S’ka qytet të pasur pa librari për të varfër

Kur një libër s’e ke dhe aq të domosdoshëm, a s’e gjen në asnjë librari, shkon në bibliotekë. Dhe kur s’e gjen as në bibliotekë, bibliotekisti, i cili e njeh më së miri zjarrin e atij që e kërkon palodhur një libër, mund të të udhëzojë t’i drejtohesh një dyqani për libra të vjetër. Një second-hand-shopi. Jo për tesha, inventar e aksesorë, ku zakonisht ka edhe një kënd të sistemuar libri, por për libra. Vetëm me libra!

Aty pastaj do të të hapet një botë e panjohur e plot sharm. Edhe nëse e ke njohur njëherë e një kohë, për shembull si student në një qytet universitar perëndimor, ku libraritë janë më të shpeshta se kazinotë në një qytet “tranzitor”, përsëri do të ngelësh i mrekulluar dhe i frymëzuar. Libra, libra, libra. Nga ato të filozofisë e matematikës te ato për kuzhinë, nga beletristika e lartë te trivialja, nga ato për fëmijë te ato për gra.

Aty përsëri mund të mos e gjesh librin që e kërkon me ngulm për momentin, por nëse je i dhënë pas librit, nuk do të dalësh kurrë pa një libër të rrallë, të cilin ndoshta e ke kërkuar me ngulm njëherë tjetër, apo pa një libër për të cilin je i lumtur që e gjete. Pastaj këmbët do ta mësojnë vetë rrugën për te këto libraritë e librave të vjetër, dhe në një vizitë të radhës mbase do të të buzëqeshë në një raft dhe libri që e kërkon.

I thonë dyqan për mallra të vjetra, të përdoruar, të dorës së dytë… Po aty ka dhe libra të rinj fare. Libra, që nuk iu është hequr akoma najloni! Për më tepër, për një çmim pesë-gjashtë herë më të lirë se në libraritë e “dorës së parë”. Ndoshta me një dallim më të vogël, po mbase edhe me një diferencë më të madhe. Po se ç’është i gatshëm të paguajë robi për një libër të cilin e do patjetër, e di mirë vetëm sivëllai e simotra e vet.

Aty ndofta shumica e librave kanë kaluar nëpër ndonjë dorë. Po a nuk janë të tillë dhe librat e bibliotekave, ndonjërin prej të cilëve më me dëshirë s’do ta kishe kthyer kurrë më në bibiotekën ku e ke huazuar? Në ndonjërin nga librat e librarisë së dorës së dytë vërtet e gjen të shënuar dhe emrin e pronarit të parë. Por mund të të qëllojë që ky të jetë emri i një profesorit tënd, të cilin e vlerëson kaq shumë!

Aty do ta gjesh padyshim ndonjë titull që e ke në bibliotekën tënde, por që ia kalon atij si botim për nga faqosja, ilustrimi, lidhja, kapakët, mbulesa… I cili, për më tepër, duket edhe më i ri se ai që e ke dhe të ofrohet për një çmim minor, çka e tundon ta blejë jo vetëm një merakli të librit. Atëherë ti do të bëhesh më fisnik e bujar dhe njërin ekzemplar do t’ia dhurosh një mikut tënd që i do librat.

Patjetër që një ditë do të vëresh që biblioteka jote është pasuruar dhe mendja jote është ndriçuar më shumë. Në librarinë e dorës së dytë sheh njerëz që dalin me qeset e fryra nga librat e blerë dhe të tjerë që futen me arka të ngarkuara me libra që i falin. Kjo nxjerr që libri në një shoqëri të tillë ka vlerë dhe tirazh, ai qarkullon dhe ruhet. Dhe, uji që rrjedh, pihet. Kështu thotë një urtësi popullore shqiptare.

Modeli i tregut të dorës së dytë më del se zë fill tek urdhëresat e krishtera për furnizimin e skamnorëve. Me kalimin e kohës kjo ofertë është transformuar dhe diferencuar. Prej kohësh ai ka marrë dhe elemente biznesi. Ai ka kaluar nga buka e falur dhe e lirë për komunitetin te veshmbathja e inventari, e s’do të përfundojë tek libri, ku sot ndër të tjera gjen edhe botime të Kuranit.

Në një vend nga perëndon dielli më duket se s’ka një vendbanim me mbi dhjetëmijë banorë pa një dyqan të dorës së dytë. Dhe s’ka një të tillë pa një kënd librash. (Në dyqanin e një province të strukur i gjen kujtimet e Luftës së Dytë Botërore prej gjashtë vëllimeve të W. Churchillit!) Kjo tregon kulturë, jo varfëri! Më tej, më duket se s’ka një qytet të pasur pa librari për të “varfër”. Një qytet modern pa librari të librave të vjetër.