Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë me Fondin «Nderi i Kombit Adem Demaçi» hapën një ekspozitë fotosh për jetën dhe veprën e Adem Demaçit, në 82 vjetorin e lindjes, meqë rast të pranishmëve iu drejtua ambasadorja e Kosovës Nazane Breca dhe Ibish Neziri bashkë i burgosur politik me Bacën Adem
Teksti e fotot : Rexhep Rifati
Sonte në lokalet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë në prani edhe të ambasadorit të Shqipërisë, z. Ilir Gjoni Ambasadori dhe ambasadorit të Maqedonisë z. Rafet Hajdari, e të një numri të konsiderueshëm bashkatdhetarësh nga mbarë Zvicra u hap një ekspozitë me fotografi kushtuar Adem Demaçit në 82 vjetorin e lindjes së tij.
Bashkorganizator për hapjen e kësaj ekspozite ishin Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë dhe Fondi «Nderi i Kombit Adem Demaçi» në Zvicër, Me këtë rast të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua ambasadorja e Kosovës Nazane Breca e cila ndër të tjera tha se ndjehet jashtëzakonisht e nderuar dhe e emocionuar, që bashkë me juve, dhe në bashkëpunim me Fondin «Nderi i Kombit Adem Demaçi», po e hapim këtë ekspozitë me fotografi, e cila sado pak mundohet të pasqyrojë vetëm disa nga veprat më të rëndësishme dhe kapitale të Adem Demaçit.
Më tej ajo përkujtoi kur është në pyetje figura madhore e Bacës Adem, se nuk: është e mundur që të përmblidhet në një fjalim vepra e madhe legjendës sonë të gjallë, të cilin shumë popuj ia kanë lakmi që ta kishin një personalitet me aq vlera. Ndaj edhe ne, fatmirësisht nuk kemi nevojë ta imagjinojmë, e kemi të gjallë ngase kontributi i tij për gjeneratat e ardhshme është i pamatshëm. Duhet të dimë ta shfrytëzojmë dhe t’i jetësojmë idealet e tij.
Me pak fjalë, Adem Demaçi, i njohur botërisht edhe si «Mandela i Kosovës», do të mbetët në kujtesën e gjeneratave të reja si bartësi i çështjes sonë të madhe kombëtare. Nëpërmjet luftës së tij për të mbrojtur të drejtat më elementare të shqiptarëve të Kosovës, ai dha një shembull eklatant se si një njeri, me vendosmëri të palëkundur, me sinqeritet të pastër, dhe me shumë punë dhe sakrificë mund të arrijë atë çfarë shumë pak kishin menduar ose shpresuar.
Adem Demaçi ka qenë dhe mbetet frymëzuesi kryesor i të gjithë luftëtarëve të lirisë. Ka qenë dhe mbetet frymëzues i rinisë dhe studentëve shqiptar. Si simbol i guximit dhe shpresës, ai hapi rrugë për çlirimin e vendit. Si i burgosur politik, askush nuk ka mundur t’ia thyejë shpirtin e lirisë. Nuk kurseu asgjë prej vetës për të ndërkombëtarizuar çështjen e shqiptarëve në Kosovë. Vazhdonte të ngrinte zërin gjithherë më lartë për të denoncuar shtypjen e shqiptarëve të Kosovës.
Fjalën e saj ambasadorja Breca e përmbylli me pohimin se : Emri i Adem Demaçit sot lidhet me shpresën dhe lirinë për shqiptarët. E falënderoj «Fondin Nderi i Kombit Adem Demaçi» për bashkëpunimin për organizimin e kësaj ekspozite.
Më pastaj për figurën e bacës Adem foli veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Ibish Neziri i cili një pjesë të burgut e kishte vuajtur në të njëjtin burg me Bacën Adem ndaj edhe i përshkroi edhe kushtet e burgut dhe stoicizmin e pashoq që kishte treguar baca Adem gjatë vuajtjes së burgut prej gati tri dekadash, duke qenë frymëzim dhe ideal edhe për të burgosurit tjerë politik shqiptarë.
Ndaj edhe në fund të këtij shkrimi: Baca Adem, gëzuar ditëlindjen me një ekspozitë nga Berna ! me dëshirën për një jetë të gjatë e të shëndetshme.