fat në botë, që pata e do të kem gjithmonë në zemrën e në shpirtin tim një baba fisnik e me virtyte të rralla si ai”.

Duke i shprehi ngushëllime të pafund, Irmës , të afërmeve e miqve, i dashuri Pjetër, pusho në paqe me kujtimin e mirë që ke lënë me Vaçen në mesin e mijëra mërgimtarëve në Zvicër dhe kudo që keni shkuar, ndaj edhe sot e tutje si dy yje do të ndriçoni mbi qiellin e bukur shqiptar.